Lajm
U shpëtuan 18 marinarët e anijes së goditur nga dronët në Detin e Zi
Mërkurë 28 Tetor 2026 16:42
Mërkurë, 28 Tetor 2026, 16:42
FOTO: BNT
Madhësia e shkronjave
Asnjë marinar nuk humbi jetën nga sulmi me tre dronë ndaj anijes kontejnerësh që lundron nën flamurin e Liberisë në Detin e Zi. Të 18 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan dhe operacioni i përbashkët, ku morën pjesë Drejtoria e Përgjithshme e Operacioneve të Shpëtimit në Det, Agjencia Ekzekutive e Administratës Detare, Forcat Detare, Forcat Ajrore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Kufitare, përfundoi.
“Ekuipazhi nuk është në rrezik. Falënderojmë Bullgarinë për operacionin e zhvilluar me shpejtësi”, deklaroi për portalin Maritime.bg zëdhënësi i kompanisë greke që administron anijen CONTSHIP JET.
Edhe ministri i transportit, Georgi Peev, falënderoi ekipet e përfshira në operacionin e shpëtimit për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë në mbrojtje të jetës së njerëzve.
Anija CONTSHIP JET
FOTO: marinetraffic.com
Më vonë, portali raportoi se anija është ende mbi ujë dhe po lëviz pa drejtim të caktuar drejt jugut. Në zonën ku u godit anija janë shpërndarë mbi 20 kontejnerë që përmbajnë gaze të ndezshme, gaze jotoksike dhe jo të ndezshme, lëngje të ndezshme dhe substanca të tjera të rrezikshme.
Anija CONTSHIP JET
FOTO: marinetraffic.com
Drejtori i Drejtorisë së Basenit të Rajonit të Detit të Zi, Javor Dimitrov, hodhi poshtë informacionet se në kontejnerët e anijes së goditur nga tre dronë u konstatuan lëndë të rrezikshme. Ai bëri të ditur se nesër, më 29 tetor, institucioni do të marrë mostra të ujit të detit në zonën pranë Kepit Kaliakra. Sipas tij, në këtë zonë kryhen rregullisht analiza, të cilat përfshijnë edhe rajonin e Durankullakut.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova