Autor
Cvetana Tonçeva
Lajm
Kryevepra të kulturës muzikore bullgare
"Ergen Deda" – perla folklorike që pushtoi botën falë Petër Ljondevit
Premte 20 Nëntor 2026 06:57
Premte, 20 Nëntor 2026, 06:57
Petër Ljondev (1936–2018)
FOTO: arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Kompozitori, pedagogu dhe etnomuzikologu i talentuar Petër Ljondev (1936–2018) ka lënë një gjurmë të rëndësishme në kulturën bullgare, veçanërisht në folkloristikën muzikore dhe artin koral. Më shumë se tre dekada të jetës së tij ai ia kushtoi studimit dhe ruajtjes së trashëgimisë folklorike kombëtare. Si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Muzikologjisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, ai regjistroi dhjetëra mijëra këngë popullore dhe melodi instrumentale, shumë prej të cilave i dokumentoi në formë të shkruar muzikore.
Vend qendror në kërkimet e tij zë rajoni folklorik i Trakisë. Studiues i shquar dhe me kontribut të jashtëzakonshëm, Ljondev ishte gjithashtu një krijues jashtëzakonisht prodhimtar, autor i qindra veprave korale që sot janë pjesë e pandashme e repertorit jo vetëm të ansambleve vokale bullgare, por edhe të atyre të huaja. Ndoshta më të dashurat dhe më të interpretuarat janë këngët e tij për fëmijë, ndërsa përpunimet folklorike të tij konsiderohen klasike të zhanrit.
Ndër veprat më të njohura të krijimtarisë së Petër Ljondevit është miniatura korale "Ergen Deda", e shkruar në vitet ’70 të shekullit XX mbi bazën e një kënge autentike vallesh popullore, të regjistruar në fshatin Dollna Mellna (një fshat malor në Bullgarinë Perëndimore, në komunën e Trënit, rajoni i Pernikut) nga folkloristi legjendar bullgar Vasill Stoin.
Historia plot humor tregon për një beqar faqekuq e gjithnjë të buzëqeshur (me sa duket jo fort të ri, pasi në këngë quhet "gjysh"), i cili niset me guxim drejt valles së fshatit, ku janë mbledhur vajzat e reja. Të gjitha vashat ia mbathin (ndoshta të trembura nga mosha dhe pamja e tij), përveç më të voglës, Angjelinës. Pason një takim plot ngacmime e shaka, ku "plaku" nxjerr dy mollë dhe i propozon vajzës së bukur ta ndajnë së bashku ëmbëlsinë e tyre.
Në versionin e Petër Ljondevit, kjo këngë e thjeshtë popullore shndërrohet në një tablo muzikore të gjallë, që ruan karakterin e saj plot zgjuarsi, ritmin energjik dhe atmosferën lozonjare të burimit origjinal. Kompozitori ndërton një strukturë të pasur shumëzërëshe, ku energjia e valles, fryma e lojës dhe humori karakteristik bullgar marrin jetë përmes mundësive të shumta shprehëse të muzikës korale.
Marcel Cellier dhe Kori i Zërave Bullgarë
FOTO: "Misteri i Zërave Bullgarë"
Një kontribut të veçantë për popullaritetin e "Ergen Deda" kanë dhënë ansambli legjendar "Misterii Zërave Bullgarë" dhe producenti zviceran Marcel Cellier, i cili e përfshiu këngën në albumin e parë të serisë së famshme me të njëjtin emër. Në një intervistë për Radio Bullgarinë në vitin 2016, Petër Ljondevi kujtonte se Cellier kishte bërë jashtëzakonisht shumë për muzikën bullgare: "Falë tij ajo filloi të përhapet në mbarë botën." Në të njëjtën bisedë, kompozitori përmend me mirënjohje "një dirigjent dhe muzikolog të mrekullueshëm bullgar, Ljuben Botusharov". Emri i Botusharovit sot është pothuajse i harruar, por ishte pikërisht ai që drejtoi për herë të parë "Ergen Deda" dhe e regjistroi në Radion Kombëtare Bullgare. Në interpretimin studio ai përfshiu edhe daullen dhe lugët prej druri, instrumente që theksojnë atmosferën folklorike dhe gjallërinë ritmike të këngës.
"Ergen Deda" është dëshmi e aftësisë së Petër Ljondevit për të zbuluar vlerat e përjetshme të krijimtarisë popullore dhe për t’i shndërruar ato në art që kapërcejnë kufijtë gjuhësorë dhe kombëtarë. Përpunimi i tij e kthen koloritin lokal folklorik në një përjetim muzikor universal, i cili vazhdon edhe sot të elektrizojë dhe të korrë duartrokitje në sallat e koncerteve anembanë botës.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva