Autor
Krasimir Martinov
Lajm
Vendet e shenjta të Rodopеve Lindorе: Xhamia prej druri pranë fshatit Podkova
Shtunë 17 Tetor 2026 10:44
Shtunë, 17 Tetor 2026, 10:44
Xhamia prej druri mbi fshatin Podkova
FOTO: Krasimir Martinov
Madhësia e shkronjave
Lart mbi fshatin Podkova, në rajonin e qytetit Kërxhali, të Bullgarisë Jugore, ngrihet minàreja e një prej xhamive më të vjetra në vend, xhamisë prej druri, e njohur edhe si “Xhamia e Shtatë Vajzave”.
Ky vend i shenjtë gëzon një nderim të veçantë nga banorët vendas, ku shumica e popullsisë përbëhet nga bullgarë myslimanë dhe turq, besimtarë të fesë islame. Xhamia është përfshirë edhe në itineraret turistike që prezantojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të Rodopeve Lindore dhe çdo vit vizitohet edhe nga shumtë turistë.
Edhe pse dihet viti i ndërtimit të xhamisë, 1428, për historinë e saj nuk dihet pothuajse asgjë tjetër. Megjithatë, ciceronët turistikë tregojnë me kënaqësi legjendën sipas së cilës xhamia prej druri u ndërtua nga shtatë vajza, të dashurit e të cilave nuk u kthyen nga lufta. Ato shitën të gjithë pajën e tyre për të blerë materialet e nevojshme dhe e ndërtuan xhaminë brenda një nate. Pas kësaj, askush nuk i pa më. Besohet se kjo ka ndodhur më 6 maj, gjatë festës tradicionale myslimane të pranverës, Hëdërlez. Edhe sot, çdo vit në këtë ditë, në oborrin e xhamisë mblidhen njerëz nga e gjithë Bullgaria, si dhe nga vendet fqinje, Greqia dhe Turqia. Aty recitohet mevludi (vargje që lartësojnë jetën dhe veprën e profetit Muhamed), lexohen pjesë nga Kurani dhe bëhen lutje. Të pranishmit gostiten me pilaf.
Ciceroni Georgi Kjuçukov
FOTO: Krasimir Martinov
“E thamë se kjo është një legjendë dhe se, sipas saj, shtatë vajzat humbën të fejuarit e tyre - vijon rrëfimin ciceroni ynë, Georgi Kjuçukov. – Por, kur të hyni më brenda, pranë vetë xhamisë do të shihni shtatë varre pa emëra.Pra, ka shumë mundësi që ato të jenë ndërtuar për nder të vajzave dhe të lidhen me historinë që sapo treguam. Kjo ndoshta do të thotë se nuk bëhet fjalë thjesht për një legjendë. Është diçka në të cilën njerëzit këtu besojnë.”
Xhamia, gati 600-vjeçare, tërheq vëmendjen edhe me arkitekturën. Thuhet se gjatë ndërtimit nuk është përdorur asnjë gozhdë. Në vitin 2009, xhamia u restaurua duke përdorur teknikat e vjetra të ndërtimit dhe u shpall monument kulture. Minareja prej druri, 24 metra e lartë, u ndërtua në vitin 2018.
Pranë xhamisë ndodhet varreza e fshatit Podkova, ku mund të arrihet duke kaluar nëpër oborrin e bukur të xhamisë. Zona është e mbushur me gurë që besohet se kanë veti shëruese.
„Vendasit besojnë se gurët çlirojnë energji dhe kanë aftësi shëruese – shpjegon ciceroni ynë, Georgi Kjuçukov. – Askush nuk e di se prej kur ndodhen këta gurë këtu, por njerëzit i nderojnë si vende ku shkojnë për t’u shëruar nga sëmundjet. Do t’ju bjerë në sy se në pemët përreth janë lidhur copa veshjesh. Kjo bëhet me besimin se njeriu duhet të lërë diçka nga vetja, në mënyrë që sëmundja të mbetet këtu dhe të mos kthehet bashkë me të.“
Një nga gurët më mbresëlënës është ai që njihet si „Guri i Shpuar“, ose “Demitlikaja”, siç quhet në turqisht. Besohet se ai shëron sëmundje të ndryshme, përfshirë edhe infertilitetin. Kushti i vetëm është të kalosh tri herë përmes vrimës së tij, në drejtim të kundërt të akrepave të orës.
„Njerëzit besojnë se fuqitë mistike shëruese të këtij vendi janë më të forta natën e 5 majit, duke u gdhirë 6 maji. Nëse kalon tri herë përmes vrimës së gurit, në drejtim të kundërt të akrepave të orës, mund të të falen mëkatet. Ka një gur mbi të cilin gjunjëzohesh dhe kështu mund të shërosh dhimbjet e kyçeve; një gur tjetër shëron dhimbjet e mesit, ndërsa një i tretë – dhimbjet e kokës. Pranë secilit gur ka një tabelë udhëzuese që tregon se çfarë duhet bërë në atë vend.“
Nëse ju ka bërë përshtypje rrëfimi i ciceronit tonë për xhaminë prej druri pranë fshatit Podkova dhe tashmë po mendoni se si ta organizoni një vizitë atje, duhet të dini se në këtë fshat, i cili ndodhet vetëm rreth 15 km larg kufirit mes Bullgarisë dhe Greqisë, mund të shkoni jo vetëm me makinë, por edhe me tren. Udhëtimi me trenin që banorët e Rodopeve e quajnë me dashuri „Vemja e Rodopeve“ – një tren me naftë që „zvarritet“ përgjatë shpateve të Rodopeve Lindore – do t'ju ofrojë një përvojë të veçantë. Mund të hipni në të në Dimitrovgrad, Haskovo ose Kërxhali, dhe ai do t'ju çojë deri në stacionin hekurudhor më jugor të Bullgarisë, atë të Podkovës.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova