LAJME

Lajm

Kundëradmirali Kirill Mihajllov:

Nuk dihet nga kanë ardhur dronët që goditën dje anijen në Detin e Zi

Enjte, 29 Tetor 2026, 10:17

Kundëradmirali Kirill Mihajllov

Kundëradmirali Kirill Mihajllov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Asnjë nga 18 marinarët – 14 filipinas dhe 4 ukrainas – në bordin e anijes kontejnermbajtëse CONTSHIP JET, e cila u godit dje në mesditë nga dronë detarë në Detin e Zi, nuk ka pësuar lëndime. Mbrëmë, ata mbërritën në terminalin detar të Varnës, ndërsa pronari i anijes, përmes agjentit të tij në qytet, u kishte siguruar tashmë një hotel. Ekuipazhi do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore.

Guvernatori i rajonit të Varnës, Mario Smërkov, e quajti operacionin e suksesshëm të shpëtimit si „lajmin më të mrekullueshëm”, por refuzoi të komentonte nëse nga anija kishin rënë kontejnerë dhe nëse ekzistonte rrezik për mjedisin, përpara se institucionet të kryenin verifikimet përkatëse.

Më vonë, komandanti i Forcave Detare, kundëradmirali Kirill Mihajlov, njoftoi se anija kishte qenë e ngarkuar me 421 kontejnerë, nga të cilët 20 kishin rënë në det dhe po lëviznin në ujëra nën ndikimin e rrymave detare. Ai shtoi se, sipas të dhënave nga kapiteni, kontejnerët në bord përmbanin lëndë djegëse të ndryshme dhe ngarkesa të tjera të klasifikuara si të rrezikshme. Anija u mbyt gjatë natës së kaluar. Kundëradmirali tha se nuk e dinte nga kishin ardhur dronët, pasi ata mund të lëshoheshin nga kudo. „Ne nuk kishim forca dhe mjete në zonën e afërt që të mund të shkonin shpejt për t’i kapur dhe shkatërruar”, deklaroi ai. Sipas tij, incidenti tregon se shteti duhet të investojë më shumë në Forcat Detare, pasi në kushte të këqija meteorologjike, anijet e flotës janë të vetmet ku mund të mbështetemi.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit dhe Ujërave nisi një kontroll për ndotjen e Detit të Zi pas incidentit, por deri tani nuk janë konstatuar gjurmë të dukshme ndotjeje. Sipas manifestit të ngarkesës së anijes, ndër mallrat e transportuara përfshiheshin bateri litium-jon, lëngje gërryese dhe acide, lëngje të ndezshme, tretësira etanoli, produkte kimike për përdorim shtëpiak dhe materiale plastike.

Ekipet e Drejtorisë së Basenit do të marrin sot mostra të ujit të detit në pesë pika përgjatë bregdetit, pranë Durankullakut, Shabllës, Kepit të Kaliakrës, Bjallës dhe Sozopollit.

Ekipet e Agjencisë Ekzekutive të Administratës Detare kanë kryer inspektimin e anijes kontejnermbajtëse CONTSHIP JET, e goditur nga tre dronë detarë, njoftoi Administrata Rajonale e Varnës. Pas vlerësimit të gjendjes së anijes, ekspertët informuan guvernatorin e rajonit, Mario Smërkov, se për momentin nuk priten pasoja të konsiderueshme negative për mjedisin detar dhe zonën bregdetare.

Lënda djegëse e anijes është e lehtë – gazoil, i cili, në rast të një derdhjeje të mundshme, avullon relativisht shpejt, sqaruan nga Administrata Rajonale. Sipas vlerësimit të ekspertëve, nuk pritet që ajo të arrijë në bregdetin bullgar.

Lexoni më shumë mbi temën:


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova