Bullgarët në Maqedoni kundërshtojnë përfshirjen me kusht në Kushtetutë

Premte, 2 Tetor 2026, 09:32

Bullgarët në Maqedoni kundërshtojnë përfshirjen me kusht në Kushtetutë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Përfaqësues të organizatave bullgare në Maqedoninë e Veriut u dëgjuan nga Komisioni Parlamentar për Politikat ndaj Bullgarëve Jashtë Vendit. Para deputetëve, ata paraqitën një deklaratë proteste kundër idesë që bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut vetëm me kusht, duke e shtyrë zbatimin e kësaj dispozite për një periudhë të mëvonshme. Përfaqësuesit e organizatave bullgare theksuan se përfshirja e tyre vetëm në preambulën e Kushtetutës, pa u përfshirë edhe në ligjet që përcaktojnë të drejtat e komuniteteve, nuk do të përmbushte angazhimin e marrë.

“Ne meritojmë të njëjtat të drejta si komunitetet e tjera dhe nuk duam të vazhdojmë të trajtohemi si qytetarë me më pak të drejta”, deklaroi para deputetëve Marinella Petreska, kryetare e Shoqatës për Miqësi Maqedono-Bullgare në Manastir. “Për ne, kjo do të nënkuptonte edhe disa vite të tjera pa mbrojtje kushtetuese. Gjatë kësaj kohe, bullgarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mbeteshin të ekspozuar ndaj diskriminimit, gjuhës së urrejtjes, ndjekjeve penale dhe sulmeve fizike për shkak të identitetit të tyre kombëtar. Ne nuk jemi objekt negocimi dhe nuk mund të presim pafundësisht. Meritojmë të njëjtat të drejta si komunitetet e tjera dhe nuk pranojmë të vazhdojmë të jemi në pozitë të pabarabartë”, tha Petreska.

Bullgarët në Maqedoninë e Veriut u bëjnë thirrje institucioneve bullgare dhe Bashkimit Evropian që të mos lejojnë shmangien ose anashkalimin e kushteve për të cilat është rënë dakord. Disa prej deputetëve e mbështetën deklaratën dhe u shprehën se të drejtat e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut duhet të mbrohen në këtë mënyrë, raportoi Dobrina Karambollova për programin “Horizont” të Radios Kombëtare Bullgare.

Lexoni më shumë mbi temën:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova