Lajm
KE miratoi mbi 1,7 mld euro për Bullgarinë në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes
Premte 20 Nëntor 2026 16:01
Premte, 20 Nëntor 2026, 16:01
FOTO: pixabay
Madhësia e shkronjave
Komisioni Evropian miratoi sot fondet për këstin e pestë të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë për Bullgarinë, njoftoi gazetarja Mira Stefanova. Në kuadër të këtij kësti, vendi do të marrë mbi 1,7 miliardë euro, bëri të ditur zëvendëskryeministri përgjegjës për menaxhimin e fondeve evropiane, Atanas Pekanov. “Bullgaria e përmbyll sot me sukses Planin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë dhe do të marrë afro 99% të fondeve të parashikuara në të. Komisioni Evropian miratoi fondet për këstin e pestë, në vlerë prej mbi 1,7 miliardë eurosh, të cilat Bullgaria i përfiton pas përmbushjes me sukses të mbi 50 reformave dhe investimeve të parashikuara në këtë këst. Ky sukses është rezultat i veprimeve të shpejta dhe të guximshme që ndërmorëm që në ditët e para të punës së qeverisë, pas betimit të saj në maj”, deklaroi Pekanov.
Nga fondet prej mbi 6,2 miliardë eurosh të parashikuara në plan, Bullgaria nuk do të marrë rreth 1%, ose nga 60 deri në 65 milionë euro, për shkak të zbatimit të pamjaftueshëm të gjashtë masave. Këto masa lidhen me rinovimin dhe ndërtimin e objekteve për nevoja arsimore, infrastrukturën në parqet industriale, plotësimin e përbërjes së komisionit kundër korrupsionit, uljen e numrit të prokurimeve publike me vetëm një kandidat, shërbimet digjitale për të papunët dhe trajnimet për aftësitë digjitale.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova