POLITIKË

Artikull

Një komitet nismëtar propozon Gjurov dhe Kandev për zgjedhjet presidenciale

Enjte, 10 Shtator 2026, 15:44

Një komitet nismëtar propozon Gjurov dhe Kandev për zgjedhjet presidenciale

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Një komitet nismëtar me mbi 200 anëtarë, mes të cilëve artistë, shkrimtarë, pedagogë universitarë dhe shkencëtarë, propozoi Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev si kandidatë për president dhe nënpresident në zgjedhjet e 25 tetorit 2026. Komiteti drejtohet nga sopranoja me karrierë ndërkombëtare Aleksandrina Pendaçanska dhe gazetari Konstantin Vëllkov. Përfaqësuesit e komitetit deklaruan se institucioni i presidentit duhet të jetë garant i rendit kushtetues dhe i interesave kombëtare, përtej ndarjeve partiake, njofton BTA.

"Si president do të jem garant i zhvillimit të Bullgarisë në Evropë dhe në botën e lirë", deklaroi Gjurov gjatë prezantimit të komitetit nismëtar.

"Na nevojitet një faktor korrigjues që të thotë 'jo' nëse veprojmë kundër interesave të BE-së dhe NATO-s. Nuk mund të jemi partnerë të këqij dhe jo besnikë, siç po shfaqen disa tendenca", theksoi prof. Kosta Kostov, anëtar i komitetit. Ai vuri në dukje edhe rolin e kreut të shtetit si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe mbrojtës i angazhimeve të Bullgarisë ndaj BE-së dhe NATO-s.

"Kemi thënë qartë se të gjithë votuesit e GERB-it janë të mirëpritur të votojnë për ne dhe i ftojmë ta bëjnë këtë, sepse GERB është një parti proevropiane dhe nuk duhet të ketë alternativë tjetër për ta", shtoi Kostov.

Gjurov dhe Kandev njoftuan më 1 shtator se do të marrin pjesë në garën presidenciale.

Andrej Gjurov është ekonomist dhe ish-deputet i partisë "Po e Vazhdojmë Ndryshimin" (PP). Në vitin 2023 ai u zgjodh nënpresident i Bankës Kombëtare Bullgare, ndërsa nga shkurti deri në maj 2026 ishte kryeministër i përkohshëm.

Georgi Kandev është kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme me mbi 27 vjet përvojë në sistem. Ai ushtroi detyrën e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë gjatë qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Gjurov.

 

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva