Autor
Anelia Dimitrova
Lajm
Nga algoritmet drejt argjilës… historia e Vu Nguen dhe jeta e tij në Bullgari
Dielë 27 Shtator 2026 09:00
Dielë, 27 Shtator 2026, 09:00
FOTO: arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Vu Ngueni është një njeri, rruga jetësore e të cilit kalon nëpër tri kontinente dhe kultura të ndryshme, por e çon drejt një zbulimi të papritur: dashurisë për skulpturën.
Ai lindi
në Vietnam, por vetëm 11 vjeç mbërriti në Bullgari së bashku me familjen e tij.
Fillimisht studioi në Burgas, ndërsa më pas në Sofje. Më vonë u nis për në
Shtetet e Bashkuara, ku studioi në fusha të ndryshme, si biznesi, shkencat
kompjuterike, gazetaria dhe... piktura. Pikërisht kjo larmi njohurish dhe
interesash formoi gradualisht mënyrën se si ai e sheh botën, njëkohësisht në
mënyrë analitike dhe krijuese.
FOTO: arkiv personal
Sot, Vu Ngueni punon në fushën e IT-së, por një vit e gjysmë më parë jeta e tij mori një drejtim të ri. Ai vendosi t’i çonte fëmijët e tij në kurse modelimi me argjilë, pa e ditur se do të pasionohej vetë pas këtij arti. Në atelie ai u njoh me skulptorin Boris Kallajxhiev, i cili u bë mentori dhe frymëzuesi i tij. Ngueni e përshkruan bashkëpunimin e tyre si një dialog të vërtetë krijues, një shkëmbim idesh ku çdo vepër e re lind përmes një procesi frymëzimi të ndërsjellë.
Edhe pse
në pamje të parë teknologjia e informacionit dhe skulptura duken si dy botë
krejtësisht të ndryshme, për Vu Nguenin ato kanë shumë më tepër të përbashkëta
sesa mund të supozojmë.
FOTO: arkiv personal
“Kur pikturon, mendon mbi sipërfaqen e sheshtë të fletës. Ndërsa në skulpturë duhet të mendosh në hapësirë. Forma duhet të mbajë peshën e vet, t’i rezistojë gravitetit, ndërsa elementet e veçanta duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë që të shndërrohen në një tërësi. Në këtë proces ka arkitekturë, ka matematikë, ka mendim inxhinierik. Pikërisht për këtë arsye përvoja ime në IT më ndihmon në njëfarë mënyre. Gjëja më e bukur është se argjila të lejon ta ndryshosh vazhdimisht veprën. Me disa lëvizje të vogla mund ta transformosh plotësisht kompozimin. Kjo është liria që më tërheq shumë,” thotë ai.
Për të, modelimi nuk është thjesht krijimi i një vepre arti, por një gjendje e përqendrimit të plotë në çastin e tanishëm.
“Më së
shumti e dua vetë procesin. Fillimisht e përfytyroj formën në mendjen time,
pastaj nis ta ndërtoj gradualisht. Çdo hap pason të mëparshmin. Më pëlqen
qetësia në atelie, atmosfera e paqtë, tingulli i veglave që modelojnë argjilën.
I gjithë procesi është tejet meditativ. Pikërisht kjo më bën të kthehem
vazhdimisht,” thotë ai.
FOTO: arkiv personal
Dashuria për krijimtarinë ecën krah për krah me kujtimet e fëmijërisë. Gjurmën më të fortë në jetën e tij e ka lënë gjyshi i tij, njeriu që jo vetëm e edukoi, por edhe e ndihmoi të gjente vendin e tij në Bullgari.
Kur familja u shpërngul në Bullgari, Vu Nguen filloi klasën e pestë pa ditur asnjë fjalë bullgarisht. Ndërsa mësuesit e ndihmonin të përvetësonte gjuhën, gjyshi i tij, i cili gjithashtu nuk fliste bullgarisht, përkthente me ndihmën e një fjalori tekstet e matematikës, fizikës dhe kimisë, në mënyrë që të mund të studionte së bashku me të.
FOTO: arkiv personal
“Gjyshi im ishte njeriu që më ka formësuar më shumë si personalitet. Ai më mësoi si të jem njeri i mirë, si t’i pranoj sukseset dhe dështimet, si të jem këmbëngulës.”
Pas përfundimit të studimeve në Shtetet e Bashkuara, Vu Ngueni vendosi të kthehej në Bullgari. Prej më shumë se një dekade ai jeton këtu me familjen e tij dhe nuk e fsheh se pikërisht qetësia dhe afërsia mes njerëzve janë arsyet që e kanë bërë të qëndrojë.
Edhe pse
ruan brenda vetes rrënjët e tij vietnameze, fëmijëria në Bullgari dhe vitet e
kaluara këtu e bëjnë të ndihet para së gjithash pjesë e Bullgarisë. Sot ai
vlerëson mbi të gjitha ndjenjën e qëndrueshmërisë, familjes dhe shtëpisë.
Vu Ngujen, Boris Kalajxhiev dhe Iris Konsta – autorët e ekspozitës “Dialog në argjilë”
FOTO: epochtimes.bg
Vetëm pak
muaj më parë, Vu Ngueni mori pjesë në ekspozitën e tij të parë të përbashkët,
“Dialog në argjilë”, një vazhdim i natyrshëm i një pasioni që kishte nisur
krejt rastësisht. Për të, megjithatë, kjo është vetëm fillimi. Çdo skulpturë e
tij mbart një mesazh, ndërsa ëndrra e tij është që një ditë të ketë më shumë
kohë për t'iu përkushtuar krijimtarisë dhe për të realizuar projekte publike më
të mëdha.
Vepra të Vu Ngujen nga ekspozita "Dialog në argjilë"
FOTO: epochtimes.bg
Urimi i tij ndaj njerëzve është i thjeshtë: të jetojnë plotësisht dhe të mos i shtyjnë gjërat e rëndësishme për më vonë, sepse askush nuk e di se çfarë sjell dita e nesërme.
Historia e
Vu Nguenit tregon se ndonjëherë pikërisht takimet më të papritura ndryshojnë
drejtimin e jetës sonë. Nga bota e teknologjisë së informacionit te
plasticiteti i argjilës, ai vazhdon të tregojë histori, jo me fjalë, por me
forma, duke dëshmuar se krijimtaria gjithmonë gjen rrugën e saj. Ndërkohë,
Bullgaria është shndërruar në vendin ku të gjitha këto rrugë të ndryshme të
jetës së tij takohen natyrshëm.
Mësoni më shumë për marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Vietnamit nga arkivi i Radio Bullgarisë:
- Vietnami, një destinacion gjithnjë e më modern festiv për turistët bullgarë
- Për Bullgarinë, Vietnami është një partner i rëndësishëm
- BNR dhe Radio "Zëri i Vietnamit" ranë dakord të bashkëpunojnë përmes formave moderne të radios
- Vu Nguen – një vietnamez, i cili ka gjetur veten në Bullgari
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva