Lajm
1080-vjetori i Fjetjes së Shën Joan Rillskit
Bullgarët në Athinë përkujtojnë solemnisht 1080-vjetorin e Fjetjes së Shën Joan Rilskit
Mërkurë 16 Shtator 2026 21:45
Mërkurë, 16 Shtator 2026, 21:45
FOTO: Kisha Ortodokse “Shën Joan Rilski Mrekullibërësi” në Athinë
Madhësia e shkronjave
Komuniteti bullgar në Athinë po përgatit një sërë aktivitetesh të ndryshme në kuadër të “Ditëve të Shën Joan Rillskit”. Ato do të zhvillohen nga 22 deri më 25 tetor 2026 dhe organizohen me rastin e 1080-vjetorit të Fjetjes së shenjtorit, në prag të 20-vjetorit të krijimit të komunitetit kishtar bullgar pranë kishës “Shën Joan Rillski Mrekullibërësi” në kryeqytetin grek.
“Komuniteti bullgar në Athinë është i madh – disa dhjetëra mijëra njerëz. Vendi që na bashkon është kisha ortodokse bullgare në Athinë, kushtuar Shën Joan Rillskit. Ajo ka një histori prej gati 20 vitesh. Çdo vit, në festën e Mrekullibërësit të Rillskit në tetor, organizojmë një përkujtim të madh për mbrojtësin e popullit bullgar”, thotë për BTA Genço Banev, lektor i gjuhës, letërsisë dhe kulturës bullgare në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës dhe anëtar aktiv i komunitetit kishtar bullgar në kryeqytetin grek. Ai thekson se, për shkak të përvjetorit, këtë herë programi është edhe më i gjerë.
FOTO: BTA
Janë parashikuar një forum akademik ndërkombëtar, një ekspozitë për fëmijë, një konkurs përkthimi dhe shërbesa festive. Në forum do të marrin pjesë studiues dhe pedagogë universitarë, ndërsa programi i shërbesave fetare përfshin pjesëmarrjen e klerikëve nga Kisha Ortodokse Bullgare dhe Kisha Ortodokse Greke. Forumi është i hapur për të gjithë të interesuarit, ndërsa aplikimet për pjesëmarrje në konkurse, me referate dhe projekte, pranohen deri më 15 tetor 2026.
Sipas Genço Banevit, Shën Joan Rillski është mjaft i njohur në Greqi përmes një numri të konsiderueshëm tekstesh dhe shërbesash kishtare. Hulumtimet zbulojnë se në ishullin Tinos ruhet dora e djathtë e shenjtorit, megjithëse mbetet e paqartë se në çfarë rrethanash historike ajo u nda nga trupi i tij dhe si u dërgua atje.
Më tej, “Radio Bullgaria” do t’ju sjellë një intervistë të posaçme me Genço Banevin, i cili do të tregojë në detaje për kremtimet në Athinë dhe për kërkimet që lidhen me Shën Joan Rillskin në Greqi.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello