Autor
Cvetana Tonçeva
Dielë 11 Tetor 2026 11:00
Dielë, 11 Tetor 2026, 11:00
FOTO: Ani Petrova
Madhësia e shkronjave
Nga sheshi i fshatit deri në skenën e madhe të koncerteve – prej shekujsh gajdja bullgare shoqëron këngë, festa dhe rite. Sot ajo nuk është vetëm një nga instrumentet popullore bullgare më të dallueshme, por edhe një traditë e gjallë, e njohur nga UNESCO.
I fuqishëm, i dendur, i pasur dhe emocionues, zëri i gajdes është pjesë e kujtesës tingullore të Bullgarisë. Për ne, bullgarët, ajo është simbol i shtëpisë dhe i vendlindjes. Tingulli i saj, për shekuj me radhë, ka qenë pjesë e pandashme e jetës sonë festive dhe rituale. Sot gajdja nuk është vetëm pjesë e trashëgimisë sonë folklorike, por edhe një nga emblemat më të spikatura të kulturës bullgare.
FOTO: Bozhidar Çollakov
Punimi i gajdes dhe aftësia për t’i rënë këtij instrumenti janë një art i përcjellë brez pas brezi. Ne e perceptojmë atë si një instrument tradicional të Bullgarisë, por ajo nuk është një fenomen bullgar. Forma e njohur e gajdes është e përhapur gjerësisht në Evropë që nga Mesjeta. Pothuajse çdo komb evropian ka zhvilluar variantin e vet të instrumentit, ndërsa instrumente të ngjashme me të gjenden edhe në pjesë të tjera të botës. Sot gajdja është veçanërisht e përhapur në Ballkan – në Bullgari, Serbi, Maqedoni, Greqi, Shqipëri dhe Turqi. Në Skoci ajo është simbol i identitetit kombëtar. Të njohura mirë janë edhe gajdet tradicionale irlandeze dhe spanjolle. Instrumenti është i përhapur gjithashtu në Afrikën e Veriut, Azinë Perëndimore dhe Kaukaz.
FOTO: Radostina Çernokova
Historia e gajdes është e lashtë dhe e vështirë për t’u gjurmuar. Mendohet se instrumentet e para të ngjashme me të janë shfaqur të paktën 1000 vjet para Krishtit, por disa burime përmendin edhe gjashtë mijëvjeçarë para erës së re. Ka dëshmi se perandori romak Neroni – një adhurues i pasionuar i muzikës dhe teatrit – i binte gajdes, por në Romë gajdja në fakt u soll nga Greqia e Lashtë, ndërsa grekët me sa duket e morën atë nga hititët. Sipas studiuesve, instrumenti ka qenë pjesë e artit muzikor të trakëve të lashtë. Madje edhe „babai i historisë“ – Herodoti, ka shkruar se ky popull e përdorte gajden „vetëm për lavdërim“.
Gajdja bullgare është një instrument frymor me shakull, i cili përbëhet nga shakulli, fryrësi, gajdunica, ruchilo, pipëzat dhe kokat. Shakulli tradicionalisht prodhohet nga lëkura e përpunuar e kecit ose e qengjit dhe shërben si rezervuar për ajrin. Nëpërmjet fryrësit, gajdexhiu e fut ajrin në shakull, ndërsa me ndihmën e bërrylit rregullon presionin e ajrit. Gajdunica është pjesa melodike e instrumentit. Në të ndodhen vrimat për gishtat, nëpërmjet të cilave krijohen lartësi të ndryshme të tingullit. Ruçilo krijon tingullin e pandërprerë, të ulët dhe bazë, mbi të cilin zhvillohet melodia dhe që i jep gajdes tingullin e saj karakteristik. Veçanërisht të rëndësishme janë pipëzat – pajisje të vogla me gjuhëz, të cilat e shndërrojnë rrjedhën e ajrit në tingull.
FOTO: Ani Petrova
Punimi i instrumentit kërkon mjeshtëri të lartë. Pjesët prej druri tradicionalisht bëhen nga thani, kumbulla dhe drurë të tjerë të fortë, ndërsa akordimi kërkon saktësi dhe përvojë. Një gajde e mirë është rezultat jo vetëm i materialeve, por edhe i aftësive të mjeshtrit.
Në traditën muzikore bullgare njihen gajdja xhura (e vogël) dhe gajdja kaba (e madhe), ndërsa në rajonet jugperëndimore haset edhe gajdja maqedonase. Gajdja xhura ka një tingull më të lartë, të qartë dhe të fuqishëm. Ajo është e përhapur në të gjithë Bullgarinë – në Mizie, Deliorman, Dobruxha, në zonat malore të Ballkanit, Sredna Gora, Trakiën Veriore, Lindore dhe Perëndimore, Stranxha, Shopllëk, Graovo, trevat perëndimore dhe Maqedoninë e Pirinit. Përdoret si instrument solo, ashtu edhe në ansamble, për shoqërimin e këngëve dhe valleve.
Gajdja maqedonase gjendet në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Pirinit, në Maqedoninë e Vardarit dhe në Maqedoninë e Egjeut. Akordimi i saj është ndërmjet gajdes xhura dhe gajdes kaba – me lartësi mesatare të tingullit. Gajdja kaba është zëri muzikor i Rodopëve. Më e madhe në përmasa dhe me një timbër më të ulët, të thellë, të butë dhe të dendur, ajo është e lidhur ngushtë me traditën folklorike vendase. Nën tingujt e saj kërcehen vallet rodopase, ndërsa meloditë e ngadalta, të luajtura në gajden kaba, janë ndër shembujt më emblematikë të folklorit bullgar.
Një ansambël i përbërë nga disa gajde kaba krijon një tablo tingullore mbresëlënëse. Gjatë gjysmës së fundit të shekullit, simbol i interpretimit ansamblor bullgar të këtij instrumenti është bërë orkestra e famshme „100 gajde kaba“, e krijuar në vitin 1961 nga folkloristi Apostoll Kisjov. Shfaqja e parë koncertale e këtij formacioni u zhvillua po atë vit në festivalin „Rozhen“, në fshatin me të njëjtin emër në Bullgarinë Jugperëndimore.
Më 16 maj 2012, në sallën nr. 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës në Sofje, për 9 minuta e 13 sekonda, 333 gajdexhinj rodopianë me gajde kaba (katër breza gajdexhinjsh nga e gjithë Bullgaria) luajtën njëkohësisht fragmente nga meloditë tradicionale rodopase dhe vendosën një rekord zyrtar masiv për Librin e Rekordeve Guinness, duke tejkaluar arritjen e mëparshme të 240 gajdexhinjve skocezë që luanin njëkohësisht.
Gajdja nuk është vetëm një objekt nga e kaluara. Njohuritë për punimin e saj dhe aftësitë për t’i rënë kalojnë nga një brez te tjetri – nga mjeshtri te nxënësi, brenda familjes, në qendrat kulturore, shkollat e muzikës dhe ansamblet folklorike. Kjo lidhje e gjallë mes brezave i sjell gajdes bullgare njohjen ndërkombëtare. Në vitin 2025, UNESCO e përfshiu „Gajdet dhe interpretimin me gajde në Bullgari – përcjellja e njohurive dhe aftësive“ në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Vendimi thekson rëndësinë e praktikave nëpërmjet të cilave tradita vazhdon të zhvillohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm. Gajdja bullgare ka gjithashtu historinë e saj përtej kufijve të vendit. Një nga simbolet më të fuqishme të pranisë ndërkombëtare të traditës sonë muzikore është kënga "Doli Deljo kaçak", e interpretuar nga Vallja Ballkanska dhe gajdexhinjtë Stefan Zahmanov dhe Llazar Kanevski. Regjistrimi është pjesë e përzgjedhjes muzikore të Diskut të Artë në bordin e „Voyager 1“ – një anije kozmike e lëshuar në vitin 1977 nga Kepi Kanaveral dhe që u largua nga Sistemi Diellor në vitin 2004. Disku, me fotografi dhe tinguj nga Toka, ka për qëllim të ruajë për brezat një pjesë të trashëgimisë tokësore dhe të shërbejë si një mesazh për qytetërimet jashtëtokësore. Kështu, zëri i traditës muzikore rodopase bëhet pjesë e mesazhit nga Toka drejt Kozmosit.
FOTO: Facebook /gaidari.varna
Kontribut për përhapjen dhe promovimin e gajdes bullgare kanë dhënë edhe një sërë interpretuesish dhe mësuesish. Ndër ta është Kostadin Varimezov nga Stranxha – një nga gajdexhinjtë më të famshëm të Bullgarisë, i quajtur „mbreti i gajdes bullgare“ dhe „Shën Kostadini i muzikës popullore“. Ai është një nga artistët nëpërmjet të cilëve gajdja bullgare hyn në enciklopeditë muzikore botërore. Ka dhënë koncerte në Evropë, Azi dhe Amerikë dhe është një nga muzikantët e parë bullgarë që jo vetëm e prezantojnë muzikën tonë popullore në koncerte dhe festivale në mbarë botën, por edhe jetojnë për periudha të gjata jashtë vendit dhe japin atje mësim për folklorin bullgar.
Sot gajdja vazhdon të tingëllojë – në festivalet folklorike dhe tubimet tradicionale, në qendrat kulturore dhe shkollat e muzikës, në skenat e koncerteve dhe në projektet muzikore bashkëkohore. Për bullgarët ajo nuk është një relike muzeale apo thjesht një instrument i lashtë, i ruajtur si kujtim, por një dije e gjallë që përcillet, zhvillohet dhe tingëllon. Gajdja është bërë prej druri, lëkure dhe ajri. Por ajo që e shndërron në simbol është kujtesa njerëzore. Për sa kohë të ketë fëmijë që mësojnë t’i bien gajdes, mjeshtër që prodhojnë instrumente dhe publik që e njeh dhe e do këtë tingull, tradita bullgare e gajdexhinjve do të vazhdojë të jetë pjesë e imazhit kulturor të gjallë të Bullgarisë.
Shihni edhe publikime të tjera të Radio Bullgarisë, të cilat tregojnë për gajden dhe gajdexhinjtë në Bullgari:
- Petjo Kostadinov: “Gajdja është një burim i pashtershëm i ideve dhe i zbulimeve të reja muzikore
- Këngëtarja popullore Jordanka Ilieva dhe gajdexhiu Ilija Dimtrov – përfaqësues të muzikës origjinale trake dhe shope
- Ilija Uçikov: “Për mua gajdja është një magji, ajo është jeta ime”
- Në Rodopet tingulli i gajdes është një magji, për të cilën tregon një muze lokal
- Stefan Borgoxhijski nga Roma: Përmes gajdeve lidh dy anët e mia – atë bullgare dhe atë italiane
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski