Premte 25 Shtator 2026 10:22
Premte, 25 Shtator 2026, 10:22
FOTO: mfa.bg
Madhësia e shkronjave
Bullgaria mbështet unitetin evropian dhe, në këtë kuadër, iu bashkua deklaratës për Ukrainën të publikuar në OKB, bëri të ditur Ministria e Jashtme bullgare në një deklaratë me shkrim, raporton BTA. Më shumë se 50 shtete e nënshkruan dokumentin para mbledhjes së zgjeruar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën. Në deklaratë i bëhet thirrje Rusisë të pranojë një armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe pa kushte në Ukrainë, si dhe të nisë negociata serioze për paqen. Që nga marsi i vitit 2025, Ukraina ka pranuar një armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe pa kushte. „I bëjmë thirrje Rusisë që më në fund të bëjë të njëjtën gjë, si një hap i domosdoshëm drejt diplomacisë dhe negociatave serioze që mund të çojnë në paqe“, thuhet në deklaratë.
Sipas listës së publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Bullgaria është një nga 51 shtetet që kanë nënshkruar deklaratën. Një verifikim i BTA-së tregoi se deklaratën e kanë nënshkruar të 27 vendet anëtare të BE-së, si edhe vetë Bashkimi Evropian. Nga vendet e Ballkanit, në listë nuk figurojnë Turqia, Serbia dhe Kosova.
Ilijana Jotova
FOTO: BTA
Presidentja Ilijana Jotova publikoi në Facebook qëndrimin e saj: „Në lidhje me informacionet e publikuara për një deklaratë të përbashkët që thuhet se u nënshkrua prej meje pas mbledhjes së zgjeruar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, jam e detyruar të sqaroj disa gjëra. Së pari, kjo deklaratë nuk nënshkruhet. Ajo iu dërgua të gjitha shteteve anëtare përpara seancës në Nju Jork. Shteti bullgar nuk pati mundësi të shprehte rezervat e tij për qëndrimin e paraqitur dhe as nuk u pranuan propozimet tona për ndryshime në tekst. Për këtë arsye, unë nuk mora pjesë në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit, gjë që shihet edhe nga mungesa ime në fotografinë e përbashkët pas përfundimit të saj. Qëndrimin tim e shpreha në fjalimin tim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nuk ka zgjidhje ushtarake për Ukrainën. Paqja nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe të Rusisë“, thekson presidentja.
Lexoni më shumë mbi temën në arkivin e Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova