Lajm
Mediat botërore pasqyrojnë tragjedinë në autostradën “Trakia”
Mërkurë 11 Nëntor 2026 13:31
Mërkurë, 11 Nëntor 2026, 13:31
FOTO: facebook.com/ECinBulgaria
Madhësia e shkronjave
Flamujt e BE-së para selisë së Komisionit Evropian në Bruksel, si dhe para përfaqësive të Bashkimit Evropian në të gjitha vendet anëtare, u ulën në gjysmështizë më 11 nëntor. Ky gjest u bë në shenjë solidariteti me popullin bullgar pas aksidentit tragjik në autostradën “Trakia”, njoftoi Përfaqësia e Komisionit Evropian në Bullgari, bëri të ditur agjencia BGNES. “E gjithë Evropa është në zi së bashku me ne”, thuhet në njoftim.
Tragjedia tërhoqi vëmendjen e disa prej mediave më të mëdha ndërkombëtare. ABC News e përshkruan ngjarjen si një tragjedi të shkaktuar nga mjegulla e dendur në një autostradë në Bullgarinë Lindore dhe citon si faktorë të mundshëm dukshmërinë e kufizuar, shtresën e lagësht të rrugës dhe shpejtësinë e papërshtatshme me kushtet e qarkullimit.
BBC raporton për 12 viktima, duke iu referuar të dhënave të mëparshme, dhe thekson se në Bullgari është shpallur ditë zie kombëtare. Tabloidi britanik “The Mirror” përshkruan se si dhjetëra automjete të lehta dhe të rënda u përplasën me njëra-tjetrën në kushtet e mjegullës së dendur. Media britanike njoftoi gjithashtu se në vend kishte nisur një fushatë për dhurimin e gjakut.
Gazeta spanjolle “El País” citon statistikat e Eurostat-it, sipas të cilave Bullgaria është vendi me numrin mesatar më të lartë të viktimave në aksidente rrugore në BE gjatë vitit 2025, me 456 persona që humbën jetën në rrugët bullgare. Sipas standardeve evropiane, kjo shifër përkthehet në 71 viktima për një milion banorë. “El Mundo” njofton se, sipas hetimeve paraprake, aksidenti nisi me një kamion që transportonte drithëra.
“USA Today” publikoi në rrjetet sociale pamje me dron nga vendi i aksidentit. Tragjedia u pasqyrua gjithashtu nga “Al Jazeera”, Reuters, Associated Press dhe “The Guardian”. Në raportimet e mediave ndërkombëtare, theksi kryesor vihet te mjegulla që u shfaq papritur, dukshmëria e kufizuar dhe përplasjet e njëpasnjëshme mes automjeteve dhe kamionëve.
- Ditë Zie Kombëtare për viktimat dhe të plagosurit në autostradën “Trakia”
- Bota solidarizohet me dhimbjen e Bullgarisë
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova