Autor
Cvetana Tonçeva
Lajm
Start i fuqishëm dhe program ambicioz i Operës së Sofjes për sezonin e ri të 135
Martë 29 Shtator 2026 07:00
Martë, 29 Shtator 2026, 07:00
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Madhësia e shkronjave
Festivali i Wagner-it i Operës së Sofjes është nominuar për Çmimet Ndërkombëtare të Operës (International Opera Awards), të njohura si “Oskarët e Operës”, njoftoi drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës, akad. Pllamen Kartallov, në një konferencë për shtyp më 25 shtator.
Çmimet prestigjioze, të përcaktuara nga një juri e specializuar, do të ndahen më 21 nëntor në Theater an der Wien, një nga teatrot më të bukur dhe me histori të pasur të Austrisë. Nominimi i teatrit bullgar është vetëm i dyti për një festival nga Evropa Lindore mes kandidatëve në këtë kategori.Sivjet pretenduesit për çmimin janë gjashtë. Festivali i parë i Wagner-it i Operës së Sofjes u mbajt nga 22 deri më 29 qershor 2013.
Më 28 maj 2027 pritet premiera bullgare e "Mjeshtërve këngëtarë të Nirnbergut" (“Die Meistersinger von Nürnberg”) - opera e fundit nga i ashtuquajturi “Kanoni i Bajrojtit”, që përfshin dhjetë veprat e pjekura të Richard Wagnerit, të cilat interpretohen në festivalin legjendar të Bajrojtit, themeluar nga vetë kompozitori. Premiera bullgare e kësaj vepre pritet të mbahet më 28 maj 2027.
Pllamen Kartallov, regjisori i "Mjeshtërve këngëtarë të
Nirnbergut", ndau një fakt interesant për versionin në të cilin opera do
të vihet në skenë në vendin tonë.
Akademiku Pllamen Kartallov
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
“Ky nuk është versioni, me të cilin Richard Wagneri paraqitet në mbarë botën, por varianti i Teatrit ‘La Scala’ të Milanos nga viti 1889. Pse e theksoj këtë? Në moshën fare të re 31-vjeçare për një kompozitor, pas një opere të parë të pasuksesshme, Giulio Ricordi dërgon një talent të ardhshëm të madh të belkantos italiane në Bajrojt për të ndjekur ‘Mjeshtrit këngëtarë’ dhe për të përgatitur një redaktim të vogël, që vepra të ishte më e pranueshme për publikun italian. Giulio Ricordi bleu të drejtat e Wagnerit dhe porositi që kjo të bëhej vetëm për Teatrin ‘La Scala’. Ky gjeni i ardhshëm i ri shkroi më 18 gusht 1889 një letër një miku të tij, ku tregonte se po nisej për në Bajrojt. Premiera, çuditërisht pas një kohe shumë të shkurtër, u mbajt më 26 dhjetor 1889. Emri i këtij kompozitori ishte Giacomo Puccini”.
Pllamen Kartallov theksoi se versioni i operës nga viti 1889 nuk është vënë në skenë askund deri më sot. Pas teatrit "La Scala" në Milano, ky version i shkurtuar me rreth 1 orë e 30 minuta do të prezantohet në vitin 2027 në Operën e Sofjes.
"Agrippina"
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Sezoni i ri sjell edhe surpriza të tjera për adhuruesit e operës. Hapja zyrtare do të jetë më 1 tetor me "Carmina Burana" të Karl Orff, në një interpretim koncertal nën dirigjimin e maestros së njohur izraelit Daniel Oren. Më 27 nëntor do të jepet premiera e operës së Handelit "Agrippina", një tjetër premierë për Bullgarinë. Prodhimi është një bashkëpunim me Festivalin Handel në Halle (Händel-Festspiele), ndërsa dirigjent do të jetë gjermani Konstantin Trinks, shumë i pëlqyer nga publiku bullgar.
"Vajza e regjimentit" (“La fille du regjiment”), një operë e Gaetano Donizettit pak e njohur në Bullgari, do të vihet në skenë në fund të marsit 2027 në një produksion historik të Franco Zeffirellit nga Palermo, me dekore me vlerë të jashtëzakonshme, për përdorimin e të cilave Opera e Sofjes ka marrë leje të posaçme. Regjisori i kësaj ngjitjeje skenike në Sofje do të jetë italiani Marco Gandini, i cili vitin e kaluar vuri në skenë operën "Falstaff" të Verdit në Operën e Sofjes.
Drejtoresha e Trupës Kombëtare të Baletit, Marta Petkova, prezantoi programin e sezonit të ri. Ai nis me një gala-spektakël në Stara Zagora, ndërsa hapja zyrtare do të bëhet më 8, 10 dhe 11 tetor me veprën e mrekullueshme të Sergei Prokofievit "Romeo dhe Zhulieta".
Pas një sezoni veror shumë të suksesshëm për trupën e baletit, përgatitjet për angazhimet e reja janë në kulm dhe provat po zhvillohen me ritme intensive.
Marta Petkova
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
"Filluam që në mesin e shtatorit dhe mund të them se artistët u kthyen në sallat e provave shumë të motivuar dhe plot energji. Që ditën e parë nisëm provat, sepse na pret një gala baleti në Stara Zagora, i cili do të jetë edhe angazhimi i parë i trupës sonë këtë sezon", tha ajo.
Për adhuruesit e balerinës së shkëlqyer Marta Petkova, vlen të theksohet se
ajo do të interpretojë rolin e Zhulietës më 11 tetor.
"Romeo dhe Zhulieta"
FOTO: Opera dhe Baleti i Sofjes
Një tjetër sfidë për trupën është premiera e re "Tri fytyra", e planifikuar për më 4 mars 2027. Tre "fytyrat" janë tre koreografë të mëdhenj të shekujve XX dhe XXI: George Balanchine, Jiří Kylián dhe Garrett Smith.
Marta Petkova theksoi se veprat e Jiří Kyliánit nuk janë prezantuar kurrë më parë në Bullgari. Me këtë produksion do të shënohet edhe 80-vjetori i koreografit, të cilin ajo e cilësoi si "koreografin më të madh të gjallë në botë në këtë moment".
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva