Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Krijimi i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar dhe çlirimi i Bullgarisë
Shtunë 31 Tetor 2026 13:15
Shtunë, 31 Tetor 2026, 13:15
„Levski themelon një komitet revolucionar“, pikturë e artistit Vasill Stoillov
FOTO: militarymuseum.bg
Madhësia e shkronjave
Pas Betejës së Varnës në vitin 1444 dhe rënies së Kostandinopojës në vitin 1453, tokat mesjetare bullgare përfundimisht ranë nën sundimin e sulltanëve osmanë. Deri në shekullin XIX, populli bullgar nuk mund të asimilohej dhe nuk pushoi së kërkuari një rrugë për rivendosjen e pavarësisë së tij shtetërore. Gjatë të gjithë shekujve të sundimit të huaj, bullgarët u mbështetën në tre faktorë: pavarësinë e tyre komunale brenda sistemit osman; besimin e krishterë dhe mungesën e një modeli më të lartë shoqëror, ekonomik dhe kulturor që mund ta përvetësonin nga sulltanati. Rezistenca kundër shtypjes perandorake u shfaq përmes lëvizjes së hajdukëve dhe kryengritjeve të herëpashershme.
Kryengritjet e mëdha lidheshin gjithmonë me luftërat dhe humbjet e Perandorisë Osmane, si dhe me shfaqjen e ushtrive të huaja, të cilat bullgarët i shihnin dhe i mbështesnin si aleate në luftën e tyre. Pas Revolucionit të Madh Francez dhe luftërave napoleonike, në fillim të shekullit XIX, sipas fjalëve të historianit Jono Mitov, veprimtarët bullgarë përvetësuan parimin: „Ne vetë“. (Ngjashëm me emrin e lëvizjes irlandeze të rezistencës „Sinn Féin“ – „Ne vetë“.)
Kryengritës nga Legjioni i Parë Bullgar në Klladovo, viti 1862.
FOTO: Arkivi Historik Bullgar
Pas revolucioneve të vitit 1848, të cilat tronditën Evropën, edhe bullgarët më të vetëdijshëm filluan të ngrinin zërin. Në vitin 1862, kur Serbia hyri në konflikt me Perandorinë Osmane në Beograd, nën udhëheqjen e Georgi Benkovskit u mblodh një legjion i armatosur prej 600 vetash, të cilët gjatë çerekut të ardhshëm të shekullit do të bëheshin udhëheqësit e luftës nacionalçlirimtare bullgare. Ideja e legjionit ishte të marshonte drejt Bullgarisë dhe, sipas shembullit të ekspeditës së Garibaldit, të nxiste një kryengritje të përgjithshme. Për arsye politike, kjo nuk ndodhi dhe legjioni zhvilloi luftime vetëm gjatë marrjes së kalasë së Beogradit. Në atë kohë, ndihmësi i parë i Georgi Rakovskit ishte Ivan Kasabovi. Juristi Kasabovi shkroi në Beograd, në vitin 1862, dokumentin „Statuti i një komiteti të përkohshëm bullgar“, i njohur gjithashtu si „Udhëheqja e Përkohshme Bullgare“. Kështu, për herë të parë në lëvizjen nacionalçlirimtare bullgare u shfaq fjala „komitet“.
Ivan Kasabov (1837–1911)
FOTO: Kosta Razmov
Pas shpërbërjes së legjionit të parë, Ivan Kasabovi krijoi në Bukuresht Komitetin Qendror të Fshehtë Bullgar (KQFB). Ai botoi gazetat propagandistike „Narodnost“ dhe „Tapan“. Për shkak të përçarjeve të brendshme, të lidhura me prirjet pro-ruse dhe pro-serbe brenda emigracionit bullgar, Kasabovi u tërhoq nga KQFB-ja dhe veprimtaria e komitetit u shua. Megjithatë, pikërisht Kasabovi dhe organizata e tij „Bullgaria e Re“ ndihmuan udhëtimin e dytë të Vasil Levskit në tokat bullgare, me qëllim krijimin e komiteteve revolucionare lokale. Këto komitete do të lidheshin në rrjetin e Organizatës së Brendshme Revolucionare (OBR), e cila, në fund, pas vitit 1875, do të çonte në çlirimin e një pjese të madhe të Bullgarisë. Kasabovi krijoi dhe shtypi gjithashtu „Proklamatën në emër të Qeverisë së Përkohshme Bullgare në Ballkan“, të cilën Levski dhe komitetet do ta shpërndanin në të gjithë territorin bullgar.
Kështu, më 31 tetor 1869, në Bukuresht u krijua një organizatë e re, e quajtur „Komiteti Qendror Revolucionar Bullgar“ (KQRB), me në krye Ljuben Karavellovin. Historianët ende debatojnë për marrëdhëniet dhe hierarkinë e autoritetit ndërmjet KQRB-së në Bukuresht dhe Komitetit Revolucionar Bullgar, të krijuar nga Vasil Levski si organi kryesor i Organizatës së Brendshme Revolucionare, me seli në Lloveç. Megjithatë, shumica e studiuesve pajtohen se të dy komitetet përfaqësonin të njëjtin qëllim organizativ, ku komiteti i Bukureshtit shërbente si përfaqësues i jashtëm i Organizatës së Brendshme Revolucionare.
Vulat e Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar (KQRB), vitet 1870
FOTO: bg.wikipedia.org
Vasil Levski shkroi dhe redaktoi dokumentin kryesor të KQRB-së, „Rregullorja e veprimtarëve për çlirimin e popullit bullgar“.
Që në fillim të „Rregullores“, e njohur gjithashtu si „Statuti“, thuhet:
„Shkaku – Tirania, çnjerëzillëku dhe vetë sistemi shtetëror i qeverisë turke në Gadishullin Ballkanik.
Qëllimi – Me anë të një Revolucioni të përgjithshëm, të realizohet një transformim rrënjësor i sistemit aktual shtetëror despotiko-tiranik dhe ai të zëvendësohet me një republikë demokratike (qeverisje popullore), në të njëjtin vend që paraardhësit tanë e kanë çliruar me forcën e armëve dhe me gjakun e tyre të shenjtë, ku sot tërbohen në mënyrë çnjerëzore tagrambledhësit turq dhe jeniçerët dhe ku sundon e drejta e më të fortit, të ngrihet një tempull i së Vërtetës dhe i Lirisë së vërtetë, ndërsa sundimi i bejlerëve dhe i të pasurve turq t'ia lërë vendin Mirëkuptimit, Vëllazërisë dhe Barazisë së plotë ndërmjet të gjitha kombësive. Bullgarët, turqit, hebrenjtë etj. do të kenë të drejta të barabarta në çdo aspekt, qoftë për sa i përket besimit, kombësisë, statusit qytetar apo çdo çështjeje tjetër; të gjithë do t'i nënshtrohen një Ligji të Përbashkët, i cili do të miratohet me shumicën e votave të përfaqësuesve të të gjitha kombësive.“
„Rregullorja e veprimtarëve për çlirimin e popullit bullgar“
FOTO: vasil-levski.bg
Vdekja e Vasil Levskit në vitin 1873 dhe dështimi i Kryengritjes së Stara Zagorës në vitin 1875 çuan në shpërbërjen e KQRB-së. Megjithatë, apostujt e komitetit të përkohshëm të emigrantëve në Gjurgevo, në vitin 1876, brenda vetëm katër muajve, ringjallën Organizatën e Brendshme Revolucionare, organizuan Kryengritjen e Prillit dhe vunë në lëvizje rrotën e ngjarjeve historike që çuan drejt Çlirimit në vitin 1878 dhe krijimit të Principatës Bullgare.
Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski