Seksion
Një ujëvarë në Bullgarinë Perëndimore është shpallur monument natyror i mbrojtur
Shtunë 24 Tetor 2026 07:30
Shtunë, 24 Tetor 2026, 07:30
FOTO: Ministria e Mjedisit dhe e Ujërave
Madhësia e shkronjave
Ujëvara e vogël, por magjepsëse e Vrabçës, prej kohësh është e njohur për banorët e kryeqytetit bullgar si një mundësi tërheqëse për t'u çlodhur në natyrë, larg zhurmës dhe stresit. Ajo ndodhet rreth 80 kilometra larg Sofjes, në rajonin e Pernikut, pranë qytetit Trën, fare pranë shtëpive të para të fshatit Vrabça.
Lumi ka gërryer një grykë të bukur në shkëmbinjtë gëlqerorë, ku ndodhet edhe ujëvara e Vrabçës, e lartë katër metra. Pranë saj, uji ka krijuar një tunel shkëmbor 20 metra të gjatë, ndërsa në anën e djathtë të shkëmbit gjendet një burim karstik me ujë të pijshëm të cilësisë së shkëlqyer. Prej aty, një shteg piktoresk, që kalon përmes një peizazhi të larmishëm, të çon në fshatin Bankja të rajonit Trën.
FOTO: Ministria e Mjedisit dhe e Ujërave
Ditët e fundit, ministrja e Mjedisit dhe Ujërave, Rosica Karamfillova-Bllagova, ka nxjerrë një urdhër për shpalljen e monumentit natyror "Ujëvara e Vrabçës" si një zonë e re e mbrojtur. Qëllimi është ruajtja e pamjes së saj natyrore, e cila dallohet për vlerat e larta peizazhore dhe estetike, si dhe mbrojtja e formacioneve karakteristike shkëmbore dhe e territoreve përreth, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Zona e re e mbrojtur përfshin një sipërfaqe prej 76,643 dynymësh. Me shpalljen e saj, vendosen kufizime për veprimtaritë që mund të dëmtojnë këtë monument natyror. Ndër to përfshihen ngjitjet në shkëmbinj jashtë itinerareve të përcaktuara dhe të pajisura për këtë qëllim, si dhe dëmtimi ose marrja me vete e gjetjeve paleontologjike dhe arkeologjike.
FOTO: Ministria e Mjedisit dhe e Ujërave
Pritet që statusi i ri i mbrojtjes së natyrës të kontribuojë edhe në promovimin e zonës së Tranës si një destinacion tërheqës për turizmin e qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit.
Në vitin 2017 u botua udhërrëfyesi turistik "RajoniTrën – monumente natyrore, kulturore dhe historike", ku ujëvarës së Vrabçës i kushtohet një vend i veçantë.
Lexoni më tepër:
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello