Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Në frymën e historisë, Kembrixhi dhe Karlovo drejt binjakëzimit
Nisma është e përfaqësuesve të komunitetit bullgar në qytetin britanik, të cilët synojnë një shkëmbim të mirëfilltë kulturor, arsimor dhe turistik
Enjte 5 Nëntor 2026 17:20
Enjte, 5 Nëntor 2026, 17:20
FOTO: facebook.com/little.bulgaria.cambridge
Madhësia e shkronjave
Ndërsa jehona e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Bullgari vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në përditshmërinë tonë, komuniteti bullgar në Kembrixh vazhdon të kërkojë mbështetësit e tij. Gjatë muajit tetor, organizatat bamirëse “Bullgaria e Vogël – Kembrixh” (Little Bulgaria UK) dhe ZI Foundation nisën nismën e tyre për binjakëzimin zyrtar të qytetit bullgar Karlovo me qendrën universitare britanike Kembrixh. Për këtë qëllim nevojiten të paktën 500 nënshkrime në mbështetje të idesë nga banorët vendas të qytetit anglez, pavarësisht nga kombësia e tyre. Për këtë arsye, përfaqësues të organizatave ndodheshin pranë qendrës sonë të votimit në Kembrixh më 25 tetor dhe më 1 nëntor, ku u ofronin qytetarëve të nënshkruanin peticionin e tyre, duke i ftuar ata të përhapnin informacionin për këtë kauzë, e cila do të krijojë edhe një lidhje tjetër mes historisë, kulturës dhe përpjekjeve të bullgarëve atje për të ndërtuar ura mes komunitetit bullgar dhe atij britanik.
Ivelina Banyalieva dhe Mihaill Stojanov
FOTO: Arkiv personal
“Ne kemi zhvilluar tashmë një takim me kryetaren e bashkisë së Kembrixhit, Cllr Maria Cleminson. Nisma ka mbështetjen e kryetarit të bashkisë së Karlovos, dr. Emill Kabaivanov, si dhe Kryetarit të Bashkisë së Kembrixhit dhe Peterborough, Paul Bristow – shpjegoi posaçërisht për Radion Bullgare bashkatdhetarja jonë Ivelina Banyalieva, e zgjedhur këshilltare bashkiake në Peterborough dhe përfaqësuese e ZI Foundation. – Hapi tjetër i rëndësishëm është të mbledhim të paktën 500 nënshkrime në mbështetje të binjakëzimit, në mënyrë që ta paraqesim propozimin për shqyrtim në këshillin bashkiak të Kembrixhit. Por dua të theksoj diçka shumë të rëndësishme: ne nuk po punojmë thjesht për nënshkrimin e një dokumenti zyrtar apo për një fotografi të dy kryetarëve të bashkive. Ne duam një partneritet të vërtetë mes dy qyteteve. Shkëmbim mes shkollave, mundësi për të rinjtë, festivale të përbashkëta kulturore, zhvillim të turizmit, kontakte biznesi dhe nisma arsimore.”
Kryetari i bashkisë së Karlovos, dr. Emill Kabaivanov (i dyti nga e djathta në të majtë), kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit, Donjo Todorov, dhe Ivelina Banyalieva gjatë një vizite në bashkinë e Peterborough në Britaninë e Madhe
FOTO: Arkivi personal i Ivelina Banyalievës
Dhe, ashtu si çdo gjë në Mbretërinë e Bashkuar, edhe lidhja mes Karlovos dhe Kembrixhit ka historinë e saj shumëvjeçare, mbi të cilën mbështetet nisma e bullgarëve atje.
“Kjo është një histori jashtëzakonisht interesante dhe pak e njohur. Në vitin 1876, pas shtypjes së përgjakshme të Kryengritjes së Prillit, lajmet për tragjedinë e popullit bullgar mbërritën në Britaninë e Madhe. Pikërisht atëherë, para 150 vjetësh, në ndërtesën e bashkisë së Kembrixhit, të njohur si Guildhall, u mbajt një mbledhje e posaçme në mbështetje të bullgarëve të prekur nga tragjedia. Në këtë nismë morën pjesë personalitete me ndikim të jashtëzakonshëm, si kryetari i bashkisë së Kembrixhit, peshkopi i Ilit, zëvendëskancelari i Universitetit të Kembrixhit dhe studiuesi Xhejms Rendëll Harris. Në të njëjtën kohë, bamirësja britanike Lady Emily Anne Strangford organizoi një ndihmë të gjerë humanitare për Bullgarinë dhe krijoi fondin “Bulgarian Peasant Relief Fund”. Me ndihmën e saj u ndërtuan gjashtë spitale, njëri prej të cilëve në Karlovo. Dhe ajo që është edhe më mbresëlënëse është se mes donatorëve të fondit të saj ishte edhe Çarls Darvini, ish-student i Universitetit të Kembrixhit, i cili në vitin 1876 dhuroi 15 paund britanikë për këtë kauzë, shumë që sot do të ishte e barasvlershme me 2246 paund” – tregon Ivelina Banyalieva.
Ndërtesa e bashkisë së Kembrixhit – Guildhall
FOTO: planomato.com
“150 vjet më parë ndodhën këto ngjarje të mëdha. Tani kemi mundësinë që këto dy qytete dhe kjo lidhje, kjo ndihmë që nisi atëherë nga Kembrixhi dhe nga Britania e Madhe, të konkretizohen përmes një binjakëzimi zyrtar mes dy qyteteve” – shton Mihaill Stojanov, kryetar i organizatës “Bullgaria e Vogël”.
Gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Bullgari, më 25 tetor, u mblodhën 98 nënshkrime. Në javën pasuese, 65 miq të bullgarëve në Kembrixh mbështetën peticionin, ndërsa në Ditën e Zgjuesve Kombëtarë, ekipet e organizatave arritën të mbledhin edhe rreth 100 nënshkrime të tjera në mbështetje të nismës.
“Plani ynë është të zhvillojmë edhe vizita të tjera te miqtë vendas të Bullgarisë. Nuk e di nëse dëgjuesit tuaj e dinë, por në Kembrixh kemi një veprimtari të madhe që quhet ‘Kembrixhi këndon dhe vallëzon’ – ky është një tubim i bullgarëve në Britaninë e Madhe, i cili u jep mundësi banorëve vendas të njihen me kulturën, traditat dhe folklorin bullgar. Në këtë kuptim, gjatë katër viteve të fundit, në kuadër të këtij tubimi, kemi krijuar shumë miqësi me organizata vendase dhe organizata të tjera bamirëse. Prandaj, synimi ynë gjatë dy javëve të ardhshme do të jetë të lidhemi me të gjitha ato dhe ta bëjmë këtë nismë realitet, domethënë të mbledhim më shumë se 500 nënshkrime.”
Tubimi “Kembrixhi këndon dhe vallëzon”
FOTO: facebook.com/little.bulgaria.cambridge
Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për binjakëzimin është 19 nëntor 2026. Shqyrtimi i tyre në nivel vendor, në Këshillin Bashkiak, do të bëhet më 26 nëntor të këtij viti.
“Le ta themi kështu: më 26 nëntor propozimi ynë do të shqyrtohet me gjithë seriozitetin, duke marrë parasysh nënshkrimet që kemi mbledhur, të cilat dëshmojnë se ekziston dëshira e banorëve vendas që binjakëzimi të realizohet. Ky është vetëm fillimi. Në të vërtetë, vendimi përfundimtar nuk do të merret atëherë, por ka shumë të ngjarë që çështja të shqyrtohet në disa mbledhje të këshillit bashkiak. Ka edhe diçka tjetër të rëndësishme që dua të theksoj: duke pasur parasysh nënshkrimet e mbledhura, presim të ftohemi në një mbledhje të Këshillit Bashkiak, në mënyrë që, së bashku me kolegët tanë nga ZI Foundation, përfaqësuar nga Iva Banyalieva dhe ekipi i saj, si dhe me ekipin e ‘Bullgaria e Vogël – Kembrixh’, të paraqesim një plan për realizimin e këtij binjakëzimi dhe për përfitimet që do të sjellë. Kjo do të thotë se do të kemi mundësinë të takohemi me të gjithë përfaqësuesit e këshillit bashkiak.”
Këtë vit, tubimin “Kembrixhi këndon dhe vallëzon”, më 5 korrik, e vizitoi personalisht kryetarja e bashkisë së Kembrixhit, Cllr Maria Cleminson, e cila ka lidhje me Bullgarinë edhe përmes prejardhjes së saj familjare. “Babai i saj është një studiues i njohur i studimeve sllave, i cili ka punuar për shumë vite në Bullgari. Prandaj, shumë nga kujtimet e saj të fëmijërisë lidhen me vendin tonë” – na shpjegon Iva Banyalieva.
Kryetarja e bashkisë së Kembrixhit, Maria Cleminson, me Ivelina Banyalievën
FOTO: bgben.co.uk
Në vitin 2025, i ftuar special i tubimit ka qenë edhe Kryetarit të Bashkisë së Kembrixhit dhe Peterborough, Paul Bristow, i cili e kishte vizituar personalisht qytetin Karlovo më 3 mars 2023, kur mori nga kryetari i bashkisë, dr. Emill Kabaivanov, një medalje të artë me portretin e Vasil Levskit.
“Karlovo nuk është thjesht një qytet i vogël bullgar. Ky është qyteti i Vasil Levskit – Apostullit të Lirisë së popullit tonë, i Rilindjes Kombëtare Bullgare, si dhe qyteti i lindjes së disa prej bamirësve më të mëdhenj në historinë tonë – vëllezërve Evlogi dhe Hristo Georgiev. Pak njerëz e dinë se Evlogi Georgiev la me testament 6 milionë leva ari për krijimin e një institucioni të arsimit të lartë, që do të zhvillonte shkencën, arsimin teknik dhe industrinë bullgare – Universitetin e Sofjes ‘Shën Klimenti Ohridski’, siç njihet sot. Ëndrra e vëllezërve ishte për një arsimim të fortë bullgar dhe pikërisht këtu shohim një simbolikë të mrekullueshme. Nga njëra anë kemi Karlovon, qytetin e lindjes së dy bamirësve të mëdhenj, të cilët besonin se arsimi është e ardhmja e Bullgarisë. Nga ana tjetër kemi Kembrixhin – një nga qendrat universitare dhe shkencore më të njohura në botë. Pse të mos i lidhim këto dy qytete dhe të vazhdojmë veprën e vëllezërve Georgiev?” – përfundon në mënyrë retorike Ivelina Banyalieva.
Monumenti i Vasil Levskit në Karlovo
FOTO: Bashkia Karlovo