Seksion
Fytyra të ndryshme të së mirës në fushatën “Iluministi i Vitit 2026”
Shtunë 31 Tetor 2026 10:00
Shtunë, 31 Tetor 2026, 10:00
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Dita e Iluministëve të Popullit festohet në Bullgari më 1 nëntor dhe është një festë zyrtare, përmes së cilës nderohen iluministët, shkrimtarët, revolucionarët dhe figurat e kulturës bullgare. Kjo është një ditë festive për të gjitha institucionet arsimore në Bullgari. Emrin “Iluministët Kombëtarë” e mbajnë gjithashtu shumë shkolla të së dielës për fëmijët e komunitetit bullgar që jetojnë jashtë vendit.
Më 1 nëntor shpallet edhe fituesi i titullit të nderit “Iluministi i Vitit”, i përzgjedhur në kuadër të fushatës kombëtare me të njëjtin emër, e cila ka karakter publik. Të nominuarit janë personalitete të angazhuara në kauza me rëndësi shoqërore, në mbështetje të grupeve të ndryshme sociale ose për të vënë në pah çështje të rëndësishme institucionale. Sipas rregullores, një juri, e kryesuar nga gazetarja e njohur Iva Dojçinova, e cila e nisi këtë fushatë në vitin 2014, përzgjedh dhjetë kandidatura të spikatura për titullin “Iluministi i Vitit”. Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë publiku ftohet të votojë online për të përcaktuar personin më të denjë për titullin “Iluministi i Vitit”.
Cilët janë “iluministët” e Bullgarisë së sotme – nominoni deri më 30 shtator!
Ndër dhjetëra nominime, juria përzgjodhi 10 profile të spikatura, ndër të cilat veçohen edhe fondacione që mbështeten në një kauzë të qartë. Zakonisht, gjithçka nis nga shembulli i një individi, i cili arrin të frymëzojë dhe të përfshijë shumë të tjerë. I tillë është fondacioni “Podaj rëka” (Zgjate dorën), i cili përmes bursave ndihmon fëmijët dhe familjet, ndërsa të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara u ofron mbështetje shëndetësore e sociale, si dhe mundësi për integrim në shoqëri.
Ekipi i fondacionit "Zgjate dorën"
FOTO: arkiva personale
Një tjetër nominim për titullin “Iluministi i Vitit” i është dhënë edhe Dimitër Ivanovit dhe fondacionit të tij “Zaedno za dobroto” (Së bashku për të mirën). Ai e nisi veprimtarinë pasi zbuloi disa karroca invalidësh të braktisura në një shtëpi të vjetër. Së bashku me disa miq, vendosi t'i riparonte dhe t'ua dhuronte personave në nevojë. Gradualisht, ky gjest u shndërrua në një kauzë që sot bashkon donatorë, vullnetarë dhe partnerë nga i gjithë vendi.
Dimitër Ivanov
FOTO: BNR
Në listën e ngushtë të të nominuarve është edhe Sllav Petkov, themelues dhe kryetar i Federatës së Aktivitetit Fizik të Adaptuar (FAFA). Prej më shumë se një dekade, ai punon që personat me vështirësi intelektuale dhe sindromën Down të kenë mundësi për zhvillim dhe pjesëmarrje në aktivitete sportive.
Sllav Petkov
FOTO: BTA
Në listën e këtij viti për titullin “Iluministi i Vitit” është përfshirë edhe një përkthyes. Bëhet fjalë për Boris Bëndevin, përkthyes të gjuhës së shenjave, i cili krijon një urë komunikimi mes botës së të folurit dhe asaj të heshtjes. I rritur në një familje me prindër që nuk dëgjojnë, Borisi mësoi të komunikonte përmes gjesteve që përpara se të fillonte të fliste. Përvoja e tij personale hodhi themelet e një kauze që sot e ndan me të gjithë ekipin e përkthyesve të specializuar. Qëllimi është që personat e shurdhër të kenë akses të barabartë në informacion, arsim dhe kulturë.
Boris Bëndev
FOTO: arkiva personale
Në listën e ngushtë të kandidatëve të përzgjedhur nga juria bëjnë pjesë gjithashtu personalitete nga fusha e shkencës, muzikës, teatrit dhe artit.
Përpiloi: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello