Lajm
Tre avionë u ulën jashtë radhe në Bullgari për shkak të kërcënimeve me bombë
Enjte 5 Nëntor 2026 14:47
Enjte, 5 Nëntor 2026, 14:47
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Tre fluturime të kompanisë ajrore “Ryanair”, që udhëtonin nga qytete të ndryshme evropiane drejt Bullgarisë, u përballën me kërcënime me bombë të dërguara përmes postës elektronike. Pas marrjes së sinjalizimeve për rrezik të mundshëm, në orën 10:11 u ngritën në ajër tre avionë luftarakë MiG-29 nga Baza e Tretë Ajrore në Graf Ignatievo. Detyra e tyre ishte të kapnin dhe të shoqëronin avionët e pasagjerëve deri në uljen e tyre.
Dy prej avionëve, që vinin nga Kopenhaga dhe Madridi, u ulën tashmë në aeroportin “Vasil Levski” të Sofjes. Ndërsa avioni i tretë, i nisur nga Londra, u ul në aeroportin e Plovdivit, bëri të ditur drejtori ekzekutiv i këtij aeroporti, Krasimir Peshev. Sipas tij, avioni duhej të ulej fillimisht në aeroportin e kryeqytetit.
Deri tani nuk ka të dhëna për gjetjen e ndonjë objekti të rrezikshëm apo për praninë e një kërcënimi real në bordin e avionëve. Autoritetet po kryejnë kontrollet përkatëse, ndërsa shërbimet kompetente po punojnë për të zbuluar se nga kanë ardhur kërcënimet. Hetimet vijojnë dhe masat e sigurisë në aeroportet e prekura janë shtuar.
Vetëm tre ditë më parë, një fluturim i kompanisë “Wizz Air” nga Londra drejt Sofjes u detyrua të ndryshonte itinerarin dhe të ulej në Budapest, pas një sinjalizimi për kërcënim me bombë gjatë fluturimit, kujton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në
shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova