Lajm
Donatorë zviceranë dhuruan piktura të dy krijuesve bullgarë
Premte 20 Nëntor 2026 18:03
Premte, 20 Nëntor 2026, 18:03
FOTO: Galeria e Arteve - Kazanllëk
Madhësia e shkronjave
Piktura të krijuesve Deçko Uzunov dhe Benço Obreshkov u kthyen nga Zvicra në Bullgari. Ato iu dhuruan Galerisë së Arteve në Kazanllëk me rastin e 125-vjetorit të themelimit të saj dhe do të prezantohen për herë të parë para publikut bullgar në pranverën e vitit 2027.
Dr. Mihael Djoman nga Cyrihu i dhuroi galerisë një pikturë të Deçko Uzunovit, ndërsa Rozmari Rjosel nga Mjonedorfi i dhuroi dy vepra të Benço Obreshkovit. Pas disa dekadash në koleksione jashtë vendit, të tria pikturat bëhen pjesë e fondit të përhershëm të galerisë. Ato iu dorëzuan zyrtarisht ekipit të galerisë më 16 nëntor 2026, në Mjonedorf të Zvicrës.
“Është veçanërisht emocionuese që, pas disa dekadash jashtë vendit, këto piktura kthehen në Bullgari dhe pikërisht në Kazanllëk. Deçko Uzunov ka lindur këtu në vitin 1899. Tani, piktura e tij kthehet në qytetin e lindjes, për t'u ekspozuar në një galeri me të cilën ai ka qenë i lidhur që në rini. Benço Obreshkovi, i lindur po atë vit në Karnobat, ishte bashkëmoshatar dhe bashkënxënës i tij në klasën e një tjetër piktori të njohur nga Kazanllëku, Petko Klisurov. Të dy janë ndër artistët që, gjatë viteve 1920 dhe 1930, ndryshuan pamjen e pikturës bullgare. Tani, në vitin kur galeria mbush 125 vjet, veprat e tyre takohen sërish, këtë herë në shtëpinë e tyre të re në Kazanllëk”, tha Pllamen Petrov, drejtor i Galerisë së Arteve.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova