Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Hackathoni i parë ndërkombëtar i mbrojtjes do të zhvillohet në Sofje
Studentë, ushtarakë dhe inxhinierë ofrojnë zgjidhje teknologjike për sfidat e mbrojtjes së ditëve të sotme
Mërkurë 14 Tetor 2026 10:00
Mërkurë, 14 Tetor 2026, 10:00
FOTO: eurodefense.tech
Madhësia e shkronjave
Tema e dronëve ushtarakë dhe, veçanërisht, identifikimi dhe neutralizimi i tyre, është ndër më aktualet në Bullgari gjatë ditëve të fundit. A ka zgjidhje teknologjike për çështjet që lidhen me këtë temë dhe cilat mund të jenë ato? Përgjigje për këto dhe tema të tjera që lidhen me sigurinë kombëtare do të kërkohen dhe do të prezantohen në hackathonin e parë ndërkombëtar në Bullgari, kushtuar tërësisht teknologjive të mbrojtjes dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë.
Ngjarja ndërkombëtare do të zhvillohet nga 16 deri më 18 tetor në sallën “Tech Arena” të Universitetit Teknik të Sofjes dhe është pjesë e nismës gjermane European Defense Tech Hub (EDTH).
Çdo hackathon, në thelb, është një aktivitet afatshkurtër (zakonisht rreth 48 orë), ku programues, dizajnerë, sipërmarrës dhe ekspertë punojnë në ekipe për të krijuar një prototip funksional softuerik ose produkti. Pikërisht kjo do të ndodhë edhe në kryeqytetin bullgar gjatë tre ditëve të aktivitetit.
Në një vend do të mblidhen më shumë se 120 pjesëmarrës, përfshirë studentë, kadetë nga universitetet ushtarake, inxhinierë nga kompani të teknologjisë së lartë nga Bullgaria dhe jashtë saj, si edhe përfaqësues të institucioneve kombëtare.
FOTO: Vesella Krësteva
“Do të përdor fjalën hakerë, megjithëse nuk bëhet fjalë vetëm për hakerë. Ne po mbledhim njerëz që do të punojnë në këtë fushë, në mënyrë që të ndihmojmë në krijimin e rrjeteve mes tyre dhe në zhvillimin e teknologjive të reja për industrinë e mbrojtjes në kuptimin më të gjerë të fjalës, nga inteligjenca artificiale deri te prototipet, dronët dhe sistemet kundër dronëve”, shpjegoi për Radio Bullgarinë Petër Kirkov, pedagog dhe një nga ekspertët më të njohur të sigurisë kibernetike në Bullgari.
Kjo
ngjarje është një nismë e përbashkët e Universitetit Teknik, European Defense
Tech Hub (EDTH), një komunitet evropian për inovacionet në mbrojtje që lidh
inxhinierë, kompani startup, përfaqësues të ushtrisë, investitorë dhe
institucione, si dhe e së përjavshmes për politikë, biznes dhe ekonomi
"Kapital".
FOTO: @BabyPro.ming
Fillimi i këtij lloji të garave teknologjike u vendos në verën e vitit 2024 në Munih me hackathonin e parë ndërkombëtar të EDTH-së. Që atëherë Bullgaria e shënoi emrin e saj në historinë e tij me një projekt që fitoi vendin e tretë në garë. Ai ishte krijuar nga një ekip nxënësish, për të cilët organizatorët bënë përjashtim për shkak të moshës.
Petër Kirkov ishte një nga mentorët e katër nxënësve të Shkollës Teknologjike “Sisteme Elektronike” pranë Universitetit Teknik të Sofjes (TUES), të cilët impresionuan jurinë në Gjermani me prototipin e tyre të një pajisjeje për zbulimin e minave kundër këmbësorisë përmes gjurmës së tyre termike.
Sipas
jurisë së European Defense Tech Hackathon 2024, prototipi u rendit ndër tre më
të mirët, në konkurrencë me 34 projekte dhe afro 150 pjesëmarrës nga e gjithë
bota.
FOTO: eurodefense.tech
Gjatë dy viteve të fundit, EDTH ka organizuar afro 100 hackathone në mbarë botën. Rreth 40 nga ekipet që kanë marrë pjesë në to janë shndërruar tashmë në kompani, ndërsa afërsisht gjysma e tyre i kanë testuar zgjidhjet e tyre teknologjike në kushte reale gjatë ditëve të demonstrimit në Evropë dhe veçanërisht në Ukrainë.
Duke u bazuar në përvojën e tij profesionale dhe përshtypjet nga “mendjet” bullgare, në fillim të këtij viti Petër Kirkov hodhi idenë që Bullgaria të bëhej mikpritëse e një hackathoni të tillë. Ide që u pranua menjëherë dhe u realizua me mbështetjen e Universitetit Teknik të Sofjes.
“Për Universitetin Teknik, ky është një aktivitet shumë i madh dhe i rëndësishëm”, shpjegoi në studion e Radio Bullgarisë dr. Vlladisllav Prelezov, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në universitet. “Industria e mbrojtjes aktualisht po zhvillohet me ritme shumë të shpejta, ashtu si edhe të gjitha industritë në botën bashkëkohore. Teknologjitë e informacionit po depërtojnë kudo dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme.”
Vlladisllav Prelezov vë
në dukje me krenari faktin se gjithnjë e më shumë të diplomuar të universitetit
më të madh teknik në vend vazhdojnë veprimtarinë e tyre shkencore pikërisht aty
dhe zgjedhin të qëndrojnë në Bullgari. Sipas tij, kjo është jashtëzakonisht e
rëndësishme për zhvillimin e industrisë bullgare në tërësi.
FOTO: Rojters
“Në fakt, ajo që shoh është se në Bullgari ka shumë kompani dhe njerëz që bëjnë gjëra nga më të ndryshmet, por shumë shpesh ata nuk komunikojnë me njëri-tjetrin dhe e drejtojnë vëmendjen jashtë vendit”, shton Petër Kirkov. “Pikërisht kjo është filozofia e hackathonit që po organizojmë: të mund t’i mbledhim këta njerëz në një vend dhe të nxisim sinergjinë mes tyre. Sepse në Bullgari po ndodhin gjëra të jashtëzakonshme. Ka specialistë të shkëlqyer dhe shumë shpesh, kur i mbledhim në një vend, rezultati që arrihet është shumë më i mirë sesa idetë e tyre individuale.”
FOTO: eurodefense.tech
Një element tjetër shumë i rëndësishëm i hakatonit është se në ngjarje të tilla krijohet një pikë takimi shumë e mirë mes ideve, mundësive për financimin e tyre dhe ekspertëve që do të përzgjedhin konceptet teknologjike që funksionojnë realisht sot, shpjegon Petër Kirkov.
Teknologjitë bashkëkohore
janë një ndërthurje e shumë elementeve komplekse dhe, ndryshe nga Mesjeta,
zbulimet dhe idetë sot nuk janë arritje individuale, por rezultat i sinergjisë
mes mendjeve të ndryshme, shton eksperti. Ai ndalet edhe te programi i hackathonit në Sofje, i cili mishëron pikërisht këtë
filozofi.
FOTO: eurodefense.tech
“Më 16 tetor do të zhvillohen disa punëtori, gjatë të cilave do të diskutohen tema të veçanta. Më pas do të paraqesim të ashtuquajturat sfida. Pra, për këtë hackathon janë përcaktuar sfida konkrete, mbi të cilat do të punojnë të ashtuquajturit hakerë, duke u dhënë atyre mundësinë të organizohen në ekipe deri të nesërmen. Pikërisht kjo është pjesa e rrjetëzimit (networking), domethënë ne u japim mundësi, madje i inkurajojmë, të formojnë ekipe. Ata mund të ndryshojnë edhe zgjedhjen e tyre fillestare dhe të riorganizojnë ekipin aty për aty, në mënyrë që të punojë sa më efektivisht për zgjidhjen e detyrës së caktuar. Ekipet e renditura në tre vendet e para nga juria do të prezantohen në Regional Defence and Security Summit 2026. Kjo është platforma që lidh ekosistemin rajonal me Evropën, duke mbledhur në një vend politikanë, drejtues ushtarakë, përfaqësues të industrisë, kompani teknologjike, novatorë dhe investitorë. Samiti do të mbahet më 21 tetor në Sofje.”
Hakatoni i European Defense Tech Hub në Sofje do të zhvillohet pak kohë pas sulmit me dronë ndaj dy anijeve tregtare në zonën ekonomike ekskluzive të Bullgarisë në Detin e Zi. Petër Kirkov vlerëson se pjesëmarrësit me gjasë do të jenë më të motivuar për të paraqitur ide pikërisht në këtë fushë.
“Ngjarje të tilla
tregojnë se sa e rëndësishme është të kemi zgjidhje të reja teknologjike në
fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Besoj se pjesëmarrësit do të jenë të frymëzuar
të punojnë mbi ide që mund të jenë të dobishme në situata reale si kjo”,
thekson ai.
FOTO: eurodefense.tech
“Me teknologjitë që kemi në dispozicion, ne dimë shumë mirë si të identifikojmë avionë të mëdhenj në fluturim qindra kilometra larg, të përcaktojmë llojin e avionit, drejtimin e lëvizjes së tij e kështu me radhë. Por një dron i vogël plastik që fluturon 50 metra mbi tokë është shumë i vështirë për t’u zbuluar nga pikëpamja teknologjike. Prandaj lind nevoja për zhvillimin e një kategorie krejtësisht të re teknologjish, me qasje dhe mënyra të ndryshme të menduari, në mënyrë që të mund ta zgjidhim këtë problem. Supozoj se kjo do të jetë një nga temat më aktuale edhe në hackathonin që do të zhvillohet në Sofje”, thotë Petër Kirkov.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva