LAJME

Lajm

Propozohet rritja e pagës minimale mujore me 6,4% në 660 euro

Enjte, 15 Tetor 2026, 11:47

Propozohet rritja e pagës minimale mujore me 6,4% në 660 euro

FOTO: BTA - arkiv

Madhësia e shkronjave

Qeveria propozon që paga minimale mujore të bëhet 660 euro nga 1 janari 2027. Projektvendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar në Portalin për Konsultime Publike, njofton BTA. 

Shuma prej 660 eurosh është 12,80 euro më e ulët se niveli maksimal i mundshëm prej 672,80 eurosh, për të cilin Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Natalia Efremova, kishte njoftuar më herët. 

Nëse propozimi miratohet, paga minimale mujore do të rritet me 39,80 euro, ose 6,4%, krahasuar me nivelin e saj prej 620,20 eurosh në vitin 2026. Paga minimale për orë do të jetë 3,98 euro. Periudha e konsultimit publik do të zgjasë dy javë, deri më 28 tetor. 

Kryeministri Rumen Radev ka deklaruar tashmë se qeveria do të propozojë në buxhetin për vitin 2027 një rritje prej 5% të pagave në sektorin shtetëror, 7,5% për mësuesit dhe 8% të pensioneve. Parashikohet gjithashtu që vlera e kuponëve të ushqimit të rritet nga 100 në 200 euro. Ndërkaq, taksat kryesore nuk pritet të rriten.

“Vendimi përfundimtar për shumën e pagës minimale pritet të merret brenda dy javëve të ardhshme, kur do të bien dakord të gjithë parametrat e buxhetit. Ambicia ime është t’i afrohemi sa më shumë kufirit të sipërm prej 672 eurosh”, tha në Svishtov Ministrja e Politikës Sociale, Natalia Efremova.

Ajo shtoi se ndihma mujore për një fëmijë me aftësi të kufizuara të shkallës më të lartë do të rritet me më shumë se 100 euro, ndihmat familjare për fëmijët me 16%-19%, ndihma e njëhershme për lindje me mbi 56%, ndërsa pagesa për vitin e dytë të lejes së lindjes do të rritet me rreth 13%.


Lexoni më tepër në arkivin tonë:


Redaktoi: Ivo Ivanov, Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva