Autor
Elizabet Radkova
Lajm
Fluturimet shtesë nga Gjermania nuk garantojnë më shumë turistë në Bullgari
Hotelerët paralajmërojnë për rrezikun e anulimit të fluturimeve nëse rezervimet e hershme nuk përmbushin pritshmëritë
Enjte 15 Tetor 2026 19:46
Enjte, 15 Tetor 2026, 19:46
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Rreth 150 mijë vende shtesë në fluturimet nga Gjermania drejt Bullgarisë, të planifikuara për sezonin veror të vitit 2027, nuk garantojnë një rritje përkatëse të numrit të turistëve gjermanë në bregdetin bullgar të Detit të Zi. Këtë paralajmërim e bëri Vencisllav Tançev, pronar i një kompleksi të madh hotelier pranë Pomories, gjatë Forumit Ndërkombëtar të Hotelerisë dhe Turizmit (HTIF), i cili u mbajt nga 12 deri më 14 tetor në Pallatin Kombëtar të Kulturës në Sofje.
Rritja e kapacitetit të transportit ajror u njoftua në shtator nga ministri i turizmit, Ilin Dimitrov, si pjesë e përpjekjeve për rimëkëmbjen e tregut turistik gjerman.
FOTO: Pixabay
“Këto 150 mijë vende në avionë janë vetëm për një drejtim. “Në teori, kjo do të bënte të mundur ardhjen e 75 mijë turistëve më shumë”, shpjegoi Tançev. Ai paralajmëroi se shtimi i vendeve në avionë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato do të mbushen.
“Fillimisht duhet të ketë kërkesë për këto vende në avionë dhe, nëse ajo mungon deri në një periudhë të caktuar, një pjesë e fluturimeve do të anulohet. Pra, është pozitive që këto vende janë në dispozicion, por kjo në asnjë mënyrë nuk garanton ardhjen e më shumë turistëve gjermanë”, theksoi hotelieri. Sipas tij, rëndësi ka jo vetëm numri i vendeve në avionë, por edhe mundësia që turistët të udhëtojnë drejt Bullgarisë nga më shumë aeroporte dhe në orare të përshtatshme.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova