Autor
Cvetana Tonçeva
Lajm
Kryevepra të Kulturës Muzikore Bullgare
„Premtim” – poezia e Vlladimir Bashevit në muzikën e FSB-së
Një takim i veçantë mes fjalës poetike dhe tingujve të grupit legjendar bullgar
Premte 13 Nëntor 2026 07:46
Premte, 13 Nëntor 2026, 07:46
Vlladimir Bashev (28 korrik 1935 – 19 nëntor 1967)
FOTO: facebook.com/nlmfond
Madhësia e shkronjave
Një rrëfim dashurie, intim dhe plot ndjeshmëri, i shkruar në mesin e shekullit të kaluar nga poeti i ri Vlladimir Bashev, shumë vite pas vdekjes së autorit mori një jetë të re përmes muzikës, duke u shndërruar në këngën me të njëjtin titull të grupit të njohur bullgar të rokut FSB.
Nuk më kujtohet nëse ishte e bukur.
Ndonjëherë,
kur je kaq pranë,
sytë humbasin fuqinë
për të parë atë që duket.
Vlladimir Bashev (28 korrik 1935 – 19 nëntor 1967) ishte një talent i rrallë i letërsisë bullgare të mesit të shekullit XX. Poet, gazetar, përkthyes dhe veprimtar shoqëror, ai i përkiste brezit të krijuesve që kërkonin forma të reja shprehjeje dhe zgjeronin kufijtë e lirikës bullgare. Poezinë e parë e botoi në moshën 15-vjeçare dhe shumë shpejt u bë një nga poetët më të spikatur të viteve ’60. Krahas poezisë, ai shkroi edhe kritikë letrare dhe artikuj publicistikë, duke lënë pas një numër të madh botimesh në shtyp. Bashev ishte, në njëfarë mënyre, bir i kohës së tij. Poezitë e para pasqyronin plotësisht modelet dhe dogmat ideologjike të realizmit socialist. Sot, studiuesit e letërsisë e vlerësojnë përmbledhjen e tij të parë poetike, „Antena të shqetësuara” (1957), si një vepër të mbushur me patosin entuziast të propagandës dhe me slogane ideologjike. Megjithatë, ata pranojnë se pas klisheve të imponuara nga koha ndihej edhe një përkushtim i padiskutueshëm personal i poetit.
Vlladimir Bashevi me bashkëstudentët e tij para Universitetit të Sofjes, në vitin 1954
FOTO: facebook.com/Muzeu Kombëtar i Letërsisë
Pas mbarimit të studimeve për gjuhë dhe letërsi bullgare në Universitetin e Sofjes, Bashevi mbajti poste të rëndësishme në disa prej botimeve më prestigjioze të vendit. Ai ishte gjithashtu anëtar i strukturave drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve Bullgarë dhe të Komsomolit (organizatës rinore komuniste). Ishte plotësisht besnik ndaj Partisë Komuniste dhe pushtetit të asaj kohe në Bullgari. Vargu i tij: „Nëse nuk kemi asgjë për t’i dhënë botës, atëherë përsekemi lindur?” u bë një lloj motoje për poetët e viteve ’60, të njohur si „Brezi i Prillit”. Një pjesë e madhe e përfaqësuesve të këtij brezi ishin krijues të mbështetur zyrtarisht nga shteti, të cilët kontribuonin në ndërtimin dhe përhapjen e imazhit të regjimit. Qëndrimet e tij të qarta politike dhe pozitat e larta shoqërore e bënë Vlladimir Bashevin një nga figurat udhëheqëse të këtij brezi. Megjithatë, poezia e tij nuk vlerësohej gjithmonë pozitivisht nga kritika zyrtare letrare. Mes mënyrës se si ai jetonte dhe asaj që shprehte në krijimtarinë e tij ekzistonte njëfarë mospërputhjeje. Ndoshta sepse pas pranisë së tij aktive në jetën publike fshihej një krijues me një ndjeshmëri të theksuar ndaj përjetimeve më intime njerëzore.
FOTO: facebook.com/Muzeu Kombëtar i Letërsisë
Gjatë jetës së tij të shkurtër, vetëm 32-vjeçare, Vlladimir Bashevi krijoi shtatë përmbledhje poetike, poema, përkthime dhe vepra publicistike, si dhe shkroi librete për opera e opereta. Shumë prej poezive të tij u kthyen në tekste këngësh të njohura. Bashevi ishte një nga poetët më të dashur të kompozitorit të shquar bullgar Ljubomir Pipkov. Vargjet e tij frymëzuan dy nga veprat më të rëndësishme të kompozitorit: „Oratorio për kohën tonë” dhe operën e tij të fundit, „Antigona 43”. Ai shkroi gjithashtu libretin e operës së parë të një tjetër kompozitori të madh bullgar, Aleksandër Rajçev, me titull „Ura”.
Më 19 nëntor 1967, Vlladimir Bashevi humbi jetën në një aksident automobilistik. Në makinë ndodhej edhe bashkëshortja e tij e dashur, Vera Gançeva, vetëm 24 vjeçe, e cila më vonë do të bëhej një nga përkthyeset më të shquara bullgare të gjuhëve skandinave, si dhe botuese, pedagoge universitare dhe autore librash, studimesh e punimesh shkencore. Vera nuk u martua më kurrë. Së bashku me nënën e Vlladimirit, ajo ia dhuroi Muzeut Kombëtar të Letërsisë banesën ku kishte jetuar poeti.
Sot, Kabineti Letrar „Vlladimir Bashev” është kthyer në një vend takimi për poetë, shkrimtarë, muzikantë, artistë dhe gazetarë bashkëkohorë. Aty jepet edhe çmimi kombëtar letrar që mban emrin e poetit. Çmimi ndahet çdo dy vjet, në muajin nëntor, për një përmbledhje poetike të botuar nga një autor deri në moshën 32-vjeçare – pikërisht mosha në të cilën iu ndërpre jeta poetit.
FOTO: BTA
Disa poezi duket sikur presin muzikën e tyre për të marrë sërish jetë. E përfshirë në albumin e FSB-së „Pas dhjetë vjetësh”, të vitit 1983, kënga „Premtim” zbulon anën më të butë të botës poetike të Bashevit. Vargu i parë – „Nuk më kujtohet nëse ishte e bukur” – është mjaft i pazakontë për një poezi dashurie. Në vend të një përshkrimi plot admirim të së dashurës, kemi një kujtim. Figura e saj nuk na shfaqet përmes pamjes, por përmes ndjesive. Shikimi humbet rëndësinë. Mbeten prekja, ngrohtësia, supet, buzët, duart. Dashuria nuk është një portret, por një përjetim. Imazhi përmbyllës – duart „të lindura për krahë”, që „premtojnë qiellin” – është një simbol magjepsës i dashurisë pa kufij.
Grupi bullgar i rokut FSB njihet si një nga emrat më përfaqësues të muzikës cilësore. Muzikantët e tij i kanë kushtuar gjithmonë një vëmendje të veçantë fjalës dhe thellësisë kuptimore të tekstit. Në këngën „Premtim”, Rumen Bojaxhiev, Konstantin Cekov dhe Aleksandër Baharov ruajnë me kujdes frymën lirike dhe imazhet poetike të Bashevit. Muzika nuk e zëvendëson poezinë, por i krijon hapësirën që ajo të përjetohet në një mënyrë të re. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së poetit, koha nuk e kishte zbehur emocionin dhe vargjet e tij nuk ishin bërë të huaja për brezin e ri. Edhe sot, „Premtim” mbetet dëshmi se poezia e mirë nuk njeh kohë. Një këngë – një takim përtej kohës mes një poeti dhe muzikantëve që kanë ditur të dallojnë fuqinë e fjalës së tij. Dhe gjëja më e bukur e këtij takimi është se ai premton qiellin.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova