Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Në Vietnam ka mijëra miq të Bullgarisë
Hristina Stoimenova: “Atje më prekën me dashurinë dhe njohjen që kishin për vendin tim”
Dielë 4 Tetor 2026 09:05
Dielë, 4 Tetor 2026, 09:05
FOTO: arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Sot pikënisja e udhëtimit me Radio Bullgarinë është Vietnami, jo për të kërkuar paralele mes fatit të dy vendeve si pjesë e bllokut socialist, i cili, megjithëse u shpërbë në Evropë, vazhdon të ketë themelet e veta në këtë pjesë të Azisë.
Nga historia e afërt e Vietnamit dimë se, pavarësisht luftës shkatërrimtare deri në vitin 1975, reformat që pasuan e shndërruan këtë vend me shumë milionë banorë në një nga shtetet me zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe më tërheqëset për investimet e huaja. Pas vitit 1995, vendi ruajti monopolin politik, por hapi dyert për iniciativën private, biznesin familjar dhe mekanizmat e tregut. Që atëherë e deri më sot, Vietnami është në një periudhë ngritjeje ekonomike, ndërsa vizitat në Hanoi të presidentëve të SHBA-së apo të Kinës janë dëshmi e rëndësisë së Vietnamit si partner dhe faktor i pazëvendësueshëm në hartën e Azisë. Karakteristikë e politikës së jashtme të vendit është diplomacia e njohur si “shkopi i bambusë”, fleksibile, por njëkohësisht shumë e qëndrueshme ndaj ndikimeve të jashtme.
Shtrirja e gjatë tokësore përgjatë bregut perëndimor të Detit të Kinës Jugore, gjiret e gjera, tarracat e pafundme me oriz dhe natyra ekzotike e kthejnë Republikën Socialiste të Vietnamit në një parajsë të vërtetë për turistët, përfshirë edhe ata nga Bullgaria.
Ish-studentët bullgarë të Shoqatës së Miqësisë me Bullgarinë në Hanoi
FOTO: sbj-bg.eu
Megjithëse të ndara nga mijëra kilometra, lidhjet midis shtetit aziatik dhe Bullgarisë mbeten të gjalla dhe kalojnë përmes fatit të qindra vietnamezëve, të cilët në gjysmën e dytë të shekullit XX kanë ardhur në Bullgari për periudha më të gjata, për punë ose studime. Sot ata jo vetëm që flasin gjuhën bullgare, por gjithashtu shikojnë filma bullgarë, dëgjojnë muzikën e estradës bullgare dhe madje në shtëpitë e tyre shpesh kanë të varur një hartë të Bullgarisë. Shpesh bëhet fjalë për njerëz që kanë kaluar rininë e tyre në Bullgari. Diploma bullgare e fituar gjatë periudhës së socializmit u hapte mundësi për zhvillim profesional në Vietnamin socialist, vend mik me Bullgarinë. Edhe pse nga ana fetare dhe kulturore dy vendet ndryshojnë shumë, të rinjtë vietnamezë morën me vete kujtimin e trëndafilit bullgar, të kostumeve të bukura popullore, të ushqimit të shijshëm dhe, në përgjithësi, të kulturës bullgare.
Sot rrallë shohim turistë vietnamezë në Sofje, por kujtimi për Bullgarinë në Vietnam është aq i ngrohtë dhe i gjallë, saqë “vietnamezët bullgarë” arrijnë ta prekin dhe emocionojnë me këto rrëfime edhe një bullgare, e cila ka zgjedhur Azinë si shtëpinë e saj të dytë.
FOTO: canapeconnection.bg
Hristina Stoimenova është nga Sofja, por shpirti i saj aventurier dhe aktiviteti profesional si instruktore fitnesi e çuan në Azi. Pandemia e Covid-19 e gjeti në Vietnam dhe, për shkak të kufizimeve, ajo u detyrua të qëndronte atje për dy vjet. Pikërisht atëherë dëgjoi për herë të parë fjalët: "Mos harro se këtu në Vietnam ti gjithmonë ke një shtëpi të dytë!".
Kjo është lidhja e fortë që e kthen çdo vit te “vietnamezët bullgarë”. Aktualisht Kristina ndodhet në Bullgari, por shpreson që në fund të vjeshtës ta zhvendosë sërish punën dhe jetën e saj në Azinë Juglindore, dhe përsëri në Vietnam:
“Si njeri që e do udhëtimin, ky është vendi që më ka prekur më shumë dhe mund të them se është shtëpia ime e dytë. Për herë të parë shkova atje në vitin 2019, kur dashuria ime për sportin më çoi në Vietnam. Gjatë pandemisë, qëndrova atje plot dy vjet pa u kthyer asnjëherë në Bullgari. Ishin vite të mrekullueshme, të mbushura me kujtime të shumta.
Pavarësisht vështirësive, si pamundësia për të qenë pranë familjes dhe të afërmve apo shqetësimi për ta, kam hasur aq shumë ngrohtësi, respekt, gëzim dhe pozitivitet nga njerëzit në Vietnam, sa ishte vërtet një përvojë e jashtëzakonshme. Më vonë madje e pata të vështirë të riambientohesha dhe të kthehesha në Bullgari. Tani gjysmën e vitit e kaloj këtu, ndërsa gjysmën tjetër në Azinë Juglindore.
Atje ekziston një komunitet jo i vogël vietnamezësh që gjatë kohës së luftës kanë qenë në Bullgari. Ata kanë punuar në fabrikat dhe ndërmarrjet tona, kanë studiuar në institucionet tona arsimore dhe kanë ruajtur një kujtim jashtëzakonisht të çmuar për atdheun tonë, Bullgarinë.
Edhe sot e kësaj dite mblidhen bashkë, qepin kostume popullore bullgare, këndojnë këngë popullore bullgare dhe kërcejnë nën tingujt e muzikës folklorike bullgare. Janë miq të dashur dhe besnikë të Bullgarisë. Me kalimin e kohës u bënë edhe miq shumë të afërt dhe të çmuar për mua.
“Dhe sa herë që jam pranë tyre, vishemi me kostume popullore bullgare dhe fillojmë të bëjmë regjistrime. Këndojmë, vallëzojmë dhe të gjithë pyesin për Bullgarinë. Sa herë që i vizitoj, u sjell kaçkavall, djathë dhe raki. Vërtet dinë të argëtohen. Dhe në mbarë Vietnamin mund të hasësh të njëjtin përkushtim dhe dashuri ndaj Bullgarisë.”
Përshtypjet e Kristinës lidhen kryesisht me qytetin Ho Shi Min në pjesën jugore të këtij vendi me 100 milionë banorë, ku jetojnë miqtë e saj të shtrenjtë, xhaxhai Trang dhe xhaxhai Niki.
"Ata e duan shumë kuzhinën bullgare dhe e ruajnë Bullgarinë në zemrat e tyre me një dashuri kaq të thellë, saqë për mua si bullgare kjo është jashtëzakonisht frymëzuese. Mendoj se kemi shumë nevojë ta dimë se ka vende në botë ku na respektojnë dhe na vlerësojnë si komb", vazhdon rrëfimin e saj Kristina Stoimenova:
FOTO: BTA
“Qyteti Ho Shi Min është qendra kryesore tregtare e Vietnamit. Është një qytet multikulturor. Atje jetojnë rreth 10 milionë banorë dhe ka shumë të huaj. Për rrjedhojë, ka shumë njerëz nga fusha ime, që vijnë nga e gjithë bota dhe kanë shkuar atje për t’u zhvilluar profesionalisht. Pikërisht atje fitova shumë përvojë në punën time me njerëzit.
Unë e ushtroj profesionin tim me shumë dashuri dhe përkushtim, duke dhënë mësime joge në qendra fitnesi kur jam këtu në Bullgari. Ndërkaq, 90% e njerëzve në Vietnam i përkasin budizmit. Në budizëm, meditimi është i lidhur ngushtë me fenë dhe mund të thuhet edhe me një rrymë filozofike. Kjo është një nga arsyet pse njerëzit atje janë zakonisht shumë të buzëqeshur, pozitivë, miqësorë dhe jashtëzakonisht vlerësues ndaj talentit të të tjerëve.
Ata janë gjithashtu shumë të bashkuar si shoqëri. Ajo që kam mësuar prej tyre është pikërisht kjo vëllazëri, ky unitet, kjo mbështetje e ndërsjellë, dashuri dhe shkëmbim i energjisë pozitive. Përveç kësaj, atje dy herë në javë jepja mësim anglishteje në shkolla dhe kopshte shtetërore, gjë që më lejoi të njihesha edhe më nga afër me kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës. Kuptova se ata i kushtojnë shumë rëndësi familjes dhe kujdesen për njëri-tjetrin. Ky është një vend që ka përjetuar një zhvillim të vrullshëm gjatë 45 viteve të fundit. Sipas mendimit tim, kjo i detyrohet edhe unitetit të tyre si komunitet. Edhe sot të rinjtë atje nuk kanë dëshirë të largohen nga vendi i tyre për t'u zhvilluar diku jashtë. Kjo sepse kanë vërtet një numër të pakufizuar mundësish në dispozicion. Natyrisht, ka shumë studentë vietnamezë që shkojnë të studiojnë, për shembull, në Kanada ose Australi, të cilat janë ndër destinacionet e tyre të preferuara. Por më pas ata kthehen sërish në atdheun e tyre dhe nuk e braktisin atë."
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva