Muzikanti i xhazit Martin Denev për bukurinë dhe njerëzit “që ndriçojnë”

Premte, 28 Gusht 2026, 16:37

Martin Denev

Martin Denev

FOTO: martindenev.com

Madhësia e shkronjave

Audienca e larmishme e Radio Bullgarisë e njeh pianistin dhe kompozitor të talentuar bullgar Martin Denev përmes projektit tërheqës “Kodi 359: Kartolina muzikore”, kushtuar bukurisë së natyrës bullgare.



Së fundmi, Denevi, i cili përveçse muzikant është edhe një udhëtar i apasionuar dhe ka jetuar në vende të ndryshme të botës, u kthye nga Kina. Udhëtimi e ka mbushur me energji, të cilën ai synon ta sjellë në edicionin e dytë të festivalit “Hisarja Xhaz”, që do të zhvillohet më 28 dhe 29 gusht në skenën e Teatrit Veror në Hisarja – një nga resortet e preferuara të shumë bullgarëve dhe të huajve, i njohur për burimet e tij shëruese të ujërave minerale, natyrën e mrekullueshme dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike.

Teatri veror në Hisarja

Teatri veror në Hisarja

FOTO: hisarya.bg

Para pak kohësh, në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, Martin Denevi prezantoi me hollësi “Kartolinat e tij muzikore”, ndërsa më pas ndau edhe disa të dhëna më personale. Nga ana e babait, ai vjen nga një familje muzikantësh; xhaxhai i tij është kompozitori dhe dirigjent i shquar bullgar Ljubomir Denev. Gjyshja e tij nga ana e nënës ka qenë këngëtare popullore, me një pasion të madh për folklorin, traditat dhe zakonet bullgare. Ajo ka themeluar një muze etnografik në Ljubimec, një qytet i vogël në Bullgarinë juglindore, pranë kufijve me Greqinë dhe Turqinë, me një pozicion të rëndësishëm transporti dhe gjeografik. Megjithëse dashuria për folklorin ka mbetur “diku brenda tij”, sot muzika popullore bullgare nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në stilin e tij krijues, me përjashtim të elementeve folklorike që u shfaqën disa vite më parë në projektin “Martin Denev ETHNO VENTURE”.

Martin Denevi mori një formim klasik në Shkollën e Muzikës në Plovdiv. Mentoreja më e rëndësishme e viteve të fëmijërisë dhe rinisë së tij ishte mësuesja e pianos, Sonja Kesedxhijan, të cilën ai e quan “një njeri të jashtëzakonshëm”: “Ajo ishte shumë e moshuar, tashmë në pension. Një zonjë shumë elegante e brezit të vjetër, e diplomuar në një kolegj francez, me klas të lartë dhe me një frëngjishte të përsosur. Kur shkoja tek ajo për mësime, më kujtohet se dukej sikur hyja në një film nga një epokë tjetër: pikturat, mobiliet, në përgjithësi i gjithë stili i saj… Gjithmonë ishte shumë elegante, fliste në një mënyrë të veçantë… Ajo kujdesej shumë për mua dhe më ndihmonte shumë. Kur isha i ri, isha goxha çapkën dhe rebel. Ajo arriti të më mbante në rrugën e duhur, sepse kisha edhe disa devijime…”

Muzikanti i xhazit Martin Denev për bukurinë dhe njerëzit “që ndriçojnë”

FOTO: martindenev.com

Pas studimeve te znj. Kesedxhijan, Martin Denevi u pranua në Akademinë e Muzikës në Sofje: “Ishin kohë të turbullta – fillimi i viteve ’90. Nuk ishte një periudhë shumë e përshtatshme për artin. Doja të studioja jashtë vendit, por në atë kohë nuk kisha mundësi financiare për ta përballuar. Pastaj m’u krijua mundësia të largohesha. Luajta me grupe në Zvicër dhe në Luksemburg, arrita të kurseja disa para dhe mund të mendoja për studime në Evropë. Aplikova në Roterdam (Holandë), në universitetin Codarts (Codarts University for the Arts), një institucion vërtet shumë serioz, i cili më zgjeroi horizontin, sepse atje ka shumë departamente të ndryshme. Mund të studiosh tango, muzikë indiane ose arabe, pop, xhaz, muzikë klasike, muzikë filmi… Pranohen studentë nga e gjithë bota; mendoj se në kohën time kishte mbi 70 kombësi.”

Muzikanti i xhazit Martin Denev për bukurinë dhe njerëzit “që ndriçojnë”

FOTO: martindenev.com

Më pas vijoi një vit studimesh në kolegjin e njohur të muzikës “Berklee” në Boston (Berklee College of Music). Por, para kësaj, Martini i ndërpreu studimet për një vit dhe jetoi në Karaibe. Pas qëndrimit në SHBA, ai u nis për në Santiago de Kuba, për t’u specializuar në piano latine. Studimet i përfundoi në Holandë, ku qëndroi edhe 15 vitet e ardhshme, ndërsa më pas kaloi rreth një dekadë në Indonezi, në ishullin Bali.

Muzikanti i xhazit Martin Denev për bukurinë dhe njerëzit “që ndriçojnë”

FOTO: Facebook/Martin Denev

Muzikanti mendon se interesi i tij i thellë për mistikën, ezoterizmin, fetë dhe legjendat u zhvillua pikërisht në Bali: “Sepse vërtet është një vend shumë shpirtëror. Njerëzit janë shumë të lidhur me shpirtëroren, kjo është pjesë e kulturës së tyre; janë shumë besimtarë, shumë fetarë.” Dikur, muzikanti thoshte se “beteja për bukurinë nuk ka humbur”. Por a vazhdon ai të luftojë sot – për bukurinë apo për diçka tjetër?

Muzikanti i xhazit Martin Denev për bukurinë dhe njerëzit “që ndriçojnë”

FOTO: martindenev.com

“Kjo është një pjesë e shkëputur nga një intervistë ku flas për… ajo nuk është domosdoshmërisht bukuria… Nuk bëhet fjalë vetëm për peizazhet dhe natyrën, apo për artin… Bëhet fjalë për bukurinë në mënyrën se si komunikojmë, në mënyrën se si i perceptojmë të tjerët, botën dhe mjedisin që na rrethon – për këtë bukuri bëhet fjalë. Ajo është në çdo gjest dhe veprim tonin, në çdo çast të çdo dite. Për këtë përpjekje flas më shumë… Shpesh na duhet ta mbrojmë bukurinë dhe të luftojmë për të. Kjo betejë nuk është humbur në asnjë mënyrë, por thjesht nuk duhet të dorëzohemi së mbrojturi bukurinë.”

Flasim edhe për filmin dokumentar kushtuar njërit prej projekteve të Denevit – “Synth Sense”.

Në film, Martini përmend “njerëzit që ndriçojnë”: “Ka njerëz që ndriçojnë – ne i vëmë re, e dimë se cilët janë, i shohim. Është mirë të jemi në gjendje t’i vlerësojmë. Ka edhe disa që ndriçojnë vetëm herë pas here, ndërsa ka të tjerë që ndriçojnë vazhdimisht”, thotë ai duke qeshur dhe vëren se shpesh takon njerëz të tillë mes kolegëve të tij, muzikantë. Veten e cilëson si një njeri që “ndriçon herë pas here”: “Do të doja të isha gjithmonë i ndriçuar, kjo është tashmë faza tjetër.”

Muzikanti i xhazit Martin Denev për bukurinë dhe njerëzit “që ndriçojnë”

FOTO: martindenev.com

Në përfundim, Martin Denevi ka një urim për të gjithë ata që e pëlqejnë Bullgarinë dhe janë të interesuar për të:

“Natyrisht, para së gjithash, shëndet! Dhe së dyti, do të thosha që t’i kushtojnë më shumë vëmendje bukurisë në përditshmëri. Të përqendrohen te ky aspekt dhe në këtë drejtim. Sepse, për mua, bukuria është kudo dhe në çdo kohë; thjesht njeriu duhet të vendosë t’i kushtojë vëmendje. Dhe e dimë se, ajo ku përqendrohemi, bëhet gjithnjë e më e madhe.”

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova