Autor
Gergana Mançeva
Lajm
Elena dhe Ekaterina jetojnë në Suedi me Bullgarinë në zemër
Hënë 7 Shtator 2026 09:00
Hënë, 7 Shtator 2026, 09:00
Ekaterina Pishieva dhe Elena Serafimova
FOTO: IABÇ
Madhësia e shkronjave
Elena dhe Ekaterina janë dy vajza me origjinë bullgare, të lindura dhe që jetojnë në qytetin suedez Malmö. Prej pak kohësh janë bashkë në skenë, por folklori bullgar dhe, mbi të gjitha, kënga popullore bullgare kanë qenë pjesë e jetës së tyre prej kohësh. Të dyja janë 18 vjeç dhe thonë se gjuhën bullgare e kanë mësuar vetëm në familje, pasi prindërit e tyre janë me origjinë bullgare. Dy vajzat njihen nga pjesëmarrja e tyre në Grupin Rinor-Fëmijëror për Krijimtari Bullgare në Malmö, ndërsa së fundmi performojnë si duet me këngën e njohur popullore “Katerino, mome”. Edhe pse rrallë kthehen në Bullgari, ato promovojnë në mënyrë aktive folklorin dhe traditat bullgare jashtë vendit përmes shfaqjeve muzikore dhe teatrale. Ato thonë se kur dëgjojnë ose interpretojnë folklor bullgar, është sikur diçka i “godet në zemër” – nuk e dinë se si ndodh kjo magji, por ajo i shtyn përpara dhe i bën edhe më të lidhura me Bullgarinë. Së fundmi, publiku ndërkombëtar i Radio Bullgarisë u njoh me duetin e Ekaterina Pishieva dhe Elena Serafimova, pasi ato fituan Çmimin e Parë në kategorinë e grupeve për moshën 15–18 vjeç në konkursin prestigjioz të këndimit “Ljubka Rondova”, organizuar nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit.
FOTO: IABÇ
Të dyja vajzat qëndrojnë gjithashtu pas prezantimit të projektit “Një përrallë e Pashkëve” në Malmö, ku përmes sinakarit (një histori e paraqitur nëpërmjet pikturave) njohin komunitetin me zakonet dhe traditat popullore bullgare.
Në fillim të gushtit, Elena dhe Ekaterina morën pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit Autentik në fshatin Dorkovo. Atje u prezantuan si valltare të grupit suedezo-danez “BG Folk Ritmi” – Kopenhagen, Danimarkë dhe Suedi, dhe më pas morën pjesë në kampin tradicional edukativ veror të Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, i cili zhvillohet pranë bregdetit të Detit të Zi – në fshatin Stranxha, Brodillovo.
FOTO: Komuniteti Ortodoks Kishtar dhe Kulturor Bullgar “Shën Maria” në Malmö
“Gjatë gjithë kohës mblidhemi, festojmë me bullgarët e tjerë nga komuniteti në Suedi. Për festat kombëtare dhe për përvjetorë jemi gjithmonë bashkë. Kemi një grup të madh valltarësh – nga Suedia dhe Danimarka – rreth 50 persona, madje vijnë edhe më shumë. Kemi edhe një grup fëmijësh, ku marrin pjesë vetëm fëmijë nga qytetet përreth Malmö-s. Jemi larg, por përsëri jemi të afërt me Bullgarinë. Kemi grupin e vallëzimit, këndojmë këngë popullore dhe kështu lidhja nuk ndërpritet”, tregon Ekaterina Pishieva.
Prej saj mësojmë se në Malmö nuk ka shkollë bullgare, por komuniteti bullgar është aktiv dhe i bashkuar. Njerëzit mblidhen për festat kombëtare dhe për iniciativa të ndryshme kulturore, ndërsa një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre janë vallet dhe muzika popullore bullgare.
FOTO: Grupi rinor-fëmijëror për krijimtari bullgare në Malmö
Për disa prej pjesëmarrësve, muzika dhe ritmet janë shumë më tepër se një hobi – ato janë një mënyrë për të ndier lidhjen me atdheun dhe me rrënjët e tyre. Kështu është edhe për Ekaterinën, e cila gëzohet që së bashku me Elenën mund të prezantojnë këngët bullgare: “E dua muzikën bullgare më shumë se çdo muzikë tjetër. Muzika më godet në zemër. E ndiej si pjesë të vetes, sikur del nga rrënjët e mia – nuk di ta shpjegoj saktësisht këtë ndjenjë. Vërtet e ndiej nga brenda si diçka timen, si shtëpinë time. Unë personalisht do të vazhdoj të kërcej në një grup të quajtur “Mlladost na megdana”, i cili udhëton. Në të jemi mbledhur fëmijë nga jashtë vendit që kërcejnë valle popullore – nga mosha 15 deri në 25 vjeç – dhe po përgatitemi për një shfaqje në skenën e Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në vjeshtën e këtij viti.”
“Me të vërtetë jemi pak larg Bullgarisë, por përmes folklorit jemi shumë pranë saj”, konfirmon ndjesinë e përbashkët të këngëtareve nga Malmö. Edhe Elena Serafimova, ashtu si bashkëmoshatarja e saj Ekaterina, ka lindur në Suedi. Ajo ka ndjekur gjithmonë shkollën suedeze, por lidhja me Bullgarinë nuk është ndërprerë kurrë. Tani, edhe suksesi i duetit me këngën “Katerino, mome” u jep atyre edhe më shumë besim se të gjitha përpjekjet e lidhura me folklorin bullgar ia kanë vlejtur.
Elena thotë se kjo është kënga e parë që ato kanë mësuar së bashku me Ekaterinën, por në asnjë mënyrë nuk do të jetë e fundit. Gjithçka bëhet falë regjistrimeve në internet, të cilat vajzat i dëgjojnë dhe përpiqen të imitojnë interpretues të njohur bullgarë.
FOTO: Komuniteti Ortodoks Kishtar dhe Kulturor Bullgar “Shën Maria” në Malmö
“Prindërit e mi janë nga Sofja. Në familjet e mia nuk ka interpretues muzikorë, ndaj jam e lumtur që mund të jem pak më ndryshe dhe të kem këto paraqitje”, na tregon Elena Serafimova.
“Më pëlqen shumë folklori bullgar dhe fakti që së bashku me Ekaterinën arritëm ta mësojmë “Katerino, mome” krejtësisht vetë – jam shumë e kënaqur dhe e lumtur për këtë! Sigurisht që do të ketë edhe këngë të tjera të ngjashme të interpretuara prej nesh. Po, kthehem shumë shpesh në Bullgari, por ky është një synim afatgjatë – të kthehem përgjithmonë pranë familjes dhe rrënjëve të mia, sepse është vërtet shumë ndryshe të jesh këtu dhe të ndiesh gjithë atë energji, të jesh në shtëpi dhe në vendin tënd. Më pëlqen shumë edhe kënga bullgare me të cilën DARA fitoi konkursin Eurovision. “Bangaranga” është shumë e njohur mes bullgarëve në Suedi. Këngëtarja bëri një turne atje, pati disa koncerte dhe vërtet arriti të bashkonte komunitetin bullgar.”
Ndonjëherë mjafton vetëm një këngë për ta shkurtuar distancën – ndërsa për Elenën dhe Ekaterinën “Katerino, mome” nuk do të mbetet kënga e vetme. Besojmë se talenti i tyre do të zhvillohet dhe se ato do të vazhdojnë të jenë ambasadore të kulturës bullgare në mbarë botën.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski