Seksion
21 ansamble folklorike bullgare nga 8 shtete mblidhen në një festival në Burgas
Hënë 7 Shtator 2026 07:10
Hënë, 7 Shtator 2026, 07:10
FOTO: ABFSÇ
Madhësia e shkronjave
Ansamblet bullgare të valleve folklorike jashtë vendit janë “zemra” e komuniteteve tona në mbarë botën. Nga 18 deri më 20 shtator, kjo zemër do të “rrahë fort” në Burgas, gjatë Festivalit të Dytë të Ansambleve Folklorike nga Jashtë, në tokën e tyre mëmë. Nisma është e Shoqatës së Ansambleve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit (ABFSÇ) dhe vjen si vazhdim i edicionit të parë të festivalit, i cili në vitin 2025 u zhvillua në Veliko Tërnovo.
21 grupe nga 8 shtete do të kërcejnë pranë detit, në kuadër të aktivitetit të quajtur “Burgasi na bashkon”. Të performosh para publikut vendas sjell emocione të mëdha dhe një ndjenjë të thellë respekti për valltarët amatorë, shprehet për Radio Bullgarinë Radosllava Nedjallkova, kryetare e Shoqatës, por edhe themeluese e ansamblit “Nashenci” në Milano. Frymëzimin për organizimin e këtij festivali në Bullgari e ka dhënë eventi i njohur në të gjithë Evropën “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”, i cili prej 11 vitesh mbledh mijëra bullgarë nga e gjithë bota në një përjetim të jashtëzakonshëm folklorik në sheshet qendrore të disa prej qyteteve të mëdha evropiane.
Radosllava Nedjallkova
FOTO: Elena Karkallanova
“Për ne është një emocion i madh i gjithë ky organizim dhe fakti që arritëm ta realizojmë këtë aktivitet, sepse të gjithë thonë: ‘Ju kërceni në sheshet e Evropës, ndërsa në Bullgari nuk ju shohim’. Kjo i dha idenë Shoqatës sonë të Ansambleve Folklorike nga Jashtë që të ftonte ansamblet bullgare të folklorit, të cilat veprojnë jashtë vendit, për të treguar pasionin e tyre për vallen edhe në tokën bullgare. Dhe duhet t’ju them se kjo u realizua në një mënyrë shumë të vështirë, sepse grupet ndiejnë një respekt të jashtëzakonshëm. Ata thonë: ‘Është shumë më e vështirë të kërcesh në tokën bullgare’, sepse kanë një respekt të jashtëzakonshëm për atdheun dhe, në përgjithësi, për folklorin. Por, falë Zotit, këtë vit mblodhëm mjaftueshëm pjesëmarrës dhe do të mund të organizojmë tri mbrëmje festive – më 18, 19 dhe 20 shtator.”
Nostalgjia si një forcë e fuqishme lëvizëse
Jeta jashtë vendit sjell nostalgji, ndërsa folklori e mbush këtë boshllëk dhe bashkon bashkatdhetarët tanë.
FOTO: Facebook /Grupi Folklorik “Nashenci”
Në Shoqatë janë anëtare më shumë se 60 ansamble bullgare të valleve – nga Evropa, por edhe më tej. Sipas Radostllava Nedjallkovës, vetëm në Amerikë tashmë ka mbi 200 trupa bullgare vallesh, ndërsa një numër i ngjashëm ka të ngjarë të jetë edhe në Evropë. Interesi për vallet bullgare është i madh dhe në shumë prej këtyre grupeve kërcejnë jo vetëm bullgarë.
Megjithatë, këto kolektive përballen me jo pak vështirësi – nga gjetja e ambienteve të përshtatshme për prova, deri te blerja e kostumeve folklorike dhe sigurimi i muzikës së përshtatshme. Por këto vështirësi nuk arrijnë ta zbehin entuziazmin e tyre:
FOTO: ABFSÇ
“Ne vetëfinancohemi, nuk kemi financim shtetëror. Bëhet fjalë për mjete tërësisht personale të drejtuesit dhe të njerëzve që janë pjesë e këtyre grupeve, sepse, siç e dini, një kostum folklorik kërkon një shumë mjaft të konsiderueshme. Pra, me të vërtetë, fondet janë një nga zërat kryesorë të shpenzimeve në organizatën tonë. Përveç kësaj, siç e përmendët, të gjithë jemi amatorë – kjo kërkon kohë për përgatitje dhe kërkon një koreograf të duhur, i cili të dijë si të punojë, në mënyrë që t’ua mësojë vallet njerëzve.”
Radosllava Nedjallkova në BNR
FOTO: Elena Karkallanova
Viti 2026 është i veçantë – bëhen 10 vjet nga themelimi i Shoqatës së Ansambleve Folklorike Jashtë Vendit. Ky përvjetor do të festohet në mënyrë të veçantë gjatë Seminarit të Pestë Artistik, të cilin Shoqata, sipas traditës, e organizon në javën e dytë të nëntorit në Sofje. Qëllimi i këtyre takimeve të punës së drejtuesve të ansambleve është të kontribuojnë në ruajtjen e folklorit autentik bullgar jashtë vendit. Këtë herë, fokusi tematik është vendosur te rajoni folklorik Shop i Bullgarisë.
“Këtë vit do të zhvillohet edicioni i pestë i këtij takimi-seminar. Ideja është që drejtuesit e grupeve të takohen me koreografë vendas, të cilët mund t’i ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të punës së tyre dhe në gjetjen e muzikës, sepse edhe muzika është një problem shumë i madh – çfarë muzike të përdoret, kush ta krijojë dhe si qëndron çështja e të drejtave të autorit. Ka shumë tema që i trajtojmë gjithmonë në seminaret tona, në mënyrë që gjërat të bëhen sa më saktë dhe të shmanget shtrembërimi i folklorit dhe i asaj që u paraqesim publikut të huaj. Sepse përgjegjësia është e madhe. Në fund të fundit, ne marrim pjesë në aktivitete dhe shfaqje, por përfaqësojmë Bullgarinë, ndaj duhet ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.”
FOTO: ABFSÇ
Programi i festivalit në Burgas
Festa treditore “Burgasi na bashkon” do të nisë më 18 shtator me ceremoninë e hapjes në Teatrin Veror. Më 19 shtator, në sheshin “Shën Kirill dhe Metodij”, do të zhvillohet një valle njëorëshe (valle tradicionale bullgare në grup), nga e cila priten edhe pamje mbresëlënëse të filmuara nga lart me dron. Më 20 shtator është parashikuar një paradë shumëngjyrëshe e grupeve pjesëmarrëse, të veshura me kostume folklorike. Parada do të nisë nga Bashkia dhe do të përfundojë te Teatri Veror, ku do të mbahet koncerti gala. “Do të ketë edhe dy grupe fëmijësh nga shkollat bullgare që kishin dëshirë të merrnin pjesë me valle në këtë festival. Kur ka fëmijë në skenë, emocionet janë edhe më të mëdha, ndaj ju ftojmë të vini të na shikoni!”, thotë në përfundim Radosllava Nedjallkova.
- Katalogu online me valle dhe kërcime bullgare “nis” turneun evropian
- Takimi i Shoqatës së ansambleve folklorike bullgare jashtë vendit
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello