Lajm
Protestuesit kërkojnë rritje të pagave në sektorin buxhetor me të paktën 10%
Premte 16 Tetor 2026 14:09
Premte, 16 Tetor 2026, 14:09
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Pavarura në Bullgari (KNSB) nga qytete të ndryshme po protestojnë në Sofje me kërkesën që pagat në sektorin buxhetor të rriten të paktën me 10% vitin e ardhshëm, në vend të 5% të parashikuara aktualisht.
“Punëtorë të varfër. Kërkojmë paga dinjitoze”, brohorasin protestuesit, të cilët bllokuan bulevardin qendror “Car Osvoboditell”, njoftoi reporterja e BNR-së Evelina Stojanova. Nga ndërtesa e Kuvendit Popullor u nis gjithashtu një autokolonë proteste nëpër rrugët dhe bulevardet kryesore të kryeqytetit.
FOTO: BGNES
Protestuesit iu bashkuan edhe punonjës të Radios Kombëtare Bullgare. “Kërkesat tona janë për paga të përshtatshme dhe normale. Për një pagë prej 700-800 eurosh, një rritje prej 35 eurosh nuk është rritje, por lëmoshë dhe një fyerje e radhës për punën e njerëzve në BNR”, deklaroi një protestues.
Më herët, drejtues sindikalë u takuan me Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Financave, Gëllëb Donev, për të diskutuar projektbuxhetin e vitit 2027.
FOTO: BGNES
“Njerëzit që marrin 650-700 euro, me dy diploma universitare dhe njohuri të dy gjuhëve të huaja, që punojnë në biblioteka, muze e institucione të tjera, nuk mund të kënaqen me këto 5%, të cilat në fakt janë vetëm rreth 25 euro shtesë në xhep. Kjo është tallje”, deklaroi presidenti i KNSB-së, Pllamen Dimitrov.
Sipas tij, deficiti i planifikuar prej 3,5% nënkupton një konsolidim të fortë fiskal dhe shpenzimet do të duhet të shkurtohen diku.
Presidenti i Konfederatës së Punës “Podkrepa”, Dimitër Manollov, e cilësoi rritjen e parashikuar si “absurde”.
“Pamja e zymtë që po shoh më kujton se po kthehemi sërish në vitet e varfërisë dhe mjerimit”, tha ai.
Ministri i Financave ka deklaruar gjatë takimit se planet e qeverisë për një rritje 5% të pagave në sektorin buxhetor dhe për një pagë minimale prej 660 eurosh nuk janë ende përfundimtare.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva