118 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Bullgarisë

Procesion, banda ushtarake dhe fishekzjarre në Veliko Tërnovo

Martë, 22 Shtator 2026, 07:07

Kisha „Dyzet Dëshmorët“ - Veliko Tërnovo

Kisha „Dyzet Dëshmorët“ - Veliko Tërnovo

FOTO: Krasimir Martinov

Madhësia e shkronjave

Më 22 shtator, Veliko Tërnovo do të jetë qendra e festimeve me rastin e Ditës së Pavarësisë së Bullgarisë. Plot 118 vjet pas shpalljes së pavarësisë nga mbreti Ferdinand, qyteti i vjetër, që dikur ishte kryeqyteti i Bullgarisë, do të përkujtojë sërish një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetit bullgar, njofton Bashkia e Veliko Tërnovos.

Në orën 07:30, në kishën „Dyzet Dëshmorët“, në prani të kryetares së Parlamentit, Mihaella Docova, do të mbahet një meshë festive nga peshkopi i Nikopolit, Matej. Në oborrin e kishës do të zhvillohet edhe një rikrijim historik i ngjarjeve të 22 shtatorit 1908, kur princi Ferdinand shpalli Pavarësinë e Bullgarisë.

Në orën 11:30, nga sheshi përpara kalasë së Carevecit drejt godinës së Bashkisë do të nisë një procesion festiv, ku do të marrin pjesë qytetarë, të ftuar, fëmijë dhe muzikantë me uniforma nga Bullgaria, SHBA-ja dhe Turqia.

Në orën 12:30, përpara Bashkisë do të zhvillohet parada e Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore Ushtarake, ndërsa pasdite do të vijojë programi artistik me koncerte.

Festimet do të përmbyllen në sheshin „Mbreti Asen I“, ku në orën 19:30 do të zhvillohet ceremonia solemne me kontrollin e trupave dhe fishekzjarre. Në orën 20:15 do të shfaqet spektakli „Carevgrad Tërnov – Tingull dhe Dritë“, i shoqëruar me një shfaqje festive fishekzjarresh.

Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë: 

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova