Autor
Gergana Mançeva
Intervistë
Siuli Liliane Lin – një kineze nga Parisi, e dashuruar me Bullgarinë
“Bullgarët janë njerëz shumë aktivë, që vlerësojnë trashëgiminë dhe lirinë”, thotë ajo në një intervistë për Radio Bullgarinë
Shtunë 14 Nëntor 2026 09:20
Shtunë, 14 Nëntor 2026, 09:20
FOTO: Gergana Mançeva
Madhësia e shkronjave
Nëse pyesni veten se si krijohen urat më të mira midis kulturave të kombeve të ndryshme, përgjigjja është e qartë: urat ndërtohen nga njerëzit kureshtarë dhe me shpirt zbulues. Kur gjenden në një mjedis me gjuhë të huaj, ata fillojnë ta kuptojnë kulturën edhe pa fjalë, përmes valleve, këngëve, ose duke veshur kostumin folklorik të popullit mikpritës. Kjo i ndodhi edhe kinezes Siuli Liliane Lin, kur erdhi në Bullgari.
Por kur përmendim Kinën, këtë e bëjmë vetëm sepse Suli ka lindur atje. Në
të vërtetë, ajo është shumë më tepër bartëse e frymës franceze dhe e dashurisë
për artin. E gjithë jeta e saj e ndërgjegjshme ka kaluar në vendin e Antoine de
Saint-Exupéry, Jacques Prévert dhe të shansonеve francezе. Kur mbërriti në Bullgari katër
vjet më parë, ajo iu përkushtua me pasion mbledhjes dhe zbulimit të folklorit
bullgar dhe thotë se ai madje ka edhe efekt shërues. “Askush në Francë nuk i kujton
më zakonet dhe traditat vendore, ndërsa në Bullgari ndodh krejt e kundërta”,
mendon Siuli.
FOTO: Gergana Mançeva
“Bullgarinë e pashë për herë të parë para 15 vjetësh. Isha me pushime dhe që atëherë më pëlqen shumë të jem këtu, për shkak të jetës së vërtetë dhe traditave autentike. Prandaj, gjatë pandemisë, kur gjithçka ishte e mbyllur në Francë, unë dhe bashkëshorti im vendosëm të vinim të jetonim në këtë vend. Kemi edhe tre fëmijë. Jam 51 vjeçe dhe e njoh shumë mirë jetën në Francë, por kur erdha në Bullgari, pashë se këtu ka shumë tradita. Ato janë ruajtur, këngët popullore këndohen dhe respektohen. Kur kam udhëtuar jashtë vendit për shkak të folklorit, kam takuar bullgarë që i njohin dhe i duan këngët e tyre popullore.”
“Traditat tuaja janë të shumta dhe të bukura, ndaj duhet të jeni krenarë për to. Historia e Bullgarisë është jashtëzakonisht e pasur dhe, edhe pse shumë njerëz largohen për të jetuar jashtë vendit, ata vazhdojnë t’i ruajnë traditat e tyre, të këndojnë, të vallëzojnë dhe të organizojnë festa me kostume popullore. Bullgarët janë njerëz shumë aktivë, që e vlerësojnë trashëgiminë kulturore dhe, për mua, ata janë një shembull.”
FOTO: Gergana Mançeva
Kur erdhi në Bullgari, Siuli nuk dinte as edhe një fjalë të gjuhës, por u mahnit nga natyra, vendi, njerëzit dhe kultura. Ajo habitet edhe nga fakti se, për shembull, në sallën e Operës Kombëtare, sheh njerëz të të gjitha moshave dhe se të gjithë emocionohen njësoj nga arti i lartë. Por për kinezen, vallëzimi i valles bullgare është një përjetim shumë i veçantë dhe personal:
“Këtu, kur kapa duart e njerëzve në valle, ndjeva energjinë. Ka aq shumë dashuri në të qenit bashkë, në të qenit
gjallë. Ndërsa në Bullgari erdha për shkak të lirisë. E di nga historia se
bullgarët e vlerësojnë shumë pikërisht lirinë. Ka aq shumë këngë të bukura
bullgare, patriotike, por edhe këngë dashurie. Mjafton të këndoj dhe të gjithë
e kuptojnë se po tregoj sa shumë e dua Bullgarinë, dhe çdo herë ma kthejnë me
dashuri. Unë nuk jam mësuar në shkollë se si këndohet, këndoj ashtu siç e ndiej
këngën. Kënga më e rëndësishme për mua është ‘Prituri se pllaninata’ /‘U shemb mali’/. Ajo është shumë e trishtuar dhe e bukur, dhe e lidh me babanë tim, i cili
u nda nga kjo botë para disa vitesh. E këndoj jo si bullgarët, por e dua shumë.
Ndër këngët popullore ka shumë zhanre të ndryshme: ka këngë për të vallëzuar,
ka këngë me humor, këngë për çastet e lumtura të jetës dhe për dashurinë. Më
interesantet për mua janë ato që rrëfejnë për jetën e dikurshme në fshat.”
FOTO: Gergana Mançeva
Kinezja Siuli thotë se e ka
mësuar gjuhën bullgare vetëm përmes këngëve dhe pranon se i pëlqejnë shumë
tekstet e tyre, sepse këngët popullore përmbajnë poezi, janë si vargje dhe kanë
një leksik shumë të pasur. "Kur i përsërit mijëra herë dhe kur kjo bëhet
së bashku me melodinë, gjuha mësohet më lehtë. Prandaj për çdo këngë kam
tekstin në bullgarisht, bëj një përkthim në frëngjisht dhe kështu i mësoj
ato", zbulon sekretin e saj Sjuli.
FOTO: Gergana Mançeva
"Në TikTok publikoj prej një viti, sepse kështu më këshilloi djali im, duke më thënë se kjo është shumë interesante për të rinjtë. I dua shumë këngët e Silvi Vartanit (Sylvie Vartan). Një herë isha në fshatin Iskrec, ndërsa ajo ka lindur atje, dhe më vjen keq që nuk e dija këtë. Po ta kisha ditur, do të kisha kënduar një nga këngët e saj. Do të ishte një nder i madh për mua të këndoja sërish atje. Ajo ka shumë këngë të bukura. Mjafton të dëgjoj 'La Maritza' dhe menjëherë e lidh Silvi Vartanin me Bullgarinë. Tani e njoh lumin Marica, por më parë gjithmonë pyesja veten se kush ishte ajo Marica e këngës, një këngë e Silvi Vartanit shumë e njohur në Francë."
FOTO: Gegana Mançeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva