Lajm
Kryeministri e cilësoi të papranueshëm sulmin me dronë ndaj anijeve
Martë 6 Tetor 2026 12:29
Martë, 6 Tetor 2026, 12:29
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Rreth orës 03:00, dy anije janë sulmuar me dronë në ujërat e zonës ekonomike të Bullgarisë. Ky është një sulm absolutisht i papranueshëm dhe një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe e rregullave të lundrimit detar, deklaroi kryeministri Rumen Radev.
“Njëra anije, e cila lundronte nën flamurin e Togos,
është fundosur. Edhe anija e dytë është goditur dhe në bord ka shpërthyer një
zjarr. Ekuipazhi i saj ka arritur të evakuohet dhe është shpëtuar nga anija
bullgare ro-ro ‘Dioskuria’, e cila ndodhej në zonë. Ekuipazhi i ‘Dioskurias’ pa
shpërthimin në anijen e parë dhe u drejtua menjëherë drejt vendngjarjes. Aty u
gjetën një varkë e përmbysur dhe jelekë shpëtimi, por nuk u gjetën anëtarë të
ekuipazhit të anijes së fundosur”, tha kryeministri.
FOTO: vesselfinder.com
Anija e ngarkuar me grurë po lundronte drejt jugut. Anija e dytë, me ngarkesë të panjohur, po lundronte drejt veriut, sqaroi më tej kryeministri. Ekuipazhi i shpëtuar prej 18 personash u evakuua me mjete lundruese të Policisë Kufitare. Njëmbëdhjetë prej tyre janë shtetas turq, ndërsa shtatë janë shtetas indianë. Dy nga të shpëtuarit janë plagosur rëndë, njëri prej tyre është kapiteni i anijes, dhe janë shtruar në Spitalin Ushtarak në Varna.
“Kam deklaruar prej kohësh se nëse kësaj lufte nuk i jepet fund, pasojat do të jenë shumë të rënda. Po shkelen të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe po sulmohen anije civile. Ka edhe një anije të goditur pranë Odesës që në gusht, e cila vazhdon të jetë në lëvizje të pakontrolluar. Ne po monitorojmë nëse ajo mund të hyjë në ujërat tona territoriale dhe, nëse afrohet pranë brigjeve tona, do të veprojmë menjëherë. Nuk do të lejojmë që bregdeti bullgar të rrezikohet nga anije të braktisura që lëvizin pa kontroll”, deklaroi Radev.
Ndërkohë, operacioni për kërkimin e ekuipazhit të anijes tjetër vazhdon. Një avion Su-25 do të kryejë zbulim ajror për të kërkuar të mbijetuar, njoftoi Ministri i Mbrojtjes, Dimitër Stojanov.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva