Kreditë për banesa rriten dhe këstet e hipotekës kalojnë 30% të pagës

Për blerësit në Bullgari, çështja kryesore nuk është më marrja e një kredie, por mundësia për ta përballuar shlyerjen e saj në afat të gjatë

Dielë, 15 Nëntor 2026, 07:56

Kreditë për banesa rriten dhe këstet e hipotekës kalojnë 30% të pagës

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Vendosja e euros ndryshoi qëndrimet, pritshmëritë dhe shqetësimet e njerëzve në Bullgari, por dëshira për të pasur një shtëpi në pronësi mbetet gjithmonë aktuale. Aq më tepër që kreditë hipotekare në vend vazhdojnë të jenë relativisht të lira. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja hipotekare është 2,41%, ndërsa norma vjetore efektive e interesit ka zbritur në 2,76%.

Sipas një analize të ndërmjetësit të kredive Credit Manager, kësti mujor i një kredie hipotekare për një banesë deri në 80 metra katrorë në pesë qytetet më të mëdha të marra në shqyrtim (Sofje, Plovdiv, Varna, Burgas dhe Ruse) përllogaritet në rreth 30–36% të pagës mesatare bruto.

Kreditë për banesa rriten dhe këstet e hipotekës kalojnë 30% të pagës

FOTO: Pixabay

Megjithatë, pyetja kryesore ka ndryshuar. Konsumatorët nuk shqetësohen më aq shumë nëse banka do t'u japë shumën e nevojshme për blerjen e banesës. Shqetësimi kryesor tashmë lidhet me mundësinë për ta shlyer borxhin në mënyrë të qëndrueshme dhe pa vështirësi në planin afatgjatë.

Përllogaritjet tregojnë se familjet bullgare po marrin përsipër gjithnjë e më shumë borxhe, megjithëse numri i kredive ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Kjo vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme dhe e shumave më të larta që nevojiten për të blerë një banesë në Bullgari.

Në fund të shtatorit të këtij viti, vlera e përgjithshme e kredive për banesa në Bullgari arriti në 19,65 miliardë euro, me një rritje prej 24,8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Ka ndryshuar edhe motivi i blerjes. Një pjesë më e madhe e klientëve në Bullgari po kërkojnë sërish banesa kryesisht për t'i përdorur për nevojat e tyre, dhe jo thjesht për qëllime investimi.


Redaktoi: Katerina Hapsali

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova