Lajm
Adm.Emill Eftimov: Dronët që goditën anijen kontejnermbajtëse erdhën nga lindja
Enjte 29 Tetor 2026 11:52
Enjte, 29 Tetor 2026, 11:52
Adm.Emill Eftimov
FOTO: BTA, arkiv
Madhësia e shkronjave
Dronët që goditën anijen kontejnermbajtëse në Detin e Zi erdhën nga lindja, deklaroi për televizionin bTV shefi i mbrojtjes në dorëheqje, admirali Emill Eftimov. Ekziston informacion i mjaftueshëm, i cili tashmë u është përcjellë organeve kompetente, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel aleance, dhe pritet që ai të analizohet. Emil Eftimov deklaroi se, kur u shfaq kërcënimi nga lindja, aviacioni ishte në gatishmëri dhe u lëshuan mjete pa pilot, por kushtet e vështira meteorologjike i kufizuan ato. Ai shpjegoi gjithashtu se taktikat po ndryshojnë: më parë përdoreshin vetëm dronë ajrorë, ndërsa tani përdoren edhe dronë detarë, si dhe kombinime të të dy llojeve.
Situata në Detin e Zi ka ndryshuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, theksoi Emill Eftimov. „Nëse deri nga mesi i korrikut goditjet ndaj linjave të komunikimit të dy palëve ndërluftuese kryheshin në zonën e Odesës, Çornomorskut dhe Novorosisikut, tani shtrirja gjeografike është zgjeruar”, vuri në dukje ai. Sipas tij, gjatë verës, Forcat Detare Bullgare iu përgjigjën më shumë se 100 sinjalizimeve për objekte të ndryshme në det, por këto raste nuk u bënë publike, me qëllim ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e ndikimit negativ mbi aktivitetin ekonomik. „Që nga gushti e deri më tani, përpjekjet tona janë shtuar, por pa përshkallëzim. Ne nuk jemi në luftë. Dronët nuk hynë në ujërat territoriale, në mënyrë që të mund të ndërhynim. Për fat të mirë, jemi pjesë e një aleance ku mund të ndajmë kapacitetet me partnerët dhe të kemi një mbrojtje të besueshme”, deklaroi më tej Emill Eftimov, duke shtuar se vendi ynë mban kontakte të vazhdueshme me komandën e forcave të NATO-s.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova