Lajm
Rumen Radev: Pavarësia u takon atyre që janë të denjë për të
Martë 22 Shtator 2026 13:11
Martë, 22 Shtator 2026, 13:11
Rumen Radev
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
„Më 22 shtator 1908, paraardhësit tanë shpallën Bullgarinë shtet të pavarur dhe e rikthyen atë në familjen e vendeve evropiane sovrane“, shkroi kryeministri Rumen Radev në Facebook me rastin e festës kombëtare. Sipas tij, udhëheqësit e Bullgarisë së re, të cilët prej kohësh e kishin kapërcyer varësinë vasale ndaj Perandorisë Osmane, përmbushën misionin e tyre historik për rivendosjen e plotë të shtetësisë bullgare. „Bullgaria mori fatin e saj në duart e veta dhe nuk ngurroi të mbronte pavarësinë e saj në vitet e sprovave, përballë ndërhyrjeve të huaja dhe gjatë luftërave të mëvonshme për bashkimin kombëtar, në emër të së ardhmes së saj“, thekson kryeministri. Ai shton se pavarësia u takon atyre që janë të denjë për të dhe kërkon përgjegjësi të ndërgjegjshme, unitet dhe veprim të përditshëm për ta konsoliduar atë.
Ilijana Jotovoa
FOTO: BGNES
„Akti i madh shtetformues i vitit 1908 është një përgjegjësi ndaj së tashmes dhe së ardhmes. 22 shtatori 1908 është një datë e paharruar në kalendarin tonë kombëtar, e cila na kujton se me durim, arsye, këmbëngulje dhe përpjekje të përbashkëta mund të arrijmë shumë“, shkroi presidentja Iliana Jotova në faqen e saj në Facebook. Ajo sjell në vëmendje një mesazh të dhënë më shumë se një shekull më parë, i cili nuk e ka humbur forcën e tij: „Në Manifest, princi Ferdinand deklaron: ‘Bullgaria duhet të ecë përpara në zhvillimin e saj kulturor dhe ekonomik.’“ Sipas kreut të shtetit, nga uniteti, energjia dhe vetëbesimi ynë varet nëse do të arrijmë ta ndërtojmë Bullgarinë si shtëpinë tonë të sigurt dhe të begatë.
Mihaella Docova
FOTO: BTA
„Nuk duhet të harrojmë se Pavarësia mbrohet çdo ditë me shumë urtësi, vullnet të fortë dhe shumë përpjekje“, deklaroi para gazetarëve në Veliko Tërnovo kryetarja e Kuvendit Popullor, Mihaella Docova. Sipas saj, sot duhet ta mbrojmë pavarësinë duke mbrojtur interesat kombëtare në çdo veprim tonin – si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Bojko Borisov
FOTO: BTA (arkiv)
Në urimin e tij, lideri i partisë më të madhe opozitare, GERB, Bojko Borisov, deklaron se pavarësia nis nga njeriu i lirë – i lirë të punojë, të krijojë, të ndërmarrë iniciativa dhe të përcaktojë vetë të ardhmen e tij. „Para 118 vitesh, Bullgaria deklaroi se do ta përcaktonte vetë fatin e saj. Është përgjegjësia jonë ta mbrojmë këtë pavarësi çdo ditë“, thekson ai.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- 22 Shtator 1908 –Dita kur u shpall Pavarësia e Bullgarisë
- 115 vjet Bullgaria e Pavarur
- U përmbush vullneti i fundit i Mbretit Ferdinandit - shtëpia e tij e përjetshme të jetë në Bullgari
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova