Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Ku i bën blerjet bullgari?
A i “gëlltitën” hipermarketet dyqanet e vogla tregtare?
Ajo që mungon në tregti janë shitjet e drejtpërdrejta, thotë Bogomill Nikollov, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Bullgare “Konsumatorët Aktivë”
Mërkurë 21 Tetor 2026 19:44
Mërkurë, 21 Tetor 2026, 19:44
FOTO: Pexels
Madhësia e shkronjave
Hyrja e zinxhirëve të mëdhenj ushqimorë në Bullgari praktikisht i zhvendosi nga tregu dhe goditi rëndë bizneset e dyqaneve të vogla të lagjeve, të cilat i përkasin biznesit të vogël familjar që gjithnjë e më shpesh duket se nuk po gjen vend në Bullgari.
Dyqanet ushqimore të lagjes ishin veçanërisht të njohura në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Në to tregtari i priste klientët me një qasje personale, i njihte fqinjët me emër, ndërsa shpesh klientët ndaleshin në dyqanin e lagjes për të pirë kafen e mëngjesit dhe për të lexuar lajmet në gazetë.
Por kohët ndryshojnë. Sot, jo vetëm që pothuajse askush nuk mbështetet më te gazetat për informacion të shpejtë, por edhe dyqanet e vogla të lagjeve përballen me gjithnjë e më shumë sfida për shkak të konkurrencës dhe presionit të zinxhirëve të mëdhenj tregtarë, të cilët kanë ndryshuar kulturën e blerjeve te bashkatdhetarët tanë.
FOTO: Pexels
Hipermarketet e mëdha ofrojnë gjithçka që ju nevojitet në një vend, ato gjithashtu kanë një politikë agresive në rrjetet sociale dhe përmes fletëpalosjeve me reklama dhe transmetimeve televizive arrijnë direkt në derë dhe në dhomën e ndenjes së klientëve. Është gjithashtu një fakt që zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë po depërtojnë më thellë në lagjet e banimit dhe ofrojnë çmime më të ulëta. Dyqanet e vogla, përkundrazi - blejnë me çmime më të larta nga shpërndarësit. Kështu, tregtarët e vegjël e humbasin betejën në treg dhe nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të bëhen më fleksibël dhe të gjejnë qasjen dhe vendndodhjen e tyre, me të cilën të kënaqin shijen individuale të konsumatorëve.
Rezulton se arma më e fortë në duart e tregtarit të vogël është ofrimi i produkteve bullgare të pastra, tradicionale dhe të freskëta. Kjo është një treg i veçantë që ende mbetet i pambuluar, veçanërisht për banorët e qyteteve, të cilët gjithnjë e më shumë kërkojnë produkte të pastra dhe natyrale, që vijnë drejtpërdrejt nga kopshtet dhe fermat e Bullgarisë.
Mungesa e personelit është gjithashtu një sfidë e madhe. Fuqia punëtore është e mangët kudo, ndërsa kostot për paga dhe kontribute shoqërore janë të papërballueshme për bizneset më të vogla. Pikërisht për këtë arsye, në dyqanin e lagjes për fruta dhe perime të familjes së Julijana dhe Atanas Donçev punojnë të gjithë anëtarët e familjes.
Detyrat e tyre mbulojnë të gjithë spektrin e veprimtarive tregtare: furnizimin, sistemimin e mallrave, përpunimin e dokumentacionit tregtar dhe kontaktet me klientët. Puna nuk njeh ditë pushimi, por pavarësisht kësaj, familja nuk sheh perspektivë zhvillimi dhe potencial në këtë sektor.
FOTO: arkiv personal
“Na kushton shumë përpjekje, por ne vëmë theksin te cilësia. Çmimet tona janë më të larta se ato në zinxhirët tregtarë. Në tregti nuk ka klientë të përhershëm, secili blen aty ku i leverdis”, na shpjegon Atanas Donçev. “Vijnë, marrin për shembull një dardhë, një kumbull, sa për të ngrënë diçka shpejt dhe kaq! Që kur në treg hynë zinxhirët e mëdhenj ushqimorë, për ne u bë shumë e vështirë. Kemi fëmijë, mbajmë familje. Duhet të punojmë për të siguruar jetesën, por tani është bërë vërtet e vështirë.”
Me atë që thotë Atanasi pajtohet edhe bashkëshortja e tij, Julijana, e cila gjithashtu punon çdo ditë në dyqanin familjar. Rezulton se në këtë biznes, me prodhimet e tij bujqësore, është i përfshirë edhe një i afërm tjetër i familjes. Kjo e çon bisedën edhe te vështirësitë me të cilat përballen prodhuesit bujqësorë bullgarë:
FOTO: BGNES
"Vëllai i
Atanasit është prodhues bujqësor dhe ne marrim edhe mallrat e tij, speca dhe
domate. Domatet tona janë të vërteta, farat janë të një varieteti të vjetër
bullgar, të ruajtura nga vjehrra ime. Njerëzve u pëlqen shija e tyre dhe gjatë
gjithë verës kthehen tek ne për t’i kërkuar këto domate. Përveç domateve,
marrim edhe kumbulla, dardha dhe pjeshkë, sërish nga prodhues që i sjellin vetë
produktet e tyre. Shija e frutave bullgare është shumë më e mirë se ajo e
frutave të importuara nga Greqia apo Turqia. Në dyqanin tonë rrallë shesim mall
të importuar, sepse ai prodhohet me plehra dhe pesticide të ndryshme, gjë që
ndikon edhe në cilësi. Na bëjnë vazhdimisht
kontrolle, nga Administrata Kombëtare e të Ardhurave dhe nga Agjencia e
Ushqimit. Gjithmonë kërkojnë
probleme, ndërsa ne jemi korrektë. Madje jam e bindur se zinxhirët e mëdhenj
tregtarë nuk kanë dokumentacion aq të rreptë sa ne. Nëse kjo vazhdon kështu, do
të heqim dorë së mbrojturi veten. Ne përpiqemi të
ndihmojmë edhe prodhuesit tanë, duke ofruar produktet e tyre. Por edhe fermerët
e vegjël po zhduken dalëngadalë. Edhe ata po mbyten nga burokracia dhe kërkesat
e panevojshme. Ja, për shembull, dhëndri im, i cili punon një sipërfaqe të
vogël toke në Pazarxhik, këtë vit u detyrua nga Agjencia e Ushqimit të ndjekë
një kurs për sistemet e ujitjes. Ky certifikim është i
kushtueshëm, nga 350 deri në 500 euro, por tashmë është i detyrueshëm. Dhe nëse
nuk e ke përfunduar kursin, gjoba është mbi 1000 euro. Edhe kështu ua
shtrembërojnë krahët fermerëve të vegjël, por kjo mbetet e fshehtë për
opinionin publik. Kur llogarit edhe
çmimet e larta të karburanteve, plehrave kimike dhe pesticideve, në fund nuk të
mbetet asnjë fitim."
FOTO: BGNES
Klientët e vlerësojnë përpjekjen e biznesit të vogël për të mbijetuar në treg në kushtet e një konkurrence mbytëse, megjithëse jo gjithmonë mund t’ia lejojnë vetes të bëjnë blerjet te këto dyqane.
“Mua më pëlqen më shumë të bëj blerje në dyqanet e vogla, atmosfera është më e ngrohtë dhe më mikpritëse, por aty ku jetoj unë, të tilla pothuajse nuk kanë mbetur më”, thotë në anketën tonë banorja e Sofjes, Diana Vasileva:
“Po, më parë bëja blerje te dyqanet më të vogla, sepse ato mbajnë familjet e tyre me këtë punë, ndërsa dyqanet e mëdha po i zhdukin bizneset e vogla. Përveç kësaj, dyqanet e vogla furnizohen edhe drejtpërdrejt nga prodhuesit vendas, me perime bullgare. Duhet të mbështetet prodhuesi bullgar, jo vetëm për perimet, por për absolutisht çdo lloj produkti. Ndërsa në supermarketet më bën përshtypje se mallrat shpesh nuk janë bullgare.”
FOTO: Pexels
“50-60% (sa është pjesa e zinxhirëve të mëdhenj tregtarë në shitjen e produkteve ushqimore në Bullgari, shën. aut.) është ende larg një monopoli, sepse në vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore kjo përqindje e ka tejkaluar prej kohësh 80%. Dyqanet e vogla zakonisht ose janë të profilizuara, të specializuara ngushtë në kategori më specifike produktesh, ose gjejnë vendin e tyre në oraret e punës gjatë javës.
Sepse në Evropën
Perëndimore zinxhirët tregtarë zakonisht punojnë shumë më pak orë sesa në Bullgari.
Atje mbyllen shumë më herët dhe shumica nuk hapen fare të dielave. Kështu, me
kalimin e kohës është arritur një lloj ekuilibri”, shpjegon për Radio
Bullgarinë Bogomill Nikollov, drejtor ekzekutiv i shoqatës bullgare
“Konsumatorët Aktivë”.
Bogomill Nikollov
FOTO: BNR
“Unë mendoj se në Bullgari kjo ende nuk është arritur. Ne jemi ende në një periudhë tranzicioni dhe, për fat të keq, ajo që mungon më së shumti te ne janë shitjet e drejtpërdrejta. Sepse, krahas dyqaneve të vogla, për konsumatorin është shumë e rëndësishme të ketë edhe tregje fermerësh, ku mund të blejë drejtpërdrejt nga prodhuesi. Në shumicën e vendeve të tjera kjo realizohet përmes tregjeve të përkohshme, për të cilat madje mbyllen rrugë të tëra në një ditë të caktuar të javës. Ne ende nuk e kemi arritur këtë larmi të rëndësishme dhe të domosdoshme të formave të ndryshme të tregtisë. Më pas, gjithçka është e thjeshtë: çdo konsumator ‘voton’ në dyqan me portofolin ose kartën e tij bankare. Në qytetet e mëdha, prodhuesit nga fshatrat i sjellin produktet e tyre në dyqanet e vogla. Por e vërteta është se prodhimi bullgar po pakësohet dhe arsyet për këtë janë të shumta. Arsyeja e fundit lidhet me tregtinë. Politika jonë e gabuar bujqësore gjatë dy dekadave të fundit ka çuar në një rënie të qëndrueshme të prodhimit të frutave, perimeve, qumështit dhe mishit në Bullgari. Prandaj, sado të përqendrohemi te format e tregtisë, nuk do ta gjejmë aty zgjidhjen për më shumë prodhim bullgar. Duhet parë i gjithë procesi, nga ara deri te rafti dhe kasa e dyqanit. Duhet të mbrohet konkurrenca. Kur ka konkurrencë, gjërat funksionojnë në dobi të konsumatorëve.
FOTO: Pexels
Pikërisht për shkak të mungesës së kësaj konkurrence, të gjithë furnizohen nga të njëjtat vende dhe është e vështirë të mbijetojnë, sidomos kur edhe popullsia po varfërohet. Shansi i tyre nuk qëndron aq te çmimet, sa te cilësia, te qasja personale dhe te besimi që tregtarët e vegjël mund të krijojnë te blerësit”, thotë Bogomill Nikollov.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva
- #tregtarë
- #konkurrencë
- #biznes familjar
- #ushqim
- #shitje
- #produkte ushqimore
- #produkte bullgare
- #klientë
- #furnizime
- #Bogomill Nikollov
- #blerës
- #dyqane
- #blerje
- #prodhues bujqësorë
- #Agjencia e Ushqimit
- #hipermarkete
- #dyqane të vogla tregtare
- #zinxhirë të mëdhenj ushqimorë
- #çmime
- #prodhues bujqësorë bullgarë
- #biznesi i vogël
- #tregtarë të vegjël
- #Administrata Kombëtare e të Ardhurave
- #shoqata "Konsumatorët Aktivë"