Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
“Ndalo, mos ik…” – hiti i Mitko Shterevit që mbijetoi filmin “Adaptimi”
Premte 2 Tetor 2026 06:53
Premte, 2 Tetor 2026, 06:53
FOTO: Facebook /Български филми
Madhësia e shkronjave
“Adaptimi”, e njohur sidomos nga vargu i parë i saj, “Ndalo, mos ik…”, është një nga këngët më të dashura të krijuara për kinemanë bullgare. Kënga është pjesë e filmit “Adaptimi”, një dramë televizive në tri seri, e realizuar në vitin 1979 nga regjisori i njohur bullgar Vëllo Radev (1923–2001). Në qendër të historisë, me skenar të Rajna Tomovës dhe Vëllo Radevit, është një klinikë për pacientë me probleme të shëndetit mendor. Ajo që i bashkon pacientët është frika – nga njerëzit, nga dashuria, nga jeta dhe nga vdekja. Në klinikë është e shtruar edhe Veronika, një grua e re dhe e bukur. Psikiatri i ri, doktor Bankov, u kushton pacientëve pothuajse të gjithë kohën e tij dhe shfrytëzon një metodë që për kohën ishte e pazakontë: psikoterapinë në grup. Gjatë seancave, secili prej pacientëve duhet të ndajë frikat e veta dhe të përpiqet të flasë, të veprojë dhe të ndiejë pa frikë. Por Veronika, ndryshe nga të tjerët, nuk arrin të përballet me veten. Ndërkohë, ajo bie në dashuri me doktorin. Dhe pikërisht kjo ndjenjë bëhet çelësi për të kuptuar dramën e saj të brendshme. Në vitet ’70 të shekullit të XX-të, të flisje për dhunën ndaj individit dhe për mungesën e perspektivës që përballnin të rinjtë – të brishtë, të pambrojtur dhe që nuk donin t’i përshtateshin sistemit – ishte më shumë se e guximshme: ishte skandaloze. Filmi u pa si një metaforë për shoqërinë bullgare të kohës dhe ngjalli reagime të forta te publiku dhe institucionet. Këto të fundit këmbëngulnin që njerëzit të silleshin në përputhje me atë që kërkonte sistemi. Edhe personazhi i doktor Vllado Bankovit kishte një prototip real: Georgi Kamenov (1942–2006), një nga pionierët e psikoterapisë në grup në Bullgari. Që në fillim të viteve ’70, ai kishte nisur të drejtonte grupet e para të psikoterapisë në Sofje.
Ideologjia sunduese e asaj kohe e cilësonte psikoterapinë dhe psikanalizën si “borgjeze dekadente”. Edhe para se filmi të dilte në ekran, doktori Kamenov iu nënshtrua presioneve dhe poshtërimeve. Grupet psikoterapeutike u ndërprenë dhe mjeku u detyrua të emigronte.
Në vitin 1979, “Adaptimi” fitoi disa çmime kombëtare, ndër të tjera për regjinë dhe mjeshtërinë e operatorit. Edhe aktorja që luan rolin kryesor femëror, Eli Skorçeva, u vlerësua me çmimin për debutim nga Lidhja e Kineastëve Bullgarë. Por më pas drama u hoq në mënyrë skandaloze nga ekranet, ndërsa regjisori Vëllo Radev u detyrua të jepte shpjegime para Komisionit për Kulturën të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare. “Adaptimi”, në versionin kinematografik të vitit 1981, është vepra e tij e fundit. Pas tij, Vëllo Radev nuk realizoi më filma – qoftë për arsye ideologjike, qoftë për shkak të një tragjedie familjare: në një aksident humbi jetën djali i tij i vetëm. Ndërsa rreth “Adaptimit” vazhdonin të shtoheshin polemikat, muzika e filmit nisi të jetonte një jetë më vete.
Në vitin 1979, 33-vjeçari Mitko Shterev ishte tashmë një kompozitor dhe pianist i njohur. Ai ishte themeluesi i grupit të njohur të rokut “Diana Ekspres”, autor i aranzhimeve muzikore dhe i dhjetëra këngëve të njohura. Sot, Shterev njihet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm bullgarë të muzikës së filmit. Të paharrueshme janë partiturat që ai krijoi për filma të suksesshëm si “Dubluesi”, “Shpirtra të dënuar”, “Kombina”, “Një britmë për ndihmë” dhe “E dashura ime, i dashuri im”. Talenti i jashtëzakonshëm melodik i këtij kompozitori tërheq vëmendjen mbi të gjitha me romantizmin e tij të parezistueshëm, me butësinë, sentimentalizmin dhe ndjeshmërinë që prekin edhe pragmatistin më të pandjeshëm.
Në këngën e filmit “Adaptimi”, ky talent i jashtëzakonshëm muzikor takohet me vargjet e Ivan Pejçevit (1916–1976). I cilësuar si “poet gjigant” dhe “princi i poezisë”, Pejçevi konsiderohet një nga lirikët më të hollë dhe më delikatë të mjeshtërve të fjalës në letërsinë bullgare. E përshkruajnë si: “poet me gozhdë të arta në buzë”, “romantik i kulluar dhe bohem, bard i jashtëzakonshëm i skandalit dhe rebelimit, mburojë kundër dhunës, vulgaritetit dhe demagogjisë në jetë dhe në art”; si një njeri me “zakone të pazakonta, një lloj korbi të bardhë”; “të gjatë, të hollë, që çalonte si Remboja, flokëgjatë, të papunë dhe jopraktik, me një ndërthurje të pashoqe të brutalitetit dhe butësisë, guximit dhe ëmbëlsisë, shthurjes dhe ndrojtjes”. Edhe pse në kohën kur po xhirohej “Adaptimi”, Pejçevi kishte tre vjet që kishte ndërruar jetë, vargjet e tij ishin aq të njohura, sa Vëllo Radevi përfshiu disa prej tyre në skenar – të recituara nga personazhet e filmit.
“Do të më marrë malli për duart e tua”, “nën ura nuk rrjedhin më lumenj”, “portet janë të heshtura si shkretëtira” – mungesa e njeriut të dashur e ndryshon vetë realitetin. Këngëtari i madh bullgar i muzikës pop, Vasil Najdenov, shfaqet në këtë rrëfim me një ndjeshmëri dhe brishtësi të jashtëzakonshme. “Jo, mos ik!” është njëkohësisht një deklaratë dashurie dhe frika nga ndarja. Filmi “Adaptimi” rrëfen frikën për të qenë vetvetja, ndërsa kënga me të njëjtin titull flet për frikën e humbjes së njeriut që dashuron.
Pa dyshim, “Ndalo, mos ik…” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e filmit, ndërsa interpretimi i Vasil Najdenovit dhe “Diana Ekspres” vazhdon të jetë edhe sot një klasik i artë i muzikës pop bullgare.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova