11 nëntori do të jetë Ditë Zie në Bullgari për viktimat në autostradën “Trakia”

Martë, 10 Nëntor 2026, 16:18

11 nëntori do të jetë Ditë Zie në Bullgari për viktimat në autostradën “Trakia”

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

“Një ditë e zezë për mbarë Bullgarinë”. Kështu u shpreh para gazetarëve kryeministri Rumen Radev lidhur me dy aksidentet e rënda ku u përfshinë 86 automjete dhe që bllokuan këtë mëngjes autostradën “Trakia” në të dy drejtimet. Sipas të dhënave më të fundit, si pasojë e përplasjeve kanë humbur jetën 11 persona, ndërsa rreth 51 të plagosur ndodhen në spitalet e Burgasit, Slivenit dhe Jambollit. Qeveria do ta shpallë ditën e nesërme, 11 nëntorin, Ditë Zie Kombëtare.

Shkaku kryesor i aksidenteve të rënda zinxhirore në autostradën “Trakia” ka qenë mjegulla e dendur që është shfaqur papritur. Aksidenti i parë zinxhiror ka ndodhur në drejtim të Burgasit. Në korsinë e kundërt, aksidenti i dytë është shkaktuar nga ngadalësimi i automjeteve të drejtuesve që ishin dëshmitarë të incidentit të parë. Këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev, i cili mbërriti në vendngjarje.

Policët dhe ekipet mjekësore kanë transportuar të lënduarit me barela në krahë, pasi autoambulancat nuk kanë mundur të arrijnë në qendër të vendit të përplasjes. Sipas ministrit, institucionet shëndetësore kanë reaguar në mënyrë adekuate dhe ndihma është ofruar me shpejtësi.

Qendra Kombëtare e Hematologjisë Transfuzionale u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë vendin që plotësojnë kushtet për dhurim gjaku të paraqiten në qendrën më të afërt dhe të dhurojnë gjak.

Lidhur me incidentin, Ministri i Punëve të Brendshme vuri në dukje mangësi sistematike në menaxhimin e sigurisë rrugore në vend. Nuk ekziston një lidhje e integruar ndërmjet kamerave të sistemit TOL dhe Policisë Rrugore. Gjithashtu mungojnë tabelat elektronike të informimit për paralajmërimin e drejtuesve të mjeteve në kushte të rrezikshme. Për shkak të mungesës së këtyre sistemeve, reagimi parandalues ka qenë i pamundur. Pritet të kryhen ekzaminime si të sinjalistikës rrugore, ashtu edhe të asfaltit në vendin e aksidenteve.

Për shkak të ngjarjes, presidentja Ilijana Jotova ndërpreu pjesëmarrjen e saj në Forumin e Parisit dhe po kthehet në Bullgari. Ajo shprehu ngushëllimet e saj për familjet dhe të afërmit e viktimave.


Lexoni më shumë:


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva