Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Perëndimi dhe agimi i ringjallur i carit bullgar Samuill
Shtunë 3 Tetor 2026 03:47
Shtunë, 3 Tetor 2026, 03:47
Monumenti i mbretit Samull në Sofje
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Më 6 tetor 1014, në
Prespë, vdiq një nga sundimtarët më të shquar të Bullgarisë mesjetare, cari
Samuill. Komandant ushtarak që kaloi dekada të tëra në luftë kundër Bizantit
dhe sundimtar, fati tragjik i të cilit shënoi fundin e Shtetit të Parë Bullgar.
Jeta e tij përfundoi në mënyrë dramatike, por ai ruan një vend madhështor në
kujtesën historike bullgare.
Si udhëheqës ushtarak
dhe sundimtar, jeta e Samuilit në fund të shekullit X dhe në fillim të
shekullit XI kaloi në luftë të pandërprerë për mbrojtjen e shtetit bullgar nga
Bizanti.
Sipas burimeve bizantine,
zemra e Samuilit nuk e përballoi pamjen
e ushtrisë bullgare të verbuar nga perandori Vasili II.
“Duhet të themi se
ajo fillon edhe para shfaqjes së tij dhe është ndoshta lufta më e gjatë
bullgaro-bizantine në Ballkan. Ajo zgjat gjysmë shekulli, por për rreth 40 vjet
prej saj pikërisht Samuili është ai që udhëheq si popullin, ashtu edhe ushtrinë
dhe shtetin”, tregon për Radio Bullgarinë prof. Georgi Nikollov, pedagog i
historisë mesjetare bullgare në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”.
FOTO: Ivo Ivanov
“Për Samuilin, historiani bizantin Joan Skilica thotë: ‘Ai ishte një njeri luftarak, që nuk njihte qetësi.’ Diçka e ngjashme ndeshet edhe në jetën e Shën Nikon Metanoitit. Aty thuhet se ‘Samuili ishte i pakrahasueshëm për guximin dhe i pathyeshëm për forcën’. Këto janë tiparet që japin përfytyrimin më të qartë për të dhe, vërtet, Samuili vdes në vitin 1014. Megjithatë, shohim se për të flet edhe car Kallojani në letrat e tij drejtuar Papës Inoçenti III në fillim të shekullit XIII.
Pak më vonë, një autor bizantin, hartofilaksi (bibliotekar) i Selanikut, Joan Stavraki, në një fjalim lavdërues për Shën Dhimitrin, do të thotë: ‘Ai Samuill, që është ende në gojën e bullgarëve.’ Kjo ndodh 200 vjet më vonë dhe sërish shohim se Samuili përmendet në disa përkthime bullgare të kronikave bizantine, veçanërisht në kronikën e Konstandin Manasit, ku janë shtuar edhe plotësime bullgare. Edhe aty Samuili zë një vend shumë të rëndësishëm”, shton profesori.
Monumenti i carit Samuil në Parkun Kombëtar-Muze “Kalaja e Samuilit” pranë fshatit Klyç
FOTO: petrichhistorymuseum.bg
Studiuesit përmendin arsye të ndryshme që çuan në rënien e Shtetit të Parë Bullgar (681-1018). Ndër to veçohen luftërat e carit Simeon (893-927), të cilat e rraskapitën vendin në përballjen e tij me Bizantin. Perandoria Romake e Lindjes mbetej ende një kundërshtar i fuqishëm, i vendosur fort në dy kontinente.
Situatës së pafavorshme në Evropë iu shtua edhe konflikti brenda elitës sunduese bullgare. Aroni, vëllai i Samuilit, hyri në negociata të fshehta me pushtuesit dhe gjakderdhja që pasoi midis dy familjeve vazhdoi edhe pas rënies së shtetit.
Së fundi, humbja në zonën e Klyçit (Kleidionit), ku ushtria bullgare prej rreth 14 mijë ushtarësh u zu rob dhe më pas u verbua, u bë vendimtare për rezultatin e përballjes midis Bullgarisë dhe Bizantit.
Humbja e ushtrive bullgare në Betejën e Klyçit dhe vdekja e carit Samuill para ushtarëve të tij të verbuar (miniaturë nga një kopje e Kronikës së Manasit, shek. XIV)
FOTO: petrichhistorymuseum.bg
Sipas historianit, “epoka e carit Samuill ka
mbetur në kujtesën e popullit bullgar si gjatë Mesjetës, ashtu edhe në kohët më
të reja. Megjithatë, ekziston një dallim i caktuar: gjatë 100-150 viteve të
fundit është vënë theks shumë i fortë mbi verbimin e ushtrisë së tij dhe
vdekjen që pasoi. Kjo vuajtje e madhe, që ai përjetoi dhe që çoi në vdekjen e
tij, ka mahnitur jo pak krijues të letërsisë artistike.”
"Perëndimi dhe agimi i ringjallur i carit bullgar Samuil" – "Luftëtarët e Samuilit", pikturë nga Vasill Goranov
FOTO: Facebook /Vasil Goranov
Prof. Georgi Nikollov mendon se përmes qëndresës së tij këmbëngulëse, cari Samuill nuk është vetëm simbol i perëndimit të Shtetit të Parë Bullgar, por edhe një agim frymëzues për brezat e ardhshëm, të cilët rivendosën një Bullgari të lirë.
“Ka diçka të jashtëzakonshme në historinë tonë, të cilën duket se pak njerëz e vënë re. Nëse shqyrtohen me kujdes disa burime bullgare të shekujve XI-XII, do të shihet se në to sundimtarët bizantinë të tokave bullgare jugperëndimore quheshin carë bullgarë. Kjo do të thotë se, sipas përfytyrimit të historianëve bullgarë të asaj kohe (nëse mund t’i quajmë kështu, në një kuptim shumë të kushtëzuar), shteti vazhdonte të ekzistonte, megjithëse nën pushtetin e njerëzve të tjerë. Edhe më e habitshme është se ky shtet, pas afro 170 vjetësh, u rivendos sërish. Dhe nëse vazhdojmë më tej, historia jonë pas rënies nën sundimin osman, pas 500 vjetësh robëri, përsëri çon në ringritjen e shtetit. Sa popuj kanë një shembull të tillë, që shteti i tyre të mbijetojë e të rilindë vazhdimisht si zogu Feniks?”
Bazilika “Shën Ahili” në ishullin me të njëjtin emër në Liqenin e Vogël të Prespës, ku u zbulua varri i carit Samuill
FOTO: bgsleda.com
Cari Samuill është varrosur në Prespë, në kishën me të njëjtin emër në ishullin Shën Ahill (sot në territorin e Greqisë). Aty, në vitin 1969, arkeologu grek Nikolaos Moutsopoulos zbuloi eshtrat e sundimtarit bullgar, të cilat më 3 tetor do të gjejnë prehjen e tyre të fundit në kryeqytetin e sotëm të Bullgarisë, Sofje.
- Sofja dhe Athina ranë dakord për kthimin e ndërsjellë të relikteve historike
- Greqia
do t’ia kthejë Bullgarisë eshtrat e mbretit Samuill
Sot, dy liqenet e Prespës janë një rezervat natyror i paprekur, ku mes pelikanëve dhe peshqve, në ishull, kullosin qetësisht lopët në një peizazh pastoral. Ndoshta një ditë, arkeologët grekë dhe bullgarë do të ndërmarrin aty kërkime të reja, të cilat do të zbulojnë themelet e pallateve mbretërore.
Ishulli Shën Ahil në Liqenin e Vogël të Prespës
FOTO: Merim Tenev
“Ka disa studime më të vogla të veçuara”, kujton prof. Nikollov dhe i rikthehet historisë:
“Në kohën e kryengritjes së Georgi Vojtehut në vitin 1072, kemi dëshmi se pushteti bizantin përdori mercenarë perëndimorë kundër kryengritësve bullgarë. Në këto burime përmendet se alemanët dhe frankët sulmuan pallatet në Prespë dhe i shkatërruan ato, si edhe bazilikën ‘Shën Ahili’, duke plaçkitur sendet e saj me vlerë, enët kishtare, ikonat dhe gjithçka tjetër që mundën të merrnin. Madje përshkruhet se si një kryqtar mori disa objekte dhe më pas u ndëshkua nga Zoti, etj. Prandaj një pjesë e madhe e këtyre artefakteve është shkatërruar. Megjithatë, kjo është çështje marrëveshjeje, mjafton të ketë vullnet dhe iniciativë nga të dyja palët. Shkencëtarët tanë nga Universiteti i Sofjes, si edhe ata që unë njoh nga Universiteti i Selanikut, mund të bien dakord për një bashkëpunim të tillë dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët në studimin e një objekti si ishulli Shën Ahil në Liqenin e Vogël të Prespës. Kjo do të ishte shumë e dobishme për ne.”
FOTO: Merim Tenev
Sot, mes rrënojave të kishës “Shën Ahili”, ende shtrohet pyetja se çfarë ka mbetur nga koha e car Samuilit. Përgjigjja nuk gjendet vetëm në zbulimet arkeologjike, por edhe në kujtesën për sundimtarin, emri i të cilit është një nga simbolet e shtetësisë bullgare.
Një dokumentar televiziv i realizuar nga Ivo
Ivanov në vitin 2015, me rastin e krijimit të statujës së sundimtarit bullgar
në Sofje, zbulon momente interesante nga rindërtimi i pamjes së car Samuilit:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva