SHOQËRI

Artikull

A do të vazhdojë ‘Hollywood-i bullgar’ të krijojë magji kinematografike?

Martë, 3 Nëntor 2026, 16:30

Qendra Kinematografike „Bojana“.

Qendra Kinematografike „Bojana“.

FOTO: Nu Boyana Film Studios

Madhësia e shkronjave

Aty ku deri vonë yje botërorë si Arnold Schwarzenegger, Sylvester Stallone dhe Ryan Reynolds xhironin filma të mëdhenj hollivudianë, sot ndihet një tension që nuk ka asnjë lidhje me skenarin e ndonjë filmi. Kompania kinematografike Nu Boyana Film Studios, e vendosur në rrëzë të malit Vitosha, në një sipërfaqe prej 302 dynymësh, ndodhet në momentin më vendimtar të dy dekadave të fundit. Më 17 nëntor përfundon kufizimi 20-vjeçar për disponimin e pronave që zotëron shoqëria “Nu Boyana Film”. Përfundimi i kësaj pengese ligjore ka shkaktuar një valë shqetësimi. Në shtator, përfaqësues të komunitetit të filmit dhe të sektorit të pavarur kulturor dolën në protesta para Qendrës Kinematografike dhe Ministrisë së Kulturës. Pyetja kryesore brenda komunitetit të filmit është: A do të mbetet “Bojana” shtëpia e kinematografisë apo ky truall me vlerë të madhe do të bëhet pjesë e bumit të ndërtimit në kryeqytetin bullgar?

Protestë e kineastëve para Ministrisë së Kulturës

Protestë e kineastëve para Ministrisë së Kulturës

FOTO: BGNES

              Çfarë do të ndryshojë më 17 nëntor?

Për të kuptuar se përse kjo ditë vjeshte është kaq e rëndësishme, duhet të kthehemi në vitin 2006. Në atë kohë, ndërmarrja shtetërore “Boyana Film” EAD u privatizua nga kompania amerikane “New Image Bulgaria” për shumën prej më shumë se 6 milionë eurosh. Në kontratë ishte përfshirë një klauzolë shumë e rreptë: blerësi nuk kishte të drejtë të transferonte aksione, të shiste truallin apo të ndryshonte veprimtarinë e studios për një periudhë prej 20 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, investitorët amerikanë e shndërruan “Bojanën” në një nga platformat më moderne të xhirimeve në Evropën Lindore. Megjithatë, përfundimi i këtij afati do të thotë se, nga pikëpamja juridike, pronarët tashmë do të kenë liri të plotë për të disponuar pronën.

A do të vazhdojë ‘Hollywood-i bullgar’ të krijojë magji kinematografike?

FOTO: BGNES

        Fabrika e filmave të mëdhenj: Magjia e skenografisë

Pas gardhit në lagjen Bojana të Sofjes fshihet një botë e tërë. Aty janë ndërtuar skena gjigante dhe dekoracione madhështore: nga rrugë të Nju-Jorkut të rikrijuara me imtësi, Roma e lashtë me Koloseun e saj, deri te sheshe mesjetare dhe vendbanime arabe. Aty janë xhiruar filma të tillë si seria e filmave aksion “The Expendables”, “Rambo: Last Blood”, “Hellboy”, “300: Rise of an Empire” dhe “The Hitman’s Bodyguard”.

A do të vazhdojë ‘Hollywood-i bullgar’ të krijojë magji kinematografike?

FOTO: Nu Boyana Film Studios

Tensioni në rritje në opinionin publik ka nxjerrë në pah dy qëndrime të kundërta lidhur me këtë çështje. Nga njëra anë, kineastët paralajmërojnë për mungesën e garancive për ruajtjen e infrastrukturës dhe rrezikun e ndërtimeve të komplekseve të banimit. Ata kërkojnë kryerjen e menjëhershme të një auditimi shtetëror të procesit të privatizimit. Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Nu Boyana, Yariv Lerner, i hedh poshtë kategorikisht këto pretendime. Në një deklaratë zyrtare, studioja shprehet: “Bojana” nuk është në shitje. Ne vazhdojmë të xhirojmë. Vazhdojmë të investojmë. Dhe synojmë të mbetemi pjesë e së ardhmes së kinematografisë bullgare. Gjithashtu, përfaqësuesit e studios theksojnë se kanë refuzuar vazhdimisht oferta fitimprurëse për blerjen e tokës, pikërisht me qëllim ruajtjen e industrisë së filmit.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës njoftoi se kontrollet e kryera nuk kanë konstatuar shkelje të kontratës së privatizimit.

A do të vazhdojë ‘Hollywood-i bullgar’ të krijojë magji kinematografike?

FOTO: Nu Boyana Film Studios

                     Çfarë mund të humbasë Bullgaria?

“Bojana” prej kohësh nuk është më thjesht një pronë private për qëllime biznesi. Ajo është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme socio-ekonomike. Qendra Kinematografike siguron punësim të qëndrueshëm dhe standarde të larta profesionale për mijëra specialistë bullgarë, përfshirë kaskaderët, operatorët e kamerës, inxhinierët e zërit etj.

Përveç kësaj, nëpërmjet qendrave të trajnimit, si Film Forge Vocational Training Center, talentet e reja bullgare kanë një mundësi të jashtëzakonshme për t'u trajnuar drejtpërdrejt nga profesionistë me përvojë në produksione madhore ndërkombëtare. Nëse aktiviteti i Qendrës Kinematografike do të reduktohej, Bullgaria rrezikon të humbasë pozicionin e saj udhëheqës si destinacion filmik në Ballkan, një pozicion i ndërtuar gjatë dekadave të fundit.

A do të vazhdojë ‘Hollywood-i bullgar’ të krijojë magji kinematografike?

FOTO: Nu Boyana Film Studios

E ardhmja e Qendrës Kinematografike “Bojana” mbetet një provë serioze për ekuilibrin ndërmjet interesave ekonomike dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Edhe pse deklaratat e drejtuesve të saj japin njëfarë shprese, komuniteti i filmit mbetet vigjilent.

Shoqëria dhe institucionet do të duhet të ndjekin me kujdes çdo nismë të ardhshme investimi në rrëzë të malit Vitosha. Në këtë mënyrë, do të sigurojnë që “Hollywood-i bullgar” të vazhdojë të krijojë magji kinematografike dhe të mos shndërrohet në një tjetër kompleks banimi.

Shihni gjithashtu:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski