Opozita kritikoi ashpër Buxhetin 2027

Opozita kritikoi ashpër Buxhetin 2027

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Projektbuxheti për vitin 2027, i paraqitur nga kryeministri Rumen Radev, shkaktoi kritika të ashpra nga partitë parlamentare për shkak të deficitit të planifikuar, rritjes së borxhit shtetëror dhe shqetësimeve për presion shtesë inflacionist.

Krasimir Vëllçev

Krasimir Vëllçev

FOTO: BTA

Nga GERB-SDS kritikuan qeverinë se, në momentin e prezantimit të buxhetit, ai ende nuk ishte publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave. Sipas partisë, kuadri financiar është proinflacionist dhe do të çojë në rritje të mëtejshme të borxhit, taksave dhe shpenzimeve, njofton BNT. 

Sipas ish-Ministrit të Arsimit, Krasimir Vëllçev, ky është një “buxhet i inercisë”.

Martin Dimitrov

Martin Dimitrov

FOTO: BTA

Martin Dimitrov nga “Bullgaria Demokratike” deklaroi se buxheti i përgatitur nga qeveria e “Bullgarisë Progresive” është “një buxhet i një dimri shumë të vështirë, një dimër i shpresave të zhgënjyera”.

Sipas tij, qytetarët prisnin çmime më të mira, por në vend të kësaj do të përballen me një rritje të ndjeshme të inflacionit. Ai vlerësoi se deficiti real nuk do të jetë 3,5%, por 4,2%. 

“Na presin vështirësi dhe një rritje e madhe e borxhit, pa masa për uljen e shpenzimeve dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Nuk ka masa për çmontimin e modelit kundër të cilit njerëzit protestuan në vitin 2025”, theksoi Dimitrov, i cituar nga agjencia BGNES.

Conço Ganev

Conço Ganev

FOTO: BTA

Nënkryetari i Kuvendit Popullor nga partia “Vëzrazhdane”, Conço Ganev, komentoi gjithashtu projektbuxhetin për vitin 2027, duke deklaruar se ai vazhdon politikën e qeverive të mëparshme liberale: marrje të reja borxhesh, rritje të barrës tatimore dhe mungesë masash reale për përmirësimin e të ardhurave dhe frenimin e rritjes së çmimeve. 

“Bullgaria ka nevojë për mbështetje të prodhimit, biznesit të vogël dhe të ardhurave të qytetarëve, e jo për një borxh të ri të radhës”, tha ai. 

Kritika ndaj projektbuxhetit shprehën edhe deputetët e Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS). Stanisllav Anastasov përdori metaforën e vetë kryeministrit Rumen Radev, i cili e përshkroi gjendjen e financave publike si një “kamion të rëndë pa frena”.

Stanisllav Anastasov

Stanisllav Anastasov

FOTO: BTA

“E vetmja gjë me të cilën pajtohemi është se ky buxhet është një kamion i rëndë pa frena që po fluturon drejt humnerës. Brenda tij dëgjojmë shumë dëshira të bukura për industrinë kozmike, për gigafabrika dhe për inteligjencën artificiale. Por, ndërsa qeveria është nisur drejt hapësirës, dua t’ju siguroj se qytetarët bullgarë janë të mbërthyer fort pas tokës, për të mos thënë të shtypur nga çmimet në rritje”, deklaroi Anastasov.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva