Para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale

Në Bullgari është dita e reflektimit

Shtunë, 31 Tetor 2026, 05:54

Në Bullgari është dita e reflektimit

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

31 tetori është dita e reflektimit para raundit të dytë të zgjedhjeve për president dhe nënpresident të Bullgarisë për pesë vitet e ardhshme. Fushata zgjedhore dhe publikimi i sondazheve sociologjike që lidhen me votimin janë të ndaluara. Zgjedhësit kanë edhe orët e fundit për të vendosur se cilën nga dy dyshet kandidate për president dhe nënpresident do të mbështesin. Ato janë propozuar nga komitete nismëtare dhe kanë arritur në raundin e dytë.

Në raundin e parë, ku pjesëmarrja në votime ishte 22,98%, Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev morën 528 951 vota (34,76%), ndërsa Andrej Gurov dhe Georgi Kandev u mbështetën nga 486 232 votues (31,95%).j

Në raundin e parë, më 25 tetor, u regjistrua një pjesëmarrje jashtëzakonisht e ulët në zgjedhje. Nga 6 584 025 qytetarë me të drejtë vote, vetëm 1 525 034 bullgarë, brenda dhe jashtë vendit, shkuan në kutitë e votimit. Pritshmëritë janë që në raundin e dytë të dyja dyshet të arrijnë të rrisin pjesëmarrjen dhe të tërheqin mbështetës të rinj.

Çështjet kryesore që shqetësuan shoqërinë bullgare gjatë fushatës zgjedhore ishin roli i institucionit të presidentit në qeverisjen e vendit, siguria në sfondin e luftës që po zhvillohet në Ukrainën fqinje, marrëdhëniet me Rusinë dhe politika e Bullgarisë në BE dhe NATO. Rastet e anijeve tregtare të fundosura pranë bregdetit bullgar e përqendruan vëmendjen te çështja e sigurisë në Detin e Zi. Në aspektin e jetës së përditshme, zgjedhësit shqetësohen gjithashtu për rritjen e kostos së jetesës, të ardhurat e ulëta dhe mosmiratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2027.

E konceptuar si një ndërmjetës dhe faktor ekuilibrues midis tri pushteteve kryesore (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor), institucioni i presidentit zhvillon konsultime me grupet parlamentare dhe u jep mandate për formimin e qeverisë. Në rast se partitë e përfaqësuara në parlament nuk arrijnë të formojnë qeverinë, Kushtetuta i përcakton kreut të shtetit një rol vendimtar në formimin e Këshillit të Ministrave në detyrë.

Nëse në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale kërkohet që dyshja kandidate të marrë më shumë se gjysmën e votave, me kusht që në votime të marrin pjesë më shumë se gjysma e zgjedhësve, në raundin e dytë fitues i garës presidenciale shpallet kandidati që merr numrin më të madh të votave, pavarësisht nga pjesëmarrja në votime.

 

Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova