Autor
Ljubomir Kollarov
Lajm
Mallko Tërnovo dhe Petrova Niva – historia dhe shpirti i Stranxhës
Premte 13 Nëntor 2026 06:46
Premte, 13 Nëntor 2026, 06:46
Ndërtesa e Muzeut Historik në Mallko Tërnovo
FOTO: Ljubomir Kollarov
Madhësia e shkronjave
Në zemër të malit Stranxha, vetëm pak kilometra larg kufirit me Turqinë, ndodhet Mallko Tërnovo, qyteti i vetëm në pjesën bullgare të malit. I rrethuar nga pyje, burime dhe kodra, ky qytet në Bullgarinë Juglindore ndërthur natyrën piktoreske të Stranxhës me një histori që nis shumë kohë përpara krijimit të shtetit modern bullgar. Pikërisht këtu, gjurmët e lashtësisë, arkitektura e Rilindjes Kombëtare Bullgare dhe kujtimet e luftës për çlirimin kombëtar bashkohen në një vend të vetëm.
Historia e kësaj treve na çon deri në lashtësinë trake. Në rrethinat e qytetit të sotëm janë zbuluar dolmenë dhe nekropole tumulare, ndërsa sipas themeluesve çekë të arkeologjisë në Bullgari, Karell dhe Herman Shkorpill, këtu ndodhej stacioni rrugor romak Utsurgas.
Vetë vendbanimi Malko Tërnovo mendohet se u themelua në fund të shekullit XVI ose në fillim të shekullit XVII, kur banorë të kasolleve dhe fshatrave të vegjël përreth u vendosën pranë burimit të njohur me emrin Golemi Vris.
Një shëtitje në qendrën e qytetit bën të mundur të ndihen edhe gjurmët e historisë së mëvonshme të Mallko Tërnovos. Ndër ndërtesat e ruajtura, një vend të veçantë zënë shtëpitë e ndërtuara sipas stilit karakteristik të arkitekturës së Rilindjes Kombëtare Bullgare, të veçantë për rajonin e Stranxhës. Në to janë vendosur ekspozitat e Muzeut Historik „Prof. Aleksandër Foll“, i themeluar në vitin 1983 me emrin „Kompleksi Muzeor Stranxha“ dhe i riorganizuar në vitin 2002 si muze historik bashkiak.Ekspozitat janë vendosur në shtëpi karakteristike të periudhës së Rilindjes Kombëtare Bullgare, të shpallura monumente kulture.
FOTO: Ljubomir Kollarov
FOTO: Ljubomir Kollarov
FOTO: Ljubomir Kollarov
FOTO: Ljubomir Kollarov
Ndërtesë autentike – sot funksionon si restorant
FOTO: Ljubomir Kollarov
Kisha “Fjetja e Hyjlindëses Mari”
FOTO: Ljubomir Kollarov
Vizita në muze përbën një udhëtim nëpër shtresat e ndryshme të historisë së rajonit. Ekspozita arkeologjike paraqet gjetje nga lokalitete në qytet dhe në rrethinat e Mallko Tërnovos. Një pjesë më vete i kushtohet ikonave të pikturuara nga mjeshtër vendas, objekteve dhe veshjeve tradicionale të krahinës etnografike të Stranxhës, si dhe materialeve që lidhen me luftën për çlirimin kombëtar. Ndërsa koleksioni i natyrës pasqyron botën karakteristike natyrore të Stranxhës.
Magda Pushkarova – këngëtare e njohur e muzikës popullore bullgare nga rajoni i Stranxhës
FOTO: Ljubomir Kollarov
Kati i parë i Muzeut Historik është shndërruar në një “enciklopedi” të florës dhe faunës
FOTO: Ljubomir Kollarov
Historia e qytetit Mallko Tërnovo është e lidhur ngushtë edhe me luftën për çlirimin kombëtar. Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, Traktati i Berlinit e la Stranxhën jashtë kufijve të shtetit të ri bullgar. Në rajon vazhduan veprimtarinë komitetet revolucionare të lidhura me Organizatën e Brendshme Revolucionare Maqedonase-Adrianopojase (VMORO). Pikërisht në Stranxha, në vitin 1903, u përgatit një nga kryengritjet më të rëndësishme në historinë e Bullgarisë – Kryengritja e Ilindenit dhe e Shpërfytyrimit.
Pllakë përkujtimore në nderim të 100-vjetorit të çlirimit të Mallko Tërnovos nga sundimi osman
FOTO: Ljubomir Kollarov
Për të mbërritur në një nga vendet më të rëndësishme përkujtimore të kësaj historie, rruga vijon përmes pyjeve të Stranxhës drejt rajonit Petrova Niva. Kjo zonë historike ndodhet pranë fshatit Stoillovo, rreth 32 kilometra larg Mallko Tërnovos, sipas të dhënave të Parkut Natyror “Stranxha”. Sot, ky vend ka rëndësi kombëtare dhe është ndër pikat ku historia e Stranxhës ndërthuret me natyrën e malit.
Më 29 qershor 1903, në Petrova Niva, VMORO mori vendimin për shpalljen e Kryengritjes së Shpërfytyrimit, në mbështetje të Kryengritjes së Ilindenit, e cila kishte nisur tashmë në Maqedoni. Në kongres morën pjesë mbi 300 delegatë, vojvodë dhe luftëtarë. Në krye të kryengritjes u caktuan Mihaill Gerxhikov, kapiten Stamat Ikonomov dhe Llazar Maxharov, ndërsa Georgi Kondollov u zgjodh komandant i forcave të armatosura. Kryengritja në Stranxha shpërtheu më 6 gusht, në festën ortodokse të Shpërfytyrimit të Krishtit.
Sot, vizitorët në Petrova Niva mund të shijojnë qetësinë e pyllit dhe panoramën e bukur të Stranxhës. Në të njëjtën kohë, ky vend ruan edhe kujtesën historike të ngjarjeve tragjike të së kaluarës. Në qendër të kompleksit memorial ngrihet monumenti kushtuar pjesëmarrësve dhe viktimave të Kryengritjes së Ilindenit dhe të Shpërfytyrimit. Aty ndodhet edhe një ekspozitë muzeore, ndërsa me rastin e 100-vjetorit të kryengritjes u ndërtua dhe u shenjtërua një kishëz me eshtore, kushtuar Shën Petkës. Kompleksi memorial, së bashku me Muzeun Historik në Mallko Tërnovo, është pjesë e listës së 100 Objekteve Turistike Kombëtare.
FOTO: Ljubomir Kollarov
FOTO: Ljubomir Kollarov
FOTO: Ljubomir Kollarov
Varri-eshtrorja e revolucionarit legjendar bullgar dhe vojvodës së Stranxhës, Georgi Kondollov
FOTO: Ljubomir Kollarov
Por Petrova Niva nuk është vetëm një vend i kujtesës historike. Në afërsi të memorialit ndodhet një nga pikat më piktoreske nga ku mund të soditet peizazhi i Stranxhës dhe meandret e lumit Veleka. Parku Natyror “Stranxha” është i njohur për sipërfaqet e tij të gjera pyjore, pemët shekullore, burimet ujore dhe kishëzat e shumta. Kështu, udhëtimi drejt rajonit Petrova Niva kthehet natyrshëm në një takim jo vetëm me historinë, por edhe me natyrën e malit.
FOTO: geograf.bg
Mallko Tërnovo dhe Petrova Niva mund të shihen si dy pjesë të një udhëtimi të vetëm. Në qytet ndodhen muzeu, shtëpitë e periudhës së Rilindjes Kombëtare Bullgare dhe gjurmët e së kaluarës shumëshekullore të rajonit.
Midis tyre shtrihet Stranxha – e qetë, e gjelbëruar dhe krejt e ndryshme nga imazhi i zakonshëm i Bullgarisë si destinacion turistik bregdetar apo malor. Këtu, historia dhe natyra janë fare pranë njëra-tjetrës, ndërsa një vizitë në Mallko Tërnovo mund të shërbejë si pikënisje për një udhëtim më të gjatë nëpër Stranxhën, një rajon malor me natyrë të ruajtur dhe trashëgimi të pasur kulturore.
Lexoni më shumë në koleksionin e Radio Bullgarisë:
- Një itinerar pelegrinazhi do të lidhë Sozopolin dhe Mallko Tërnovon
- Misteri i malit Stranxha dhe pasuritë e tij
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova