Zgjedhjet presidenciale 2026 – balotazhi:

Aktiviteti i votuesve në Maqedoninë e Veriut është afër atij të raundit të parë

Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje në Bullgari ndikon edhe te pjesëmarrja e ulët e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut

Dielë, 1 Nëntor 2026, 19:47

Vlladimir Perev

Vlladimir Perev

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Gazetari Vlladimir Perev nga Shkupi raportoi për Radio Bullgarinë se dita e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut po kalon e qetë. Deri në orët e para të pasdites, numri i votuesve në shtatë qendrat e votimit në vend ka qenë pothuajse i njëjtë me atë të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 25 tetor.

"Është rritur ndoshta me 1-2%, jo më shumë. Nëse diku deri në orën 13:00 kanë votuar 30 persona, tani mund të kenë votuar 32", shpjegoi Perev.

Ai rikujtoi sërish se votimi i bullgarëve maqedonas ka një veçanti në Maqedoninë e Veriut, sepse autoritetet e konsiderojnë atë si një shfaqje të "vetëdijes etnike bullgare, traditave kombëtare, familjare dhe personale".


Aktiviteti i votuesve në Maqedoninë e Veriut është afër atij të raundit të parë

FOTO: BTA

"Por nuk bëhet fjalë vetëm për frikë. Bëhet fjalë edhe për një lloj indiference. Njeriu sheh dhe dëgjon për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje në Bullgari. Nuk ka fushatë zgjedhore, askush nuk flet për këtë dhe ai i thotë vetes: 'Nëse të tjerët nuk po shkojnë të votojnë, pse të shkoj unë?'", tregon gazetari dhe kolumnisti aktiv 81-vjeçar.

Ai këmbëngul sërish që partitë politike bullgare dhe shteti bullgar të zhvillojnë fushata informuese gjatë zgjedhjeve kombëtare në Bullgari, në të cilat votohet edhe jashtë vendit.

Pas debatit televiziv të 29 tetorit mes dy kandidatëve për postin e presidentit të Bullgarisë, mediat në Shkup u përpoqën ta paraqisnin si lajm faktin se Ilijana Jotova dhe Andrej Gjurov kishin debatuar për temën e Maqedonisë së Veriut.

Por sipas Vlladimir Perevit, për mediat e Maqedonisë së Veriut më e rëndësishme ishte se të dy kandidatët kanë qëndrime të qarta dhe të njëjta në lidhje me Shkupin.

"Në fakt, vëmendja e tyre u përqendrua te fakti se, pavarësisht dallimeve politike mes kandidatëve, ata ndajnë të njëjtin qëndrim të palëkundur për çështjet që lidhen me Maqedoninë e Veriut", theksoi Perev.

Aktiviteti i votuesve në Maqedoninë e Veriut është afër atij të raundit të parë

FOTO: BTA

"Është e rëndësishme që si njëri, ashtu edhe tjetri i qëndrojnë fort Propozimit Francez, i cili është pak a shumë edhe qëndrimi i mbarë shoqërisë bullgare. Kjo është diçka që Maqedonia e Veriut e priti me një dozë zhgënjimi, por nga ana tjetër edhe me një lloj pajtimi me situatën, sepse një gjë e tillë pritej.

Nuk pati reagime të ashpra, në kuptimin: 'Ah, ata po na gënjejnë, na premtuan se do të kishim një pranim të lehtë, se do t’i kapërcenim pengesat së bashku'. Nuk pati asgjë të tillë. Gjithçka ishte e qartë dhe e drejtpërdrejtë: në Bullgari të dy kandidatët mbajnë të njëjtin qëndrim sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Së pari, bullgarët duhet të përfshihen në kushtetutë dhe më pas mund të fillojmë bisedimet.

Procesi që lidhet me identitetin e bullgarëve maqedonas dhe të gjithë shoqërisë maqedonase nuk ka përfunduar ende dhe për këtë do të flitet edhe në të ardhmen", shpjegon dekani i komunitetit bullgar në Shkup.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva