SHOQËRI

Artikull

Dimitër Dimitrov – një ruajtës i kujtesës historike në Krahinat Perëndimore

Dielë, 8 Nëntor 2026, 07:11

Dimitër Dimitrov

Dimitër Dimitrov

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Ditët 6-8 nëntor 1920 kanë lënë gjurmë frike dhe trishtimi në jetën e bullgarëve në të ashtuquajturat Krahina Perëndimore. Pushtimi i rajoneve të Bosilegradit, Caribrodit dhe Strumicës nga ushtria serbe më shumë se një shekull më parë vazhdon të jetë i gjallë në kujtesën e tyre.

Pasojat e ndarjes së Bullgarisë nga territore të saj historike pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore janë të dukshme edhe sot. Bëhet fjalë për 1545 kilometra katrorë, ku përfshihen 25 fshatra dhe pjesë të trojeve të qyteteve bullgare Trën dhe Kulla.

Çdo vit bashkatdhetarët tanë, të cilët me dhimbje në zemër i përshkruajmë si “kaq afër, por në të vërtetë larg Bullgarisë”, i përkujtojnë këto ditë, që ata i quajnë ditë të zeza, përmes nismave të ndryshme, tryezave të rrumbullakëta dhe diskutimeve mbi mësimet e së kaluarës dhe plagët që ende nuk janë shëruar.

106-vjetori i këtyre ngjarjeve historike ishte rasti për organizimin e një konference të posaçme kushtuar Krahinave Perëndimore Bullgare, historisë dhe perspektivave të tyre, e cila u mbajt më 5 dhe 6 nëntor në Sofje dhe Kjustendill.

Ndër pjesëmarrësit në Sofje ishte edhe një nga veteranët e komunitetit bullgar në këto krahina, Dimitër Dimitrov, i cili më herët gjatë këtij viti kremtoi 80-vjetorin e lindjes.

Në kuadër të konferencës kushtuar Krahinave Perëndimore Bullgare, Dimitër Dimitrov u nderua me çmimin “Distinktivi i Artë” të Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit

Në kuadër të konferencës kushtuar Krahinave Perëndimore Bullgare, Dimitër Dimitrov u nderua me çmimin “Distinktivi i Artë” të Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit

FOTO: Joan Kolev

Një nga misionet të cilit ai i është përkushtuar është mbledhja e një arkivi të pasur dokumentesh dhe informacioni, me shpresën se një ditë dikush do të interesohet për këto materiale dhe do t'i botojë dëshmitë historike të grumbulluara.

Një kauzë tjetër e rëndësishme për Dimitrovin është ruajtja e kujtimit të pesë ushtarëve bullgarë që dhanë jetën gjatë Luftës së Dytë Ballkanike në vitin 1913.

„Këta janë njerëz të vrarë nga një divizion serb, në një kohë kur lufta ende nuk ishte shpallur. U përhap fjala se ata ishin ndaluar me pretekstin e lojërave të fatit. I nxorën rreth një kilometër larg Bosilegradit, në rrugën për në Vranjë, dhe atje i pyetën: ‘A doni të nënshkruani kapitullimin apo jo?’. Të pesë, me duart e lidhura, u përgjigjën se ushtari bullgar nuk nënshkruan kurrë kapitullim. Pastaj i vranë. Ndërsa vrasja e njerëzve është krim sipas të gjitha konventave, askush nuk guxoi të thoshte asgjë për këtë çështje. Madje edhe sot mendoj se ne kemi të drejtë të kërkojmë përgjegjësi nga fajtorët për atë që kanë bërë.

Për 100-vjetorin e vrasjes së tyre vendosa të ndërmarr diçka. Punova vetë: pastrova vendin, ndërtova një platformë dhe vendosa pesë pllaka përkujtimore, të cilat i porosita në Kjustendill. Kështu e realizova këtë memorial. Jam shumë i lumtur që arrita ta bëj këtë”, thotë ai.

Dimitër Dimitrov

Dimitër Dimitrov

FOTO: glaspress.rs

Dita e Krahinave Perëndimore është një rast për bullgarin nga Bosilegradi të kujtojë një moment të rëndësishëm për bashkatdhetarët e tij dhe mësimin që duhet nxjerrë prej tij:

“Që nga 27 nëntori i vitit 1919, kur u nënshkrua Traktati i Paqes i Nejit, e deri më sot, gjithçka ka qenë e zezë dhe nuk mund të bëhet më e zezë se kaq. Politikanët bullgarë duhet të tregohen më të vendosur kur takohen me politikanët serbë”, këshillon Dimitër Dimitrov, duke kujtuar një takim të politikanëve nga të dyja anët e kufirit në vitin 2019:

“Atëherë kryeministri Bojko Borisov dhe presidenti i atëhershëm Aleksandar Vuçiç u takuan. Burri i shtetit serb përshëndeti me një fjali në gjuhën bullgare, ndërsa Borisovi u përgjigj se ‘nga sot bie Muri i Berlinit në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bullgarisë’. E vërteta është se nuk ka rënë asgjë dhe gjithçka është një katastrofë!”, shprehet me bindje Dimitër Dimitrov.

Shtëpia e Dimitër Dimitrovit në Bosilegrad është shndërruar në një muze të veçantë kushtuar Vasill Levskit dhe trashëgimisë bullgare

Shtëpia e Dimitër Dimitrovit në Bosilegrad është shndërruar në një muze të veçantë kushtuar Vasill Levskit dhe trashëgimisë bullgare

FOTO: BGNES

Në fund të bisedës, bashkëbiseduesi ynë shpreh një shpresë të vakët për të ardhmen, të lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të fituara nga lëvizja “Lista Studentore”:

“Le të shpresojmë se tani studentët do të mund të bëjnë vërtet diçka. Unë personalisht votova për ta, megjithëse rrallë dal të votoj në zgjedhjet në Serbi. Kam grumbulluar shumë zhgënjime nga pushteti”, thotë me hidhërim në zë Dimitër Dimitrov, duke u kthyer me mendje tek e kaluara dhe vitet e rinisë së një bullgari në skajet më lindore të Serbisë së sotme.”


Lexoni më tepër në arkivin tonë:


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva