Antonio Kosta nga Sofja: Është koha që Rusia ta ndalë këtë luftë

Radev kërkoi që të gjitha vendet e BE-së të kenë akses të barabartë në fondet e kohezionit

Enjte, 3 Shtator 2026, 18:42

Antonio Costa

Antonio Costa

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, ndodhet për vizitë në Sofje, në kuadër të “Turit nëpër kryeqytetet e vendeve të BE-së”. Në prani të kryeministrit Rumen Radev, Kosta konfirmoi se Evropa qëndron përkrah Ukrainës, raportoi gazetarja Marta Mlladenova. “Është koha që Rusia ta ndalë këtë luftë dhe të mos e përshkallëzojë atë. Kërcënimet dhe përpjekjet e Rusisë për të frikësuar nuk do ta dobësojnë vendosmërinë tonë për ta mbështetur Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. Është koha që të vendoset armëpushimi dhe të nisin negociata të vërteta për paqen”, deklaroi Kosta.

Vizita e Antonio Kostës lidhet me kuadrin e ardhshëm financiar shumëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034.

Rumen Radev

Rumen Radev

FOTO: BGNES

Diskutuam me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, se si mund të bëjmë që nevoja për rritjen e konkurrueshmërisë të shpërndahet në mënyrë të drejtë ndër vite, në mënyrë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të kenë akses të barabartë në fondin e madh të kohezionit dhe akses të barabartë në instrumentet e rëndësishme që do ta mbështesin këtë fond, në mënyrë që vendet më pak të zhvilluara të mos mbeten pas në zhvillimin e tyre teknologjik dhe industrial”, tha kryeministri Rumen Radev në një konferencë për mediat pas takimit, raportoi BTA.

Radev shtoi se i propozoi Kostës që të mendohej për një term të ri – “kohezioni industrial”.  “Le të mos flasim vetëm për kohezionin, siç është konceptuar deri tani, pra kohezioni klasik përmes programeve sociale dhe infrastrukturës, por për një kohezion që t’u japë mundësi të gjitha vendeve anëtare të marrin pjesë dhe të kenë mundësi të barabarta në zhvillimin teknologjik dhe industrial të Evropës”, shpjegoi Radev. Sipas tij, në të kundërt, proceset e fragmentimit në fushën e teknologjive të avancuara do të vazhdojnë të thellohen.



Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova