SHOQËRI

Artikull

Java në Budapest – nën shenjën e Bullgarisë dhe miqësisë bullgaro-hungareze

Ndërtesa e Parlamentit hungarez

Ndërtesa e Parlamentit hungarez

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Dita e Miqësisë Bullgaro-Hungareze, Takimi i XXI Botëror i Mediave Bullgare dhe dy jubile të organizatave kulturore bullgare e shndërrojnë muajin tetor në një muaj të kujtesës, vazhdimësisë dhe afërsisë shpirtërore midis Bullgarisë dhe Hungarisë.

Më 19 tetor, kur Kisha Ortodokse Bullgare nderon Shën Ivan Rillskin, Bullgaria dhe Hungaria shënojnë Ditën e Miqësisë Bullgaro-Hungareze. Në vitin 2026, kjo festë ka një rëndësi të veçantë, pasi bëhen dhjetë vjet nga shpallja e kësaj date si Ditë e Miqësisë midis dy shteteve. Zgjedhja e kësaj date i lidh marrëdhëniet bashkëkohore me trashëgiminë e përbashkët historike dhe me kujtimin e shenjtorit, lipsanet e të cilit u dërguan në Esztergom në shekullin XII.

Lidhja midis Shën Ivan Rillskit dhe Hungarisë është pjesë e kujtesës historike që qëndron në themel të kësaj feste. Në vitin 1183, gjatë një fushate ushtarake përmes trojeve bullgare, mbreti hungarez Béla III i dërgoi lipsanet e shenjtorit në Esztergom. Më vonë, ato u kthyen në Bullgari, por kujtimi i kësaj ngjarjeje historike mbetet simbol i afërsisë shpirtërore midis dy popujve.

Edhe sot, Esztergomi është ndër vendet ku nderohet kjo lidhje. Sipas traditës, Dita e Shën Ivan Rillskit dhe e Miqësisë Bullgaro-Hungareze shënohet në bazilikën e qytetit, ku më 19 tetor 2016 u përurua një pllakë përkujtimore dygjuhëshe kushtuar shenjtorit.

Pllaka përkujtimore e Shën Joan Rillskit në Bazilikën e Esztergomit

Pllaka përkujtimore e Shën Joan Rillskit në Bazilikën e Esztergomit

FOTO: BTA

Po sot, në kryeqytetin e Hungarisë, hapet zyrtarisht edhe Takimi i XXI Botëror i Mediave Bullgare. Nismëtare dhe organizatore e tij është Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Tema e edicionit të këtij viti është „Mediat dhe udhëheqësit“. Në këtë forum, i cili do të zhvillohet në qytetet Budapest dhe Esztergom, pritet të marrin pjesë, fizikisht dhe online, përfaqësues nga 25 shtete, përfshirë Bullgarinë.

Radioja Kombëtare Bullgare përfaqësohet nga drejtori i përgjithshëm Milen Mitev.

Takimi i XXI Botëror i Mediave Bullgare

Takimi i XXI Botëror i Mediave Bullgare

FOTO: BTA

Në programin e forumit për sot është parashikuar një vizitë në Parlamentin hungarez, ku do të zhvillohet një takim me Márton Hajdu, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme. Ndërsa në orën 11:30, në ndërtesën e zyrave të deputetëve të Parlamentit hungarez „Barankovics“, do të hapet një ekspozitë kushtuar Ditës së Miqësisë Bullgaro-Hungareze. Fjalë përshëndetëse do të mbajnë ambasadorja e Bullgarisë në Hungari, Marija Angelieva, si dhe përfaqësuesi i komunitetit kombëtar bullgar në Parlamentin hungarez, Simeon Varga, informon BTA.

Takimi Botëror do të nisë në orën 14:00 me vendosjen e luleve pranë pllakës përkujtimore të Shën Ivan Rillskit në Katedralen „Fjetja e Shën Mërisë dhe Shën Adalbertit“, si dhe me një shërbesë lutjeje, të drejtuar nga mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antoniy, dhe delegati ipeshkvnor për Bazilikën e Esztergomit, at Çaba. Hapja zyrtare e Takimit Botëror do të bëhet në orën 18:30, në Institutin Kulturor Bullgar (IKB) në Budapest

Ndërtesa e Shkollës Bullgare dhe e Kopshtit të Fëmijëve në Budapest

Ndërtesa e Shkollës Bullgare dhe e Kopshtit të Fëmijëve në Budapest

FOTO: Shkolla Bullgare dhe Kopshti i Fëmijëve në Budapest

Megjithatë, pas ceremonive zyrtare të Ditës së Miqësisë Bullgaro-Hungareze, takimeve diplomatike dhe forumeve mediatike, qëndron një komunitet i cili prej dekadash ruan gjuhën, traditat dhe kujtesën kulturore bullgare në Hungari. Jeta e tij zhvillohet përmes shkollës, teatrit, grupeve të vallëzimit, muzikës dhe botimeve në gjuhën bullgare. Këto organizata nuk funksionojnë të izoluara, por formojnë një mjedis të ndërlidhur kulturor, ku brezat takohen dhe i përcjellin njëri-tjetrit njohuritë, aftësitë dhe ndjenjën e përkatësisë.

„Këtu, bullgarët janë një komunitet shumë i bashkuar. Ne nuk jemi një shkollë më vete, një teatër më vete apo një grup vallëzimi më vete“, shprehet për Radio Bullgarinë drejtoresha e Shkollës Bullgare dhe e Kopshtit të Fëmijëve në Budapest, Vanja Kotorova.

Në fakt, kjo është një nga veçoritë më karakteristike të jetës kulturore bullgare në Hungari. Fëmijët që mësojnë gjuhën bullgare shpesh marrin pjesë edhe në grupet e vallëzimit. Shkolla organizon punëtori me artistët e teatrit, ndërsa festat dhe koncertet shndërrohen në veprimtari të përbashkëta për të gjithë komunitetin.

Vanja Kotorova

Vanja Kotorova

FOTO: Arkivi personal i Vanja Kotorova

„Ne jemi një komunitet i vogël, por me një jetë kulturore jashtëzakonisht të pasur“, përmbledh Vanja Kotorova. Ajo ndan gjithashtu se muaji tetor është veçanërisht i ngjeshur me veprimtari për bullgarët në Hungari, edhe për shkak të disa përvjetorëve të rëndësishëm kulturorë.

Grupet folklorike të vallëzimit „Jantra“ dhe „Rosica“ janë ndër simbolet e jetës kulturore bullgare në Budapest.

Më 23 tetor, „Jantra“ do të shënojë 30-vjetorin e themelimit me spektaklin muzikor dhe të vallëzimit „JANTRA 30“, në skenën e teatrit „Vígszínház“. Në të do të marrin pjesë të dy ansamblet, orkestrat „Pravo“ dhe „Sllavija“, si dhe interpretues të tjerë, të cilët do të paraqesin pasurinë e muzikës dhe të vallëzimit popullor bullgar.

Edhe formacioni teatror „Mallko Teatro“ shënon 30 vjet veprimtari kulturore. Ai u themelua në vitin 1996. Gjatë viteve, është konsoliduar si një hapësirë takimi midis teatrit, muzikës, lëvizjes dhe formave bashkëkohore të shprehjes skenike.

Paralelisht me këtë, revista „Hemus“ vazhdon të prezantojë letërsinë, artin, historinë dhe jetën shoqërore bullgare, duke krijuar mundësi për shkëmbim kulturor midis autorëve dhe lexuesve bullgarë e hungarezë. 35-vjetori i „Hemus“-it do të shënohet më 21 tetor me hapjen e ekspozitës „Danubi dhe urat e tij“, nga fotografi Péter Dukics.

Java festive në Hungari ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm. Më 23 tetor, vendi shënon 70-vjetorin e fillimit të revoltave studentore kundër pushtetit sovjetik. Më 23 tetor 1956, në Budapest filloi një demonstratë paqësore studentore, e cila shumë shpejt u shndërrua në një protestë masive me mbi 200 000 pjesëmarrës. Kërkesat ishin tërheqja e trupave sovjetike, reforma demokratike dhe liria e fjalës.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski