Autor
Ljubomir Kollarov
Lajm
Ambasadorja e Gjermanisë Irene Maria Plank:
Bullgaria mund të luajë një rol më të rëndësishëm në Evropë
Shtunë 26 Shtator 2026 08:57
Shtunë, 26 Shtator 2026, 08:57
Shkëlqesia e Saj, Irene Maria Plank, ambasadore e Gjermanisë në Bullgari
FOTO: Radio Bullgaria
Madhësia e shkronjave
Që nga janari i vitit 2023, Shkëlqesia e Saj Irene Maria Plank është ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Bullgari. Pas më shumë se tre vitesh në vend, ajo jo vetëm që ndjek nga afër zhvillimin e marrëdhënieve mes Sofjes dhe Berlinit, por krijoi edhe një lidhje personale me Bullgarinë. Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, ambasadorja flet për përshtypjet e saj për vendin, komunitetin gjerman, zhvillimet politike në Gjermani, luftën në Ukrainë dhe rolin e Bullgarisë në Evropë.
“Gjuha bullgare për mua është më e vështirë”
Pyetjes se çfarë është më e vështirë – të mësojë bullgarishten apo të kërcejë valle popullore bullgare, ambasadorja Plank përgjigjet pa ngurrim: bullgarishtja. Ajo e përshkruan atë si një gjuhë të ndërlikuar, me shumë histori dhe nuanca në shprehje. Në të njëjtën kohë, pranon se do të dëshironte të kishte më shumë kohë për ta mësuar atë.
Natyra e Bullgarisë i ka bërë veçanërisht përshtypje. Sipas saj, pikërisht natyra krijoi lidhjen e saj të parë emocionale me vendin. Pas natyrës vjen edhe një tjetër pjesë e rëndësishme e përditshmërisë bullgare – ushqimi.
“Mendoj se ajo që më bëri të dashurohem menjëherë me Bullgarinë ishte bukuria e jashtëzakonshme e vendit tuaj – pyjet, malet dhe bota e pasur shtazore. Natyra e saj më tërhoqi që në fillim, ndërsa më pas, sigurisht, erdhi edhe ushqimi i mirë.”
Ambasadorja e Gjermanisë në Bullgari, Irene Maria Plank, dhe gazetari Ljubomir Kollarov në studion e Radios Kombëtare Bullgare
FOTO: Radio Bullgaria
Mbi 8 mijë shtetas gjermanë jetojnë në Bullgari
Numri i saktë i shtetasve gjermanë që jetojnë në Bullgari është i vështirë të përcaktohet, pasi jo të gjithë regjistrohen pranë përfaqësisë diplomatike gjermane. Sipas ambasadores, bëhet fjalë për më shumë se 8 mijë persona.
Arsyet pse zgjedhin Bullgarinë si vendbanim janë të ndryshme. Disa kanë lidhje me partnerë bullgarë, të tjerë e kanë zbuluar vendin gjatë një udhëtimi turistik, ndërsa një pjesë vijnë për arsye profesionale. Në Sofje, ndërkohë, po zhvillohen me ritme të shpejta disa sektorë të ekonomisë, ndër të cilët edhe teknologjia e informacionit.
Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën
Sa i përket luftës në Ukrainë, ambasadorja gjermane thekson se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për Kievin. E pyetur nëse mund të gjendet një zgjidhje për konfliktin, ajo përgjigjet me buzëqeshje se kjo është “pyetja e 100 milionë dollarëve”.
“Mbështetja
jonë është njëqind për qind dhe do të vazhdojë për aq kohë sa Ukraina të ketë
nevojë për të.”
Kryeredaktori i Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov, Ljubomir Kollarov dhe ambasadorja Irene Maria Plank
FOTO: Radio Bullgaria
Bullgaria mund të luajë një rol më të madh nga sa i takon peshës së saj
Duke folur për vendin e Bullgarisë në Evropë, Plank vë theksin te pozita gjeografike e vendit. Bullgaria ka dalje në Detin e Zi dhe kufizohet me vende të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas ambasadores, pikërisht kjo pozitë i jep Bullgarisë mundësinë për të pasur një prani më të rëndësishme në proceset evropiane të vendimmarrjes. Ajo sheh potencial që vendi të luajë një rol më të madh si në BE, ashtu edhe në NATO.
“Bullgaria nuk është një nga shtetet e mëdha, por është një vend shumë i rëndësishëm, edhe për shkak të pozitës së saj gjeografike. Mendoj se Bullgaria mund të ketë një ndikim shumë më të madh nga sa do të pritej, dhe, për fat të keq, vitet e fundit nuk ka arritur ta bëjë këtë. Ajo mund të luajë një rol më të rëndësishëm si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në NATO.”
Bullgaria ka shumë arsye të jetë krenare për veten
Në fund të bisedës, ambasadorja gjermane përcjell edhe një mesazh personal për Bullgarinë. Ajo shpreson që zhvillimi ekonomik të vazhdojë dhe të shtrihet edhe në zonat rurale, si dhe që bujqësia bullgare të modernizohet. Krahas këtyre, Plank ka edhe një dëshirë më të përgjithshme për vendin – më shumë besim në aftësitë e veta.
“Do t’i uroja Bullgarisë më shumë vetëbesim, sepse ka të gjitha arsyet të jetë krenare për veten dhe të besojë në veten e saj”, thotë Irene Maria Plank, ambasadore e Gjermanisë në Bullgari.
Intervistën e plotë të Ljubomir Kollarovit me ambasadoren Plank mund ta dëgjoni në publikimin e Radio Bullgarisë në gjuhën gjermane.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova