Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Marta Petkova: Për baletin bullgar duhet të shkruhet, të flitet, të bëhet bujë!
Mërkurë 2 Shtator 2026 13:25
Mërkurë, 2 Shtator 2026, 13:25
FOTO: Marta Petkova - arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Prej katër sezonesh, primabalerina Marta Petkova është drejtoreshë artistike e trupës së baletit të Operës së Sofjes. E lindur në Sofje, ajo u pranua në Shkollën Kombëtare të Koreografisë kur ishte nëntë vjeçe. Vetëm katër vjet më vonë, ishte tashmë finaliste në konkurse ndërkombëtare baleti në Estoni dhe Luksemburg. Në moshën 14-vjeçare, ajo mori një ofertë për të studiuar në shkollën prestigjioze të baletit “Kirov Academy of Ballet” në Uashington. Në vitin 2002, Marta fitoi çmimin e madh të Festivalit Ndërkombëtar të Baletit në qytetin italian Fivizzano, pas së cilës u bë pjesë e trupës së Operës dhe Baletit të Sofjes. Në vitin 2007, Marta Petkova u bë primabalerinë dhe interpretoi role kryesore në baletet “Giselle”, “Don Kishoti”, “Briri i Dhisë”, “Liqeni i Mjellmave”, “La Bayadère”, “Bukuroshja e Fjetur”, “Silfida”, “Korsari”, “Zogu i Zjarrit” dhe të tjera.
Gjatë dy dekadave të fundit, Marta Petkova ka qenë një e ftuar e nderuar dhe shumë e kërkuar në skenat evropiane. Ajo është duartrokitur në Moskë dhe Vladivostok, Palermo dhe Napoli, Oslo, Helsinki dhe Magdeburg, si edhe në Abu Dhabi dhe Dubai. Ka vallëzuar përkrah yjeve botërore të baletit si Vadim Muntagirov, Denis Rodkin dhe Svetllana Zaharova (Svetlana Zakharova). Ajo është fituese e dy çmimeve prestigjioze bullgare “Lira e Kristaltë”: njëri për rolin e saj në “Liqeni i Mjellmave”, dhe tjetri për kontributin e përgjithshëm në artin e baletit.
FOTO: Marta Petkova - arkiv personal
Biseda me Martën nis me urime, pasi para pak kohe ajo u bë laureate e Çmimeve të para Trake për Muzikën Klasike, të themeluara nga ylli i madh i operës bullgare Sonja Jonçeva (Sonya Yoncheva) .
“Është shumë e këndshme kur puna jote vlerësohet, dhe aq më tepër nga një person si Sonja Jonçeva. Për mua ishte një privilegj i jashtëzakonshëm të ndaja të njëjtën skenë me të, ndërsa i gjithë eventi ishte i mrekullueshëm dhe me një vlerë të madhe artistike.
FOTO: Marta Petkova - arkiv personal
Ajo ka lindur në janar, nën shenjën e Bricjapit, me elementin e tokës. Cila energji mendon se është më e fortë brenda saj dhe a është vërtet një Bricjap tipik?
“Nëse pyesni njerëzit e mi të afërt, unë jam më shumë se një Bricjap i
vërtetë. Jam tërësisht ‘tokësore’, një njeri shumë praktik, me këmbë fort në
tokë dhe një punëtore e jashtëzakonshme, gjë që ka anët e veta pozitive dhe
negative. Qëndrimi dhe qëllimi im kanë qenë gjithmonë puna. Dhe jo puna për të
bërë dikë të lumtur, as që familja ime të krenohet me mua, por sepse ajo duhet
të kryhet në mënyrën më të përsosur të mundshme. Shpesh them se baleti është
një art shumë egoist. Kur dal në skenë, beteja është vetëm me veten time dhe me
askënd tjetër. Kënaqësia është aq e madhe kur vërtet ke vuajtur, kur ke qenë me
të vërtetë në kufijtë e forcave të tua dhe i ke kapërcyer ato. Ky është një art
që unë e bëj për veten time.”
FOTO: Marta Petkova - arkiv personal
Marta Petkova e ndjek me shumë vëmendje skenën botërore të baletit dhe solistët e mëdhenj:
“Mjaft mbresëlënëse është Marianela Núñez, të cilën pata mundësinë ta shoh
edhe nga afër vitin e kaluar në The Royal Ballet të Londrës. Unë nuk vlerësoj
vetëm teknikën e pastër dhe faktin që mund të bësh pesë pirueta ose një kërcim
të jashtëzakonshëm. Kjo nuk do të më prekë aspak nëse nuk je në gjendje të më
emocionosh. Nuk ka të bëjë vetëm me fizikun, aftësitë dhe teknikën; kërkohen
inteligjencë dhe thellësi emocionale... Guxoj të them se artistët e baletit
janë njerëz inteligjentë dhe pa intelekt nuk mund të vallëzohet baleti... Dhe
natyrisht, kjo duket në skenë.”
FOTO: Marta Petkova - arkiv personal
Në shumë deklarata për mediat, Marta Petkova ka përsëritur se baleti është një art i nënvlerësuar në Bullgari dhe se:
“Duhet të bëhet bujë për të, të shkruhet dhe të flitet për të, sepse është jashtëzakonisht kompleks dhe është në një nivel shumë të lartë.”
Ajo është kategorike:
“Unë udhëtoj dhe vallëzoj si në Bullgari, ashtu edhe jashtë saj, dhe e them me bindje të plotë se trupa e Operës dhe Baletit të Sofjes është mbresëlënëse! Sinqerisht, më vjen keq që nuk flitet për të, që nuk i kushtohet më shumë vëmendje, sepse ata e meritojnë! Ne jemi kaq modestë dhe të përmbajtur... ndoshta na keni parë. Vajzat janë jashtëzakonisht të disiplinuara. Ne nuk jemi nga ata njerëz që thonë: ‘ne jemi të mrekullueshëm, ne jemi të mëdhenj’. Gjithmonë kemi paragjykime dhe shqetësime se nuk jemi mjaftueshëm të mirë. Mungesa e vetëbesimit te bullgarët më zemëron shumë, sepse kemi njerëz të talentuar që nuk besojnë sa duhet te vetja. Mendoj se ky vend duhet të krenohet me këtë trupë! Ky art duhet mbështetur, sepse ia vlen.”
FOTO: Marta Petkova - arkiv personal
Në fund të intervistës, pyetjes për moton e saj ajo iu përgjigj:
“Unë mundem! ‘Unë mundem’... po, njeriu duhet të besojë te vetja. Para se të dal në skenë për një shfaqje, gjithmonë e përgatis veten në këtë mënyrë: ‘Marta, ti mundesh gjithçka. Thjesht dil dhe argëtohu.’”
Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva