Autor
Krasimir Martinov
Artikull
Budapesti mirëpret bullgarët nga bota në festivalin e 18-të "Unë jam bullgar"
Organizator është Shkolla Bullgare dhe Kopshti i Fëmijëve në Budapest
Martë 17 Nëntor 2026 15:50
Martë, 17 Nëntor 2026, 15:50
Fëmijë bullgarë nga e gjithë bota dhe mësuesit e tyre mblidhen në Budapest
FOTO: facebook.com/bolgarsuli
Madhësia e shkronjave
Në kryeqytetin e Hungarisë priten tri ditë kushtuar gjuhës, kulturës dhe traditave bullgare, krijimtarisë së fëmijëve dhe takimeve ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve bullgare nga e gjithë bota.
Nga data 20 deri më 22 nëntor 2026, Shkolla Bullgare dhe Kopshti i Fëmijëve në Budapest do të mirëpresin pjesëmarrës dhe të ftuar në edicionin e 18-të të Festivalit të Bullgarëve në Botë "Unë jam bullgar".
Nisma, e nisur nga shoqata kulturore "T.A.N.G.R.A" në Madrid në vitin 2009, prej 18 vitesh bashkon fëmijë bullgarë nga vende të ndryshme të Evropës. Timishoara, Parisi, Roma, Frankfurti, Valencia, Amsterdami dhe Sofja janë vetëm disa nga qytetet që kanë qenë mikpritëse të festivalit "Unë jam bullgar", të gjitha të mbushura me takime të paharrueshme, miqësi të reja, këngë, valle dhe frymë bullgare. Këtë vit, festivali rikthehet për herë të dytë në Budapest dhe mikpritës i tij është sërish Shkolla Bullgare dhe Kopshti i Fëmijëve.
Në vitin 2026, veprimtaria i kushtohet Ditës së Zgjuesve Kombëtarë (1 nëntor) dhe Ditës Evropiane të Gjuhëve (26 shtator). Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, pjesës përmbyllëse të festivalit i ka paraprirë një program konkursi në disa kategori: ese, vizatim, krijimtari muzikore dhe krijimtari gojore popullore.
Më 20 nëntor, të premten, në orën 16:00, në Qendrën Bullgare Kulturore dhe Arsimore, në rrugën "Fehér Holló" në Budapest, do të hapet ekspozita me vizatimet e fëmijëve të vlerësuara me çmime në festivalin "Unë jam bullgar". Të nesërmen, më 21 nëntor, të shtunën, në orën 16:00, do të zhvillohen ceremonia zyrtare e hapjes së festivalit, ndarja e çmimeve për fituesit e konkursit dhe koncerti gala.
Në kuadër të veprimtarisë do të organizohet gjithashtu një tryezë e rrumbullakët, kushtuar mësimdhënies së gjuhës bullgare si gjuhë e dytë/e huaj – një temë jashtëzakonisht aktuale dhe e rëndësishme për shkollat bullgare jashtë vendit.
"Do të diskutojmë zbatimin e programeve të reja mësimore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), nivelet gjuhësore sipas Kornizës së Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët, qasjet bashkëkohore në mësimdhënie dhe praktikat e mira nga puna me fëmijët që rriten në një mjedis shumëgjuhësh", deklaroi për Radio Bullgarinë Vanja Kotorova, drejtoreshë e Shkollës Bullgare dhe Kopshtit të Fëmijëve.
Në diskutime do të marrin pjesë pedagogë universitarë, specialistë dhe mësues.
Fëmijët bullgarë jashtë vendit janë ambasadorët e vegjël të Bullgarisë në botë
Vanja Kotorova në një nga forumet kushtuar arsimit bullgar jashtë vendit
FOTO: Shkolla Bullgare dhe Kopshti i Fëmijëve – Budapest
Tryeza e rrumbullakët do të mund të ndiqet edhe online përmes platformës Microsoft Teams. Personat e interesuar për të marrë pjesë online dhe për të marrë lidhjen e pjesëmarrjes duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit jo më vonë se të martën, më 17 nëntor 2026.
Programi i plotë është i disponueshëm KËTU.
"Presim me gëzim mysafirët, ligjëruesit dhe pjesëmarrësit tanë nga Bullgaria dhe nga komunitetet bullgare në mbarë botën! 18 vite kujtime, takime dhe miqësi! Ju presim që së bashku të krijojmë kujtime të reja!", shprehen organizatorët në ftesën e tyre të publikuar në internet.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski