Bullgaria renditet e para në BE për vdekshmërinë nga aksidentet rrugore në 2025

Martë, 27 Tetor 2026, 15:54

Bullgaria renditet e para në BE për vdekshmërinë nga aksidentet rrugore në 2025

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Bullgaria renditet e para në Bashkimin Evropian për vdekshmërinë nga aksidentet rrugore, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian për vitin e kaluar, njofton korrespondentja e BNR-së në Bruksel, Angelina Piskova.

Në vend janë regjistruar 71 viktima për një milion banorë, ndërsa në Suedi, që ka rezultatet më të mira në BE, numri është 19 viktima për një milion banorë. Mesatarja për të gjithë Bashkimin Evropian është 43 viktima për një milion banorë.

Pavarësisht statistikave të rënda, Bullgaria është ndër pesë vendet që janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin e BE-së për përgjysmimin e numrit të viktimave nga aksidentet rrugore deri në vitin 2030. Vendet e tjera janë Belgjika, Danimarka, Polonia dhe Rumania.

Më së shpeshti viktima të aksidenteve rrugore bëhen të moshuarit. Në rrezikun më të madh janë pasagjerët e automjeteve të lehta dhe përdoruesit vulnerabël të rrugës, si këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët. Shumica e aksidenteve me pasojë vdekjen ndodhin në rrugët jashtë zonave të banuara. Për çdo person që humb jetën në një aksident, pesë të tjerë pësojnë lëndime të rënda.

 

Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva